Ish-diplomati dhe profesori universitar, Blerim Reka, përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka quajtur skandaloze vendimin e jurisë që Nobeli i sivjetshëm për letërsi t'i jepet një personaliteti që mbështeti kryeprojektuesin e tragjedisë ballkanike, luftës që prodhoi qindra mijë viktima civile në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe eksode biblike, që tronditën botën.
Bëhet fjalë për Peter Handke, i cili aso kohe dhe më vonë nuk ka fshehur mbështetjen për kryekriminelin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin dhe krimet të cilave u priu.
Më poshtë statusi i Prof.Dr. Blerim Rekës:
Skandaloze! Nobel për letërsi i ndahet Handkes, shkrimtarit që e mbështeti kriminelin e luftës, Millosheviq! Po sikur që paraprakisht po atë çmim ia ndanë Ivo Andriq koautorit të (projektit për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në ish-Jugosllavinë - sqarim ynë) Çubrilloviqit dhe Ambasadorit Mbretëror Jugosllav, ngrehësit të dollisë në përurimin e Adolf Hitlerit si Kancelar. Nuk do të habitesha nëse vitin që vjen Nobelin e fiton shkrimtari i Robert Mugabes!