Kulturë

Botuesit në Shqipëri kërkojnë ndryshime ligjore dhe heqje taksash për librari të reja

Ndryshimi i Ligjit të librit, si dhe heqja e taksave për libraritë e reja për një periudhë të caktuar kohore janë kërkesat që botuesit në Shqipëri ia kanë adresuar Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arsimit. Kërkesa të tilla vijnë në kohën kur botuesit kanë ngritur alarmin se përditë ka më pak lexues

Botuesit në Shqipëri kërkojnë më shumë politika ndërgjegjësuese dhe mbështetje për të ndryshuar realitetin aktual, ku është shënuar një ulje e konsiderueshme e numrit të lexuesve.

Botuesit i kanë kërkuar njëzëri Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arsimit ndryshimin e Ligjit të librit, si dhe heqjen e taksave për libraritë e reja për një periudhë të caktuar kohore.

“Mbështes shumë propozimin që është bërë edhe nga Shoqata, që librarive të reja t’u hiqen taksat që do të mund të stimulojnë në hapjen e librarive në qytete ku mungojnë. Apo dhe në qytete ku ka dhe duan të marrin këtë iniciativë. Mendoj që është momenti që qoftë edhe nën kupolën e ndonjë Ministrie të Kulturës ose të Arsimit të mendohet për ndërtimin e një ndërmarrjeje të shpërndarjes së librit”, ka thënë Irena Toçi, administratore e shtëpisë botuese “Toena”. TVSH-ja prej 6 për qind ndaj librit që sapo del nga shtëpia botuese dhe vlera e rritur nga librashitësit ka ndikim të drejtpërdrejtë te lexuesi duke e rënduar këtë të fundit, por edhe botuesin.

“Heqja e TVSH-së nuk ka asnjë vlerë për shtetin, është qesharake, por kjo e ka ngurtësuar, e ka shkatërruar tërësisht sistemin”, ka thënë Bujar Hudhri, pronar i shtëpisë botuese “Onufri”. Një tjetër shqetësim mbetet dhe pajisja e bibliotekave të shkollave me libra, e veçanërisht me ato tekste të cilat janë pjesë e kurrikulave mësimore.

“Ne jemi të gjithë të prekur nga kjo lloj epidemie që ka të bëjë me bibliotekat e shkollave. Mjafton të kontrolloni listat e librave që shkojnë në bibliotekat e shkollave me ato ku financat publike shpërdorohen dhe të njëjtat libra që shiten në Gramsh ku nuk ka librari, që i blejnë drejtoritë arsimore janë nga botues rreth e qark pushtetit apo një listë shumë e vogël botuesish”, ka thënë Gëzim Tafa, pronar i shtëpisë botuese “OMBRA GVG”.

Rëniet e shitjes së librave dhe rritja e çmimeve ka ndikuar te shifra që është përmendur kohët e fundit se në Shqipëri lexojnë jo më shumë se 20 për qind. Për botuesit mbase kjo ka lidhje më shumë me shitjen e librit se librat mund të kalojnë dhe dorë më dorë, mund të lexohen dhe në mënyrë elektronike. Por të dhënat tregojnë se 78 për qind e shqiptarëve nuk e kanë lexuar dhe nuk e kanë blerë një libër vitin e fundit.

Për kreun e Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, Petrit Ymeri , faji është i politikave të munguara nga institucionet shtetërore.

“Çmimi i letrës është rritur 80 për qind, kemi ulur tirazhet dhe kemi rritur shumë kostot e prodhimit. Ndërkohë çmimin e librit e kemi rritur 1 mijë lekë më shumë, ndërkohë që kostoja është rritur gati dyfishi. Rritja e çmimit të letrës është fenomen botëror”, ka thënë Ymeri.

Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit si zgjidhje të këtyre ngërçeve sheh hartimin e një ligji për leximin, që synon ta afrojë sa më shumë lexuesin me librin.