Kulturë

Bogdani, murtaja dhe variola vera

E diel, 15 mars 2020

Bota ka njohur epidemi të tilla edhe më parë, me pasoja fatale, që kanë marrë mijëra e miliona jetë njerëzish, si: tifoja, kolera, murtaja (e quajtur murtaja e zezë), lia e bardhë, ethet e verdha, gripi spanjoll i vitit 1918 (pandemik), gripi i Hong-Kongut, gripi aziatik, gripi i derrit e të tjera, por ato kanë ndodhur në kohëra të tjera, kur zhvillimi ekonomik dhe teknik ka qenë shumë më i ulët se ç’është sot.

Edhe në Kosovë ka pasur murtajë në shekullin XVII. Pjetër Bogdani ka vdekur prej saj. Ipeshkvin e Shkupit sëmundja e gjeti në Prizren, ku kishte shkuar t’i bashkohej ushtrisë austriake në luftë kundër Perandorisë Osmane në krye të kryengritësve shqiptarë. U kthye në Prishtinë për mjekim, por pa sukses. Vdiq më 6 dhjetor 1689. Turqit e zhvarrosën dhe ua hodhën eshtrat e tij qenve për shkak të kryengritjes që pati organizuar.

gjenerali austriak me prejardhje italiane, Pikolomini, pati të njëjtin fat. Qe nisur nga Vjena me bekimin e Kurorës për ta pushtuar Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjën, por kur arriti në Shkup qytetin e kishte kapluar murtaja. Dha urdhër që të digjej qyteti dhe ashtu u bë, por gjenerali me nam nuk i shpëtoi dot vdekjes.

Shumë më i freskët është rasti me “linë e zezë” (variola vera), të cilën populli, për ta marrë me të mirë, e quan “lia e bardhë”. Ishte fillimi i vitit 1972. Virusin e solli një haxhi nga fshati Dejë i Rahovecit, i cili nga vendi i shenjtë solli edhe një shishe me “ujë zemzemi”. Zemzem quhet kroi në oborrin e Xhamisë së Madhe në Mekë të Arabisë Saudite. Sipas besëtytnisë, kjo “pije magjike” “ndihmon shtatzëninë, stimulon potencën dhe shmang epidemitë e kafshëve”. Por, ja që kësaj here ua solli atë njerëzve! Haxhi Ibrahim Hoti me ujin “eliksir” infektoi mbesën e vet! Mjekët në fillim pandehën se ishte fruth a grip, por nuk ishte asnjëra nga këto. Kishte simptoma të tjera, shumë më të rënda. Sëmundjen e konstatoi i pari një mjek nga Prizreni, dr. Xhelal Xhibo, kurse diagnozën e tij e vërtetuan ekipet mjekësore nga Beogradi. Por barrën kryesore e mbajti Spitali i Gjakovës, i cili u shndërrua në karantinë plot dy muaj. Hero i luftës me linë ishte mjeku gjakovar dr. Agim Serhati, i cili njëzet vjet më vonë, në kohën e helmimit të nxënësve në vitet ‘90, do ta pësonte jo nga ndonjë virus, por nga burgu dhe torturat e pushtetit serb. Qe alarmuar krejt Jugosllavia, madje edhe bota. E mbrama epidemi e lisë së zezë në Evropë kishte qenë në vitin 1930 dhe kishte marrë miliona jetë njerëzish. Prej 123 të infektuarve, në Kosovë vdiqën 26 veta, kurse në Serbi, kryesisht në Sanxhak, 40 nga 194 të infektuar sa ishin gjithsej. Në fund të prillit 1972 epidemia u shpall e mposhtur, me dekret shtetëror, sepse rrezikohej sezoni turistik, që ishte burim i të ardhurave valutore në Jugosllavinë e atëhershme.

E mbaj mend mirë atë situatë, edhe pse asokohe nuk isha në Prishtinë, por në Strugë, ku punoja si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e atjeshëm. Madje i pata bërë vend edhe në një poemë të shkruar “në frymën e kohës”, në stilin e Kadaresë, të cilin ne këndej sapo e kishim zbuluar si shkrimtar. “Vitet ‘70/ Alarm! Deja/ Ratkoci,/ haxhinjtë,/ virusi!/ Për të satën herë trokiti mortja te dera; - / Variola vera! / Edhe një rrufe/ në qiellin tënd,/ në qiellin tënd plot bubullimë,/ Kosovë, e shekujve karantinë!”.

Këto vargje gjenden në librin tim të parë me poezi, “Feniksi” (Shkup 1972).

Kosovë, e shekujve karantinë!

Shkrimtari në kafaz

E martë, 7 prill 2020

Në Prishtinë është ndaluar dalja në shesh. Parqet janë rrethuar me shirita të kuq.

Edhe sheshi “Fontana” te soliterët, aty ku të ngeshmit luajnë shah, është “skuqur”. Dy luajnë, dymbëdhjetë shohin. Bëjnë spektatorin. Pranë rrokaqiejve që ngrihen përpjetë si pikëçuditje!

Mediat njoftojnë se në lagjen “Ulpiana” janë identifikuar dy të infektuar me COVID-19. Hanibal ante portas! Korona te dera!

Pas fjalës koronavirus, fjalë tjetër shumë e shpeshtë e kësaj kohe është fjala karantinë. Nga vjen kjo fjalë? Nga italishtja: “quaranti”. Dyzet.