Kulturë

“BookFest” vjen si ftesë për lexuesit e rinj drejt botëve të reja

Duke filluar prej sot (e premte), “BookFest” në “Albi Mall” është oferta dhjetëditore, për lexuesit e rinj, e cila nuk ndalet vetëm tek ekspozimi i librave. Aktivitete të leximit, vizatimit, kuize, gjëegjëza e shfaqje për fëmijë bazuar në tregimet në libra, janë në menynë e “BookFestit” organizuar nga “Dukagjini” e që vjen me edicionin e parë dhe synimet për t’u bërë tradicional

Dhjetë ditë aktivitete të veçanta u kushtohen librave për të vegjël e të rinj. Ndryshe nga Panairi i Librit dhe ngjarjet e tjera të ngjashme – si ai i librit të rrallë, të vjetër dhe të përdorur – nëpërmjet organizimit të “BookFest” mëtohet të tërhiqen lexuesit me fokus në moshat e reja. Festa e librit do të sjellë lexime librash, vizatime të karaktereve të preferuara, matje të njohurive dhe aktivitete të tjera, përfshirë edhe aktrim i bazuar në libra nga aktorë profesionistë. Është edicioni i parë dhe do të hapet sot në qendrën tregtare “Albi Mall”.

Në ngjarjen e organizuar nga libraria “Dukagjini” do të ekspozohen rreth 500 tituj të zhanreve të ndryshme, në shqip e anglisht. Bëhen bashkë botues të ndryshëm në mesin e të cilëve edhe Botimet KOHA.

Një kënd i hapësirës do të synojë tërheqjen e vëmendjes nëpërmjet ekspozimit të librave e aktiviteteve praktike aty për aty. Organizatorët kanë bërë të ditur se ngjarja vjen si mënyrë alternative e afrimit të librit të lexuesi.

“Në bashkëpunim me ‘Albi Mall’, këtë vit po mbahet edicioni i parë i kësaj feste të librit, që ka për synim që vizitorit a klientit në këtë qendër tregtare t’i ofrohet një mundësi që të jetë më afër vlerave kulturore e artistike, me librin në qendër. ‘Dukagjini’ nuk e trajton librin thjesht si një produkt, por si një vlerë për të cilën shoqëria ka gjithnjë nevojë. Pra, qëllimi i këtij manifestimi është që një hapësirë e caktuar në një qendër tregtare të kthehet në një pikë reflektimi mbi vlerat dhe librin”, ka thënë Artan Krasniqi nga shtëpia botuese “Dukagjini” në një përgjigje me shkrim.

Përgjatë dhjetë ditëve do të organizohen një mori aktivitetesh për fëmijë dhe të rritur që kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen. Krahas tyre do të servohet argëtimi e loja, ndërsa do të shpaloset edhe kreativiteti. Në shpalosje të programit të “BookFestit” është thënë se nga e hëna në të premte do të organizohet lexim i përrallave dhe librave të tjerë për fëmijë nga ekipet e librarisë. Fëmijët do të mund të shprehin talentin e të zhvillojnë mendimin kritik nëpërmjet vizatimit pasi kanë dëgjuar pjesë nga leximi. Në program janë edhe kuizet.

Njëri prej aktiviteteve si “Filozofia për fëmijët” do të synojë përmirësimin e të kuptuarit mbi botën, natyrën njerëzoren, veten dhe të tjerët.

“Përgjatë kësaj kohe fëmijët do të përfshihen në bashkëlexime të veprave filozofike të përshtatura për fëmijë, të mësuarit mbi botën fizike dhe shpirtërore përmes lojërave dhe filmave, si dhe debate të strukturuara që ndikojnë në hapjen e mendjes dhe zhvillimin e mendimit kritik që në moshë të hershme”, ka njoftuar organizata ETEA, e cila e organizon këtë ngjarje.

Në tri ditët e para të “BookFestit” do të ketë zbritje prej 15 për qind në të gjithë librat e ekspozuar. Kjo, sipas organizatorëve, si rrjedhojë e rëndësisë së edukimit të hershëm të fëmijëve dhe si investim për të ngjallur interesimin e lexuesve të vegjël.

Zgjim Sherifi nga libraria “Dukagjini” ka ftuar të rriturit e fëmijët të bashkohen në këndin e “BookFestit”, të hapin dyert e botës imagjinare të librit.

“Ejani me fëmijë dhe nxitini ata që të vizatojnë personazhet dhe heronjtë e tyre, të nxjerrë nga librat e preferuar. Libraria ‘Dukagjini’ ka një gamë të gjerë librash që zgjojnë imagjinatën e fëmijëve dhe plotësojnë çdo shije e nevojë të tyre”, ka thënë ai.

Organizimi i aktivitetit si pikë atraktive sociale e kulturore me librin në qendër synohet të bëhet tradicional.