Kulturë

Botimet KOHA i pret bashkatdhetarët me ofertë deri në 80 për qind zbritje

Botimet KOHA i pret bashkatdhetarët me ofertë unike librash deri në 80 për qind zbritje dhe kjo tashmë është shndërruar traditë. Për nder të Muajit të Diasporës, ofron mundësinë që librat të blihen me zbritjen që pati gjatë Panairit të Librit.

“Gushti është muaji i diasporës. Tradicionalisht, si çdo vit, Botimet KOHA ua ofron bashkatdhetarëve të gjitha botimet e veta me çmimet e Panairit. Oferta vlen prej datës 3 gusht deri më 3 shtator 2022 dhe librat, me shumë zbritje, mund të blihen në Librarinë KOHA, në rrugën Sulejman Vokshi nr. 15, prapa Ministrisë së Kulturës”, thuhet në postimin e Botimeve KOHA.

Fidan Imeri, menaxher i shitjes në Botimet KOHA, ka thënë se kjo zbritje, e cila ka disa vjet që organizohet vazhdimisht gjatë muajit gusht, është bërë për shkak të kërkesave të mëdha që kanë pasur bashkatdhetarët. Përveç në librari, lexuesi veprat do të mund t’i gjejë edhe në pikën që KOHA ka në Aeroportin e Prishtinës.

“Si çdo herë, Botimet KOHA e vazhdon traditën e vet të muajit të diasporës, ku ofron zbritje për mërgimtarët. Ka kërkesë të madhe nga mërgimtarët dhe ne e kemi edhe një pikë në Aeroport dhe për hir të tyre do ta vazhdojmë këtë ofertë për një muaj”, ka bërë të ditur Imeri.

Këtë vit, vizitorëve të saj KOHA u ofron njëqind e katërdhjetë tituj, përfshirë edhe tetë tituj të rinj. Në mesin e këtyre titujve hyn romani “Humbja” i Mark Pashkut, laureat i shpërblimit për romanin më të mirë shqiptar “Rexhai Surroi” për vitin 2021. KOHA sjell për lexuesit e saj edhe një tjetër rrëfim unik në vetën e parë. Në vorbullën e përditshmërisë dhe të varshmërisë nga droga, Eroll Shporta vendosi të dalë prej saj, duke lënë prapa atë që për një përdorues nuk është veç fjalë, por edhe mënyre jetese: “Veç edhe sot”, siç titullohet libri. “Stina e pestë” nga Majlinda Bregasi, “Dallga e dytë” nga Mimoza Veliu janë po ashtu në mesin e titujve të rinj, bashkë me “Rahela” të Agim Sopit, “Kronika kosovare” të Stephane Vanderveken, “I mbeturi në Beograd” të Ibrahim Kadriut, “Rrëfime për Kosovën 2” të Fatmir Lamës, “Nënë më fol për ëndërrimtarët” të Shkumbin Gashit, “Funeralin e pafundmë” të Visar Zhitit e shumë tituj të tjerë.

Ndër të tjera, siç ka bërë të ditur menaxheri i shitjes së Botimeve KOHA, Fidan Imeri, kjo zbritje përfshin edhe rreth tridhjetë vepra, të cilat do të mund të blihen me vetë një euro, si dhe disa sosh të cilat do të kushtojnë vetëm dy euro.

“Titujt e rinj kanë 20 për qind zbritje. Janë diku rreth 30 tituj të cilët janë vetëm nga 1 euro dhe mund të them se kjo ofertë i bie të ketë zbritje më të madhe se 80 për qind. Mbi njëzet tituj janë nga 2 euro, gjë e cila dëshmon se kjo është një ofertë shumë e mirë”, ka bërë të ditur Imeri.

Zbritja e bërë për nder të bashkatdhetarëve do të zgjasë deri më tre shtator, por, siç ka thënë Imeri, KOHA do të vazhdojë të ketë zbritje edhe për nder të datave të tjera të rëndësishme, duke i qëndruar gjithmonë afër lexuesit dhe adhuruesit të librit.