Kulturë

“Bota jonë” thyen ëndrrat në realitetet e ashpra të Kosovës së pasluftës

Nga një udhëtim i jashtëzakonshëm që në nisje – me premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecia – filmi me skenar dhe regji të Luana Bajramit ka ardhur premierë në Kosovë. Ka hapur edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit Frankofon. Temën e merr nga Kosova, gjuha është universale, një shenjë dalluese e qasjes së regjisores. Nëpërmjet syve të dy të rejave sheh realitetin e pasluftës, aty thyhen ëndrrat por ato guxojnë të ëndërrojnë

“Bota jonë” nuk është thjesht një tjetër titull në botën e kinemasë. Është një rrëfim prekës që rrëmben shpirtin dhe betejat e Kosovës. Sjell historinë e dy vajzave të reja që vendosin të nisin një udhëtim të jashtëzakonshëm. Nga një udhëtim i jashtëzakonshëm që në nisje – me premierë botërore në Festivalin e Filmit në Venecia – filmi me skenar dhe regji të Luana Bajramit ka ardhur premierë në Kosovë. Ka hapur edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit Frankofon, të enjten mbrëma, në kinemanë “Armata”.

Temën e merr nga Kosova, gjuha është universale, një shenjë dalluese e qasjes së regjisores kosovaro-franceze, një prej zërave më të shquar të gjeneratës së saj. Dy personazhet, të ngopura me rrethanat e paqëndrueshme në familjen dhe fshatin e largët ku jetojnë, arratisen në mënyrë klandestine, duke lënë pas familjen. Arratisjen e bëjnë me një veturë e cila është më shumë sesa aq. I përket babait të Voltës luajtur nga Albina Krasniqi, i cili kishte rënë dëshmor në luftë. Destinacioni i tyre është qyteti i Prishtinës, ku ëndërrojnë t’i vazhdojnë studimet.

Filmi ndërthur temat e qëndrueshmërisë, shpresës dhe lidhjes së pathyeshme mes rinisë dhe ëndrrave të tyre. Tregon realitetet e ashpra të jetës në Kosovën e pasluftës dhe dëshirën e zjarrtë të të rinjve për t’i kapërcyer ato vështirësi.

Luana Bajrami ka dhënë një mesazh të përzemërt gjatë hapjes së Javës së Filmit Frankofon, duke theksuar rëndësinë e premierës së filmit në Kosovë para popullit të Kosovës, duke pranuar lidhjen e veçantë të filmit me vendin.

Sipas Bajramit, Kosova nuk është vetëm një sfond i historisë. Është një pjesë integrale e narrativës, duke e bërë shtëpinë e vërtetë të filmit.

“Storia zhvillohet këtu dhe është shqip, flet për problematikat e vendit edhe pse gjithmonë e rikujtoj aspektin universal. Ndjenja është shumë e veçantë saqë nuk po di si ta përshkruaj, por po jam shumë kurioze t’i shoh reagimet, por e kam ndier njëfarë emocioni në sallë që e ka kapluar secilin dhe kjo po më pëlqen”, ka thënë Bajrami.

Në një rrugëtim të jashtëzakonshëm që nisi në edicionin jubilar të Festivalit të Filmit në Venecie, “Bota jonë” gjeti shtëpinë e saj të parë në skenën ndërkombëtare. Debutimi i filmit në këtë ngjarje të njohur kinematografike ishte një dëshmi e aftësisë së regjisores, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e audiencës ndërkombëtare. Premiera në më të vjetrin festival filmi në botë jo vetëm që shënoi fillimin e rrugëtimit kinematografik të “Bota jonë”, por edhe simbolizoi shfaqjen si një zë i fuqishëm që ia tregon botës historinë e rinisë së Kosovës.

Regjisorja ka thënë se e ka të rëndësishme eksplorimin e jetës së rinisë së vendit nëpërmjet filmit dhe njësoj si në dy filmat e parë, “Luaneshat e kodrës” dhe “Bota jonë” do të vazhdojë edhe me filmat e tjerë.

“Prej filmit të parë po kam shumë dëshirë të flas për rini dhe t’i eksploroj këto problematika dhe këto tema që të rinjtë këtu i përjetojnë. Kur filmit të dytë i erdhi koha, desha të shprehja atë se si guxojmë të ëndërrojmë dhe të shohim përpara. Krejt trajtimi i filmit ka qenë rreth kësaj, por edhe rreth dashurisë që i lidh këto dy vajza dhe mënyra se si ballafaqohen me realitetin e vendit. Si gjithmonë, tregimi im vjen në një mënyrë shumë instinktive dhe po më duket si vazhdimi i punës që e kam bërë me filmin e parë”, ka thënë Bajrami.

Rrëfimi i filmit është në shumë mënyra një pasqyrim i përvojave dhe aspiratave të popullit të Kosovës. Në një tokë që ka përjetuar luftën, “Bota jonë” përfaqëson qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e të rinjve që guxojnë të ëndërrojnë përtej rrethanave.

Vetura e vjedhur, një objekt me vlerë të madhe sentimentale, simbolizon sakrificat e bëra nga familjet dhe peshën e pritshmërive që vijnë me të. Filmi, nëpërmjet tregimit dhe estetikës vizuale, i çon shikuesit në një udhëtim nëpër peizazhet dhe rrugët e Kosovës duke pikturuar një pamje të gjallë të jetës në rajon. Kap përzierjen unike të traditës dhe modernitetit që e definon Kosovën, duke ofruar një vështrim në të kaluarën dhe shpirtin e gjallë të popullit të saj. Filmi i Luana Bajramit përmbledh rrugëtimin e dy vajzave të cilat, ashtu si kombi që përfaqësojnë, janë të vendosura të lënë gjurmë në një botë plot sfida.

Njërin prej roleve kryesore në film, atë të Zoes, e luan Elsa Mala, e cila ka ndarë emocionet pas premierës së filmit.

“Kjo është premiera e dytë që po e mbajmë dhe që po jemi prezentë pasi që premiera e parë ka qenë në Venecia. Mund të them që emocionet janë gjithkund sonte, sepse jemi duke e shfaqur në shtëpi dhe fakti që jemi këtu me shoqëri, familje dhe krejt njerëzit e dashur, po e bën të veten dhe vetëm jam duke folur me njerëz dhe po përqafohemi. Një përzierje e emocioneve, por të gjitha të mira, të gjitha të lumtura”, ka thënë Mala.

Krahas vizionit të regjisores, aktori Afrim Muçaj, i cili portretizon babanë e Zoes në film, nënvizon rëndësinë e filmit duke vlerësuar Luana Bajramin si një regjisore të re largpamëse.

“Jam shumë i gëzuar që pata rastin ta shihja edhe unë vetë për herë të parë filmin ‘Bota jonë’ te cilin e kemi punuar me shumë përkushtim. Gjithashtu jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij filmi të dinjitetshëm dhe që ka marrë një rrugë shumë të suksesshme dhe po përfaqëson vendin tonë në festivale prestigjioze. Luana është një regjisore e re, mirëpo me një talent dhe largpamësi fantastike”, ka thënë Muçaj. Prapa filmit, sipas tij, është një punë shumë e madhe dhe shumë e mirë prej anës së saj dhe produksionit gjithashtu. “Krejt për fund një duartrokitje e madhe për kastën e aktoreve, sidomos të brezit të ri që funksionoi për mrekulli”, ka thënë Muçaj.

Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, e ka vlerësuar filmin duke u shprehur e befasuar me rolin e studentes së saj Elsa Mala.

“Regjisorja e re Luana Bajrami ka realizuar një film, bashkëproduksion me kompaninë franceze të filmit me temë botën e shembur të dy vajzave që nga fshati në qytet shkojnë për të studiuar me shpresën për një jetë më të mirë. Fotografia dhe realizimi shquheshin nga ‘dora’ franceze. Një lojë e bukur e artistëve të rinj, përfshirë edhe studenten time të muzikës Elsa Mala, e cila ishte befasia e mbrëmjes. Një përpjekje e bukur e regjisores për të parë botën me sytë e dy vajzave të reja, ndonëse kishte disa elemente që nuk shkonin me ngjarjen, mesazhin dhe realitetin e kohës së prezantuar”, ka thënë Luzha.

Përderisa ka nisur me filmin “Bota jonë”, Festivali i Filmit Frankofon ka sjellë një gamë të gjerë temash që i përgjigjen temës së edicionit të sivjetmë “Portrete grash”.

Valon Ibraj, atashe për kulturë në Ambasadën franceze në Kosovë, ka thënë se secili prej filmave nderon figurën e gruas.

“Filmi i Luanës, filmi ‘Bota jonë’, salla ishte e mbushur plot dhe sipas bisedave pas filmit e pamë që është pëlqyer dhe kjo është kryesorja pasi që ishte premierë në Kosovë”, ka thënë Ibraj.

Në natën e dytë të Festivalit ekrani i madh është ndezur për aktoren e shquar Brigitte Bardot.

“Gjatë tërë javës ka filma që u dedikohen grave, portreteve të tyre, filma që janë të realizuar nga gratë apo edhe artiste të ndryshme”, ka bërë të ditur ai.

Java e Filmit Frankofon në Kosovë do të përmbyllet më 18 tetor me filmin e vitit 1959 “Marie Octobre” të regjisorit Julien Duvivier.