Kulturë

“Bolla” për Kosovën e Pajtim Statovcit garon për çmimin prestigjioz irlandez

Romani me të cilin Pajtim Statovci kapërthen vitet e errëta për shqiptarët në Kosovë dhe pasojat e saj është futur në listën gjatë për “Dublin 2023”, njëri prej çmimeve më me peshë në botën letrare. “Jam i lumtur të njoftoj se ‘Bolla’ është në listën e gjatë për Çmimin Letrar Dublin 2023. Çfarë gëzimi i jashtëzakonshëm të jesh në mesin e njerëzve kaq të nderuar”, ka shkruar shkurt Statovci, i cili në listë gjendet krahas emrave të shquar si Elif Shafak, Ruth Ozaki, Claire Keegan

Romani “Bolla” i Pajtim Statovcit, në të cilin trajtohen periudha paraluftës, luftës së fundit në Kosovë dhe pasojat e saj, është në listën e gjatë për çmimin letrar “Dublin 2023”. Pjesë e kësaj liste janë emrat e njohur të letërsisë botërore, si: Elif Shafak, Ruth Ozaki, Claire Keegan e të tjerë. Është një prej çmimeve më me peshë në botë për një vepër të vetme artistike të shkruar a përkthyer në anglisht. Fituesi shpërblehet me 100 mijë euro.

Lajmin për nominim për çmimin prestigjioz, i cili daton prej vitit 1996, shkrimtari me prejardhje nga Kosova, e ka bërë të ditur nëpërmjet profilit të tij zyrtar në Facebook.

“Jam i lumtur të njoftoj se ‘Bolla’ është në listën e gjatë për Çmimin Letrar Dublin 2023. Çfarë gëzimi i jashtëzakonshëm të jesh në mesin e njerëzve kaq të nderuar”, ka shkruar shkurt Statovci.

Çmimi letrar “Dublin” promovon përsosmërinë në letërsinë botërore dhe sponsorizohet vetëm nga Këshilli i Qytetit të Dublinit, Irlandë.

Nominimet për listën e gjatë përfshijnë mbi 70 romane prej të cilave 29 janë të përkthyera në gjuhën angleze, të nominuara nga 84 biblioteka të 31 vendeve, përfshirë ato nga Afrika, Evropa, Azia, SHBA-ja, Kanadaja, Amerika e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Këtu hyjnë romane të cilët fillimisht ishin botuar në: gjuhën arabe, bullgare, holandeze, hindu, sllovene, japoneze, kroate, finlandeze, frënge, gjermane e të tjera. Pjesë e tyre është edhe “Bolla” e Statovcit fillimisht botuar në gjuhën finlandeze më 2019. Vetëm dy vjet më vonë romani u përkthye në gjuhën angleze nga David Hackston, i cili në tetor të po atij viti (2020) kishte fituar çmimin “Oxford-Weidenfeld” për përkthimin që ia kishte bërë romanit tjetër të Statovcit “Crossing” (Kalimi). Nëse libri fitues i këtij çmimi del të jetë një libër i përkthyer, atëherë çmimi ndahet midis autorit dhe përkthyesit, me ç’rast autori merr 75 mijë euro, ndërsa përkthyesi 25 mijë euro.

Image

Statovci u lind në Kosovë, ndërsa familja e tij ishte shpërngulur në Finlandë, kur ai ishte dy vjeç. Jeton në kryeqytetin finlandez, Helsinki, kurse mban titullin master në letërsinë krahasimtare. Deri më tani ka fituar një sërë çmimesh, përfshirë: Çmimin e letërsisë “Helsingin Sanomat” për Debutimin më të Mirë (me romanin: “My cat Jugoslavia”) më 2014, çmimin “Shkrimtari i Vitit në Helsinki”, më 2018, Fitues i Çmimit finlandez për fiksion (“Bolla”), 2019; Fitues i Çmimit të Përkthimit Oxford-Weidenfeld (Crossing), 2020; Fitues i Çmimit Italian të Letërsisë Grinzane (“Bolla”), 2022 e të tjerë.

Sipas një sinopsisi për “Bolla”, që është i afishuar në faqen personale të autorit, romani ka në qendër historinë e 22-vjeçarit me emrin Arsim, që në vitin 1995 ishte student në Universitetin e Prishtinës, në kohën kur gjithçka ishte armiqësore për shqiptarët.

“Prill 1995. Arsimi është njëzet e dyvjeçar, student i sapomartuar në Universitetin e Prishtinës, në Kosovë. Ai përpiqet të diplomojë në një kohë dhe vend thellësisht armiqësor ndaj shqiptarëve. Në kafene ai takon Milloshin, një serb. Pa mbaruar dita, gjithçka ka ndryshuar për të dy dhe brenda një jave në jetën e arsimit ndodhin dy ngjarje të rëndësishme: gruaja e tij merr vesh se është shtatzënë për herë të parë, ndërsa ai fillon një jetë në fshehtësi”, thuhet në sinopsisin e publikuar në ueb-faqen zyrtare të Statovcit.

Historia vazhdon teksa rrah çështje të ndryshëm filozofike që lidhen me unin dhe pasojat që një e kaluar e hidhët mund të lërë te njeriu dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët.

“Pas këtyre fillimeve të ethshme, afera e pamundur e Arsimit dhe Milloshit del nga binarët si pasojë e shpërthimit të luftës, e cila familjen e re të Arsimit e dërgon jashtë vendit, ndërsa Milloshin e ndrojtur në një rrugë të errët, siç përshkruhet përmes shënimeve kaotike në ditar. Vite më vonë, i deportuar përsëri në Prishtinë pas një periudhe burgu dhe tani i vetëm dhe i pashpresë, Arsimi e gjen veten në një realitet të thyer, që e bën atë të vërë në dyshim plotësisht të kaluarën e tij. Çfarë ndodhi pikërisht me të, me ata? Sa mund të durosh dhe të falësh?”, thuhet ndër të tjera në po të njëjtin sinopsis. Njohja e tij me serbin Millosh ndërthur edhe legjendën e gjarprit demonik të bollës, një rrëfenjë që të dy karaktereve u jep një gjuhë me të cilën të dy miqtë reflektojnë për ato që kishin dikur.

Në listën e të nominuarve është edhe Jokha Alharthi, me romanin “Bitter orange tree”, përkthyer nga Marilyn Booth, dyshja e cila në vitin 2019 kishte fituar Çmimin Ndërkombëtar Booker për romanin “Celestial Bodies”.

Ndër të tjera, në këtë listë gjenden edhe tre tituj irlandez: “Small Things Like These” nga Claire Keegan, “56 Days” nga Catherine Ryan Howard dhe “The Magician” nga Colm Tóibín. Autorët e përkthyer përfshijnë Reem Bassiouney (arabisht), Georgi Gospodinov (bullgarisht), Thorvald Steen (norvegjeze), Johka Alharthi (arabisht), Sang Young Park (koreanisht), Geetanjali Shree (hindu), Yoko Tawada (japoneze) e të tjerë, si dhe përkthyesit: Roger Allen, Marilyn Booth, Sophie Hughes, Anton Hur, Daisy Rockëell, Sam Taylor e të tjerë.

“Lista e gjatë e këtij viti për Çmimin Letrar Dublin është një zinxhir magjepsës tregimesh që bashkojnë lexuesit nëpër kultura dhe vende më të rëndësishme tani se kurrë më parë. Ju inkurajoj të futeni në bibliotekën tuaj lokale për të eksploruar listën gjatë muajve të ardhshëm. Ajo jo vetëm që e shpërblen lexuesin, por gjithashtu ka fuqinë t’u transformojë gjithashtu”, citohet të ketë thënë kryetari i Dublinit, Lord Cllr. Caroline Conroy, teksa ka prezantuar listën e gjatë të të nominuarve.

Pjesë e jurisë së këtij çmimi janë: Gabriel Gbadamosi, poet, dramaturg dhe kritik irlandez; Marie Hermet, ligjërueses e letërsisë dhe përkthimit në Université Paris Cité, shkrimtarja Sarah Moss, ligjëruese në UCD, poeti dhe eseisti Doireann Ní Ghríofa, si dhe përkthyesja Arunava Sinha.

Lista e shkurtër e të nominuarve do të publikohet më 28 mars, ndërsa fituesi më 25 maj.

Fituesi i vitit të kaluar ishte romani “The Art of Losing” nga Alice Zeniter, përkthyer nga frëngjishtja nga Frank Wynne.