Roleve që ajo u jep jetë nëpër skenat e botës, nuk kanë të bëjnë gjë me Kosovën. E natyrshme, janë rrëfime universale, por unik është rrugëtimi i saj. Në vitin 2024, sopranoja Elbenita Kajtazi arriti aty ku synoi, në Operën Shtetërore të Vjenës, tok me Saimir Pirgun qenë personazhet kryesore të “La Bohème”, por një pëshpëritje në sallë zbërthen peshën jo vetëm të suksesit të saj. Publiku do të komentonte se Mimì është nga Kosova, e krejt kapitujt e karrierës së saj duken si puna e bisit kur publiku e rikthen me duartrokitje në skenë. Njësoj ajo u rikthehet e pushton skena të reja, sepse kjo ishte ëndrra e artistes
Nga Kosova, sopranoja Elbenita Kajtazi ka ateruar në skenat më prestigjioze botërore të muzikës klasike. Kjo është dashuria e saj. I mjafton ta ëndërrojë atë që synon të arrijë. Më 2024 e ka bërë edhe me atë që e konsideron “Olimp” të shtëpive operistike në botë – Operën Shtetërore të Vjenës. Debutoi në atë skenë. Por sukseset e saj qenë të shumëfishta.
Nga skena në skenë e nga roli në rol, sopranoja me emër në skenën ndërkombëtare operistike ka shkelur duke e lartësuar emrin e saj e tërthorazi edhe atë të Kosovës. Aq sa në momentin e debutimit të saj në Operën e Vjenës pëshpëritej se Mimì është nga Kosova.
Ky qe moment i rëndësishëm i karrierës së saj, ndonëse ajo veçse e pati ndërtuar kaherë profilin si soprano që, siç e vlerëson edhe kritika, performancat e saj kanë të sinqerta dhe me to sjell përherë emocion.
Opera Shtetërore e Vjenës është një nga operat kryesore në botë me traditë të gjatë. Ka qenë 28 tetori, data të cilën ajo e shquan si një prej më të rëndësishmeve të karrierës së saj. Atë ditë u vesh me rolin e Mimìsë nga opera “La Bohème” e Puccinit ku luajti përkrah tenorit shqiptar Saimir Pirgu si Rudolfo. U rikthye edhe dy herë me këtë rol, më 31 tetor e 2 nëntor.
Në një intervistë për KOHËN, Kajtazi ka shpalosur momente të rëndësishme nga karriera e saj, fragmente emocionesh e copëza suksesesh. Në sfond qëndron përkushtimi i pashoq i saj për të qëndruar zë i palëkundur në rolet të cilëve u jep shpirt. Ajo lundron nga njëri te tjetri, duke u zhytur nëpër këto karaktere. E ka bërë edhe me Mimìn, por jo vetëm.
Duke e rikthyer momentin, derisa flet me ëndje, shprehet se ka qenë emocion i papërshkrueshëm e jo lehtë i përballueshëm paraqitja në atë skenë me sallën përplot.
“Por unë jam përgatitur tash e sa vjet për atë moment dhe e kam pritur se do të vijë, por sërish ishte një emocion i papërshkrueshëm. Publiku më ka pritur shumë mirë por unë nuk jam kurrë e kënaqur me vetveten dhe gjithmonë mendoj se ka pasur gjëra që kam mundur t’i realizoj më mirë, mirëpo të tri shfaqjet kanë qenë me bileta komplet të shitura dhe salla ka qenë plot”, thotë ajo.
Qe produksioni i vjetër i italianit Franco Zafirelli që e ngjiti në atë skenë. Derisa flet për rolin, ajo tregon se roli i Mimìsë nuk e ka një arie bombastike që të mund të duartrokitet e publiku të mund të japë përgjigjen e tij. Por kujton se megjithatë, pati shumë ovacione e duartrokitje nga publiku.

“Është një rol i cili kërkon qetësi, koncentrim dhe përjetim prej fillimit deri në fund të shfaqjes, sepse Mimì është një vajzë e re, e cila në fund vdes nga sëmundja dhe vdekja e saj është aq e qetë, jo bombastike, siç është e ‘La Traviata’ e Verdit. Pra është aq e qetë dhe duhet me të vërtetë të jetë një atmosferë shumë e veçantë, por Mimì vdes me buzëqeshje në fytyrë dhe kjo e bën të veçantë rolin”, thotë Kajtazi.
Profesioni i saj nuk është thjesht vend pune për të. Arti i operës i fle në shpirt. Veçmas e vlerëson muzikën e Puccinit. Ajo e ndjen në shpirt rolin, aq sa tregon se ka raste kur nuk i ndal dot lotët në skena të ndjeshme të operave.
“Muzika e Puccinit nuk të lejon të ndihesh ashtu, sepse është aq bukur e kompozuar, ka një orkestër aq të plotë dhe tingulli të merr me vete dhe është e pamundur të mos ndiesh diçka. Me rastin e Mimìsë është e pamundur, mua ende nuk më ka ndodhur të mos më rrjedhin lotët në fund kur ajo vdes dhe vjen Rodolfo dhe e thërret emrin e saj vazhdimisht. Aq bukur e ka kompozuar fundin Puccini, sa nuk mund ta evitosh emocionin. Kurse ka ndoshta role të tjera që ndonjëherë e bën punën ashtu siç duhet, por nuk thellohesh tamam në emocione”, thotë Kajtazi.
Po duke luajtur veprën e Puccinit në Vjenë, këngëtari i shquar i operës e dirigjenti spanjoll Plácido Domingo, i kishte dhënë lëvdata për punën e saj. E kishte befasuar në pauzë të shfaqjes, pas dy aktesh, dhe i kishte thënë se e pëlqeu shumë qasjen e saj ndaj rolit.
“Ai e pëlqeu shumë qasjen time ndaj rolit dhe e vlerësoi shumë këtë butësinë vokale në raste, sepse Mimì është një rol lirik, me të vërtet duhet të kesh një zë të plotë për ta performuar atë, por unë i qasem pak më ndryshe në aktin e parë meqenëse është e ndrojtur në fillim kur e takon Rodolfon, është pak e mbyllur. Dhe në atë mënyrë e kam luajtur në skenë dhe Plácidos i ka pëlqyer qasja ime. Pastaj akti i tretë dhe i katërt janë sfidë për t'i realizuar ashtu siç duhet, për shkak të orkestrës, për shkak të dramaticitetit që përmban dhe duhet vërtetë një mobilizim shumë i madh që ta realizosh si duhet rolin”, thotë sopranoja Kajtazi.
“Jam kjo që jam, sepse vij nga ky vend”
Kajtazi po ecën me hapa të sigurt. Ajo është e para këngëtare nga Kosova që interpreton në skenën madhështore të Operës Shtetërore të Vjenës.
“Gjithmonë kur dëgjohet emri i Kosovës unë kudo që shkoj potencoj me patjetër që vij nga Kosova, jam shqiptare nga Kosova, dhe më bën të ndihem shumë krenare kjo gjë. Sidomos në një vend të tillë kur përmendet që edhe nga andej vijnë këngëtarë që dinë të performojnë në Operën e Vjenës, ose në Hamburg apo Berlin, Gjenevë ose Zürich e gjithandej. Është ndjenjë e mrekullueshme, sepse ky ka qenë gjithmonë edhe qëllimi im”, thotë Kajtazi.
Karriera e saj është pasioni i saj, dashuria më e madhe për të, ndërsa prezantimi i shtetit, vlerë shumë e madhe.
“Vendi prej nga vijmë nuk duhet mohuar, sepse na e ka formuar identitetin që kemi sot, karakterin që e kemi sot. Unë jam kjo që jam sepse vij nga ky vend. Ndoshta i shpreh ato emocione dhe skenë dhe performoj në atë mënyrë, pikërisht për arsye se vij nga ky vend, sepse kam përjetuar gjëra nga ky vend dhe asnjëherë nuk duhet mohuar dhe gjithmonë duket të thuhet me zë shumë të lartë në fakt”, ka thënë Kajtazi.
Ndonëse është rrallë në Kosovë, vizitat në vendin e saj nuk i tejkalon asnjëherë pa i sjellë frymën e operave botërore. Ndonëse në kushte jo të denja për të e në nivele jashtëzakonisht të dobëta krahasuar me sallat në të cilat interpreton.
Imperativi për sallë opere dhe publiku në Kosovë
Në nëntor qe në Kosovë. Në ditën e pestë zhvilloi “ritualin” e saj. Interpretoi në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Salla koncertale është ajo që e shqetëson më së shumti. Duke u zhvilluar kaq shumë talente në skenën muzikore, sikurse vetë muzika klasike, kushtet mbesin të njëjta.
“Besoj se kjo është e trishtë, sepse ka artistë që janë të mrekullueshëm por që janë të ndjeshëm, dhe mund të ndikohen nga kjo situatë dhe të heqin dorë plotësisht nga ky profesion. Unë mendoj se komuniteti artistik duhet të jetë më i bashkuar në Kosovë, të jetë më i qëndrueshëm dhe duhet të ndërmerret patjetër diçka. Jam e hapur të jem me ta në çdo aspekt dhe ka ardhur koha ta bëjmë këtë, sepse këto qëndrimet politike të secilit duhet të mënjanohen dhe të punohet vërtet për artin dhe kulturën. Nëse dëshirojnë të punojnë në atë drejtim, atëherë duhet të bëhen të gjithë bashkë për një qëllim”, ka thënë ajo.
Duke ndjekur zhvillimet e skenës kulturore në vend, ka thënë se duhet të diferencohet salla koncertale me atë operistike. Se janë tema krejt të ndryshme dhe se është e pamundur që salla koncertale të jetë në teatër opere.
“Nuk duhet të jetë një skenë sepse pjesët simfonike nuk është në rregull të interpretohen në një skenë teatri. Por ta kemi të paktën sallën koncertale dhe aty mund të realizohesh gjithçka. Edhe kur të ftojnë artistë të mëdhenj nga jashtë, që ka shumë të tillë, ta kemi një vend të dinjitetshëm për t’ua ofruar dhe të kenë se kur t'i ndërrojnë kostumet të paktën. Uroj që gjitha këto deklarata të artistëve të mos hasin në vesh të shurdhër, por fatkeqësisht deri tash ashtu ka ndodhur”, ka thënë
Por, sipas saj, është entuziazmi i publikut në Kosovë që nuk dallon aspak me atë të vendeve vendet e tjera me kulturë të gjatë muzikore.
“Është një dashuri tjetër, janë shikimet e tyre, është ai kurioziteti i rritur sepse të kanë njohur qëkur ke qenë 18 vjeçe dhe natyrisht që e kanë përcjellë karrierën dhe rrugëtimin tënd. Prandaj sa herë që vij këtu ata janë shumë kurioz ta dinë se në cilën pikë kam arritur tani ose ku kam shkuar për të performuar, cilin repertor, në cilin moment të karrierës sime jam. Patjetër që është edhe ajo dashuria e madhe që e marr prej tyre dhe gjithmonë edhe pas koncertit që me secilin prej tyre duhet të përshëndetem, sepse i njoh dhe janë njerëz me të cilët jam rritur. Kjo e bënë performimin këtu jashtëzakonisht të veçantë”, thotë Kajtazi.

Prej rolit në rol drejt ëndrrave
Kalimet nga roli në rol janë të natyrshme për të. Ajo ka qenë gjithandej nëpër Evropë, në skena prestigjioze, nëpër kultura të ndryshme muzikore, duke zbërthyer literaturën me kryevepra botërore.
Në korrik ka interpretuar në Shtëpinë Operistike të Zürichut me rolin e Liut nga opera “Turandot” e Puccinit.
“Prapë Puccini, prapë vdes në fund Liu, pra është një rol që mua më ka sjellë shumë suksese. E kam performuar gjithashtu në produksionin e ri në Dresden dhe kritika e ka vlerësuar jashtëzakonisht mirë performancën dhe paraqitjen time në këtë rol, sepse kërkon një emocion shumë të veçantë. I ka tri arie dhe aria e dytë sidomos është shumë dramatike dhe e prekshme, ndërsa aria e tretë është momenti kur ajo edhe e sakrifikon vetveten për dashurinë e saj që është Calafi”, thotë Kajtazi.
Ka thënë se është rol që gjithmonë e interpreton me shumë kënaqësi sepse përshtatet shumë mirë me zërin e saj.
“Arrij t’i realizojë ‘legatot’ e gjata, pastaj edhe dramacitetin që e ka në fund dhe me shumë kënaqësi i rikthehem gjithmonë. Në Zürich ka qenë një produksion goxha modern por që këto produksione janë më të komplikuara për t’i realizuar sepse ndonjëherë në momente të caktuara të bëjnë të jesh më e ftohtë, sipas dëshirës së regjisorit, por prapëseprapë me Puccinin është vështirë të jesh dhe të performosh ftohtë, dhe në fund mbarimi ka qenë shumë i bukur”, thotë sopranoja nga Kosova që u ka dhënë shpirt shumë roleve të rëndësishme të muzikës operistike.
Ka interpretuar si Sophie në “Der Rosenkavalier” në Teatro Municipal de Santiago, në “Hansel dhe Gretel” në Essen dhe si Pamina në “Flautin Magjik” në Semperoper Dresden gjatë vitit 2014. Në verën e vitit 2016 bëri debutimin e saj në Festivalin e Salzburgut si anëtare e Projektit të Këngëtarëve të Rinj, duke kënduar me Orkestrën e Radio Münichut.
Në sezonin 2018/19, Elbenita Kajtazi bëri debutimin e saj në Operën Shtetërore të Hamburgut si Nannetta në “Falstaff” dhe si Susanna në “Le nozze di Figaro”. Në vitin 2020 bëri debutimin e saj në “Opéra National de Bordeaus” si Violetta në “La traviata”. Por ky është veç një prej rrëfimeve që ka ndërtuar sopranoja me nam në skenat ndërkombëtare.
Sivjet ajo u rikthye në Zürich edhe me operën “Le nozze di Figaro” të Mozartit ndërsa në Shtëpinë e Operës në Hamburg ku është artiste reazidente, qe pjesë e operës “Manon”, kryeveprës së Jules Massenet. Shprehet se është një nga rolet më sfiduese për të deri më tani. “Manoni, është një nga rolet më sfiduese që e kam performuar deri më tani sepse i ka gjithsej pesë akte dhe prej momentit që Manoni futet në skenë dhe deri sa të përfundojë – ku prapë vdes – ajo është gjithmonë në skenë. Është një rol sfidues sepse vokalisht duhet të jesh në gjendje të këndosh ‘koloraturat’, të jesh zë lirik, të jesh ‘soubrette’, do të thotë i përmban të gjitha që i duhen një sopranoje për ta realizuar një rol të tillë. Por, ajo që është më sfiduesja, është fakti se është në gjuhën frënge”, thotë sopranoja nga Mitrovica e cila ka mahnitur publikun me interpretimet e saj të jashtëzakonshme në rolet kryesore operistike në skenat kryesore evropiane.
Në një tjetër vit, Elbenita Kajtazin e ndjekin misione të tjera që pret t’i realizojë. Fillimisht si nënë. E në skenë premton se performanca do të jetë po aq e magjishme sa deri tani.
Elbenita Kajtazi e ka marrë me vete Kosovën në skenat botërore. Nëse duhet ikur prej këtij vendi për të arritur majat, sopranoja ka një përgjigje të prerë. “Secili duhet ta ndjekë ëndrrën e vet dhe nëse e ka ëndërr të performojnë në skena të mëdha nëpër botë, atëherë pse duhet të kufizohen”, thotë sopranoja e cila nuk ka kufij drejt skenave të mëdha.
VIDEO: