Është promovuar sot vëllimi i librave "Kujtesa e Kosovës", që po vlerësohet të jetë një zë ndryshe për historinë e fshehtë të Kosovës.
Botimi i 10 vëllimeve të kësaj serie është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi tha se përmes këtij vëllimi po dokumentohet periudha e flijimit dhe vetëmohimit të popullit të Kosovës.
Këto kujtime, sipas Gashit, do të shërbejnë si burim informacioni për fusha të ndryshme dhe për këtë u shpreh se do të mbështesin edhe përkthimin në gjuhën angleze.
"Jemi të gatshëm të përkrahim bibliotekën nacionale të Kosovës që këto botime në shqip, të përkthehen edhe në gjuhën angleze, në mënyrë që të lexohet edhe më gjerë historia e të moshuarve që kanë përjetuar gjëra që nuk i përthekon mendja e njeriut", u shpreh Gashi.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, tha se mbledhja dhe ruajtja e kujtesës gojore po vjen në një koncept të ri, të pakultivuar më parë në bibliotekën nacionale.
"Mbledhja e informacioneve nga njerëzit më të moshuar e dinim se është themelore në njohjen e historisë. Mbledhja e këtyre kujtimeve të njerëzve të moshuar siguron një zë ndryshe për historinë e fshehtë të Kosovës", tha ai.
Profesori universitar, njëherësh mentor i projektit, Arsim Canolli, tha se ndjehet i nderuar që po botohet ky botim i rrëfimeve të 100 rrënimtarëve mbi 80 vjeç, si fryt i punës 2 vjeçare.
Ai uroi që të shtohen librat e kujtesës kolektive.
Ismail Maqedonci, njeri nga të moshuarit kujtimet e të cilit janë pjesë e këtij vëllimi, shprehu entuziazmin e tij për botimin e këtyre kujtimeve.
"Çka kemi hequr në të kaluarën, ka qenë shumë vështirë. Në atë kohë, shumica s'mund ta marrin me mend qysh kemi jetuar, sa vështirë. Sakica të këqija ka pasur, të punuara prej kovaçëve. E sot i lumi ai i ri që don të shkollohet, i ka të gjitha të mirat, me e ditë çka kemi hequr na, sot është shumë mirë", tha ai.
Në emër të studentëve të Antropologjisë, Egzona Azemi, u shpreh se pas finalizimit të këtij projekti, kanë kuptuar edhe më mirë peshën dhe rëndësinë e këtij projekt/RTK.