Një kthim në thesarin e bizhuterive të familjes do ta kthente Remzije Januzin në një prodhuese të këtyre aksesorëve. Teksa kishte marrë për të pastruar e riparuar bizhuteritë e vajzave të veta, gati një dekadë më parë, në të u ngjiz ideja për të bërë diçka unike. Bakri do të ishte materiali bazë që Januzi do ta përdorte për veprat e saj.
Januzi mësoi vetë se si t’i bëjë këto punime. Secila prej tyre është unike. E ato përmbajnë motive të ndryshme, ndërsa ajo gjen inspirim edhe nga aksesorë të lashtë ilirë, shkruan KOHA.
Format që u jep janë edhe gjeometrike, por i takojnë edhe detajeve të botës. Përshtatja e këtyre motiveve me trendët aktualë është e pashmangshme.
Rastësia e shndërruar në pasion
Në bisedën për KOHËN, Remzije Januzi tregon se interesimi i saj për punimin e varësve e aksesorëve të tjerë ndodhi krejt rastësisht.
“Ndodhi diku rreth nëntë vjet më parë. Fillimisht duke përmirësuar bizhuteritë e vajzave dhe gradualisht duke krijuar disa modele sipas ideve të mia”, tregon Januzi, krejt në fillim të bisedës për historinë e produkteve të saj.

Meqë, siç tregon, bakri ishte ndër materialet e saj të preferuara prej kohësh, nisi duke ricikluar telin e bakrit të siguruar nga pajisje të ndryshme dhe duke e integruar atë në punime.
“Me kohë pasioni është rritur dhe deri më sot kam punuar një numër të konsiderueshëm të punimeve”, thotë ajo.
Punimet e para thotë se kanë qenë më tepër eksperimentale, duke provuar teknika të ndryshme të punimit.
“Me ngritjen e cilësisë së punës dhe materialeve, si dhe duke parë se punimet po pëlqehen nga rrethi i ngushtë që ka pasur mundësi t’i shohë, bashkë me vajzat vendosëm t’i ekspozojmë në rrjete sociale me qëllim të shitjes”, tregon ajo.
E në këtë rrugëtim, veçmas në fillim, ka pasur edhe pengesa, por edhe njerëz që e kanë ndihmuar.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.