“Për mua ishte e papritur, nuk kam pritur botimin e tri romaneve në frëngjisht për një kohë të shkurtër”, janë fjalët e para që i ka thënë shkrimtari Ibrahim Kadriu pasi ka marrë lajmin për përkthimin e romanit “Përtej binarëve” në frëngjisht. Përkthimi i tij erdhi pas “Vdekjes së Anilës” dhe “Misionit rus”. Mustafë Jashari është ai që i ka përkthyer të tre librat në frëngjisht.
Sipas shkrimtarit Ibrahim Kadriu, kjo është një impuls që e nxit të mendojë edhe për veprat e tjera, edhe në gjuhë të tjera, por që thekson se kjo natyrisht nuk varet veç prej tij.
“Për pasimin e një vepre në gjuhë të huaj varet shumë nga përkthyesit. E kisha fatin e mirë që, nga shqipja në frëngjisht, u gjend përkthyesi me një përgatitje solide. Dhe ai është Mustafë Jashari, i cili deri në pension e kishte stazhin e nëpunësit në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Zvicër. E vërteta, as që më ka treguar se po bënte përkthimin e ‘Misionit rus’ dhe fill pas përfundimit të tij ka vazhduar në romanet e tjera dhe, në të njëjtën kohë, ka kontaktuar edhe me botues francezë, ku ka hasur në mirëkuptim”, ka thënë ai.
Ka shtuar se nuk ia kishte marrë mendja se do të botoheshin aq shpejt te tri romanet brenda dy muajve e gjysmë.
“Aq më tepër kur siç më kanë thënë njohësit e rrethanave botuese në Francë ata janë rigorozë. Sidoqoftë, përmbylljen e vitit me tri romane të përkthyera e të botuara nga botues francezë, unë, si autor, e çmoj të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Ka treguar se “Përtej binarëve”, i botuar në shqip nga “Faik Konica”, në vitin 2020 gjithashtu është përkthyer arabisht dhe është botuar në Aman të Jordanisë dhe ka gëzuar popullaritet të madh në panairet e atjeshme, në pesë panaire të librave. Ka shtuar se mund të lavdërohet puna që ka bërë Ambasada e Kosovës në Katar dhe në Riad të Arabisë Saudite, të cilat kanë siguruar nga njëzet ekzemplarë të romanit “Përtej binarëve” në arabisht, për t’ua dhuruar mysafirëve të veçantë të mesit ku shërbejnë.
“Gjithashtu është përcjellë me shumë shkrime të atjeshme, ndoshta edhe për shkak se tema ka të bëjë kundër ekstremit mysliman, me kryepersonazhe të një shqiptareje të cilën babai provon ta detyrojë të bartë veshje arabe... Ngjarja zhvillohet në Prishtinë dhe Siri, konkretisht në Halep”, ka thënë ai.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu në roman parashtron kauza etike, morale e politike të shoqërisë.
“Les éditions Saint-Honoré”, që sipas përshkrimit në ueb-faqen e vet shkruan se ka për synime të mbështesë autorët në projektet e tyre është prapa publikimit të “Vdekjes së Anilës” dhe “Përtej binarëve”. Shtëpia botuese “Éditions Baudelaire”, e themeluar në vitin 2007 me objektivin që t’u ofrojë shkrimtarëve një shtëpi për t’u dhënë mundësinë e ndikimit kombëtar, por edhe ndërkombëtar – është botuese e romanit “Misioni rus”.
E se përkthimi i veprave, përkatësisht botimi i tyre nga ndonjë botues i huaj, ka rëndësi të madhe për autorët, e thekson edhe vetë Kadriu. Sipas tij, në rend të parë veprat e përkthyera fitojnë peshë më të madhe, sidomos kur shohin dritën në gjuhët e mëdha, siç janë anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja e kështu me radhë.