Realitetet e reja të pandemisë bashkë me adresimin e nevojave të komuniteteve të ndryshme të njerëzve të kryeqytetit do të jenë në fokusin e Bienales Evropiane Nomade “Manifesta”.
Ngjarja e njohur evropiane, që nisi në fillim të viteve 1990 dhe shëtiti në dhjetëra qytete përgjatë Evropës, edicionin e 14-të të saj do të mbajë në Prishtinë gjatë vitit të ardhshëm.
Synimet e Bienales së njohur, planet e saj dhe projektet ndërdisiplinore janë shpalosur të premten në “Kino Armata” nga organizatorë të “Manifestas”, si dhe ekipi lokal i tij në Kosovë.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka thënë se “Manifesta 14” është një prej projekteve më të rëndësishme kulturore që zë vend në rajon. Sipas tij, pritjet e Komunës janë që produktet e kësaj ngjarjeje të mbesin në Prishtinë e t’u shërbejnë brezave të ardhshëm.
“Fokusi duhet të jetë në fushën e edukimit dhe kulturës, si dhe në atë që të ketë sienergji mes tyre”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nëpërmjet një videolidhjeje, ka thënë se është i lumtur që Prishtina u përzgjodh si nikoqire e Bienales së njohur duke pasur në garë konkurrentë seriozë, si Vjena e Kievi.
“Shpresoj që këtë edicion do ta përdorim për të ndërtuar ura me të gjitha kryeqytetet e Ballkanit, si dhe me organizata e arkitektë të ndryshëm për problemet dhe sfidat e njëjta që i kemi kudo”, ka thënë ai.
Prezantimi është vijuar me një lidhje të drejtpërdrejtë me “Zoom” me drejtoreshën themeluese të “Manifestas”, Hedwig Fijen.
Ajo ka përkujtuar se si vitin e kaluar edicioni i mbajtur në Marsejë ishte nga të vetmet ngjarje kulturore të mbajtura në rrethanat e pandemisë.
Sipas drejtoreshës së Bienales evropiane të artit, Prishtina ofron një prospekt interesant për të trajtuar sfida nga e kaluara, por edhe konsekuencat e pandemisë.
“Ne do të punojmë ngushtësisht me komunitetet e qytetarëve që na orientojnë me ide të reja”, ka thënë Fijen.
Përgjegjësja për edukim dhe ndërmjetësim në “Manifesta”, Yana Klichuk ka thënë se kjo bienale në secilin qytet merr forma të ndryshme.
“Çdo edicion fillon me biseda që na mundësojnë të kuptojmë sienergjinë e aktivizmit lokal”, ka thënë Klichuk teksa ka shprehur keqardhjen që gjendja momentale e pandemisë ka pamundësuar deri më tani hulumtimet në terren.
I nënshkruar në maj të vitit 2019 midis Komunës së Prishtinës dhe Bienales Evropiane të Artit “Manifesta 14”, protokolli i bashkëpunimit parasheh që Prishtina të jetë nikoqire e këtij organizimi, për të cilin aplikojnë e garojnë shumë qytete evropiane. Kështu, kryeqyteti i Kosovës pritet të jetë kryeqendra evropiane e kulturës më 2022, ku emrat më të njohur të artit dhe të arkitekturës do të realizojnë projekte enkas për qytetin, kurse urbanistë të njohur si Renzo Piano, Rem Koolhaas, Winy Maas e të tjerë do të jenë pjesë e ekipit.
Folegjehnda: Synimet e Bienales së njohur, planet e saj dhe projektet ndërdisiplinore janë shpalosur të premten në “Kino Armata” nga organizatorë të “Manifestas”, si dhe ekipi lokal i tij në Kosovë