Kulturë

“Biblioteka Qarkulluese” – për leximin si aktivitet rekreativ

Rezultatet e nxënësve nga Kosova në testimet ndërkombëtare, PISA, kishin qenë nga më zhgënjyeset. Më 2015 dhe 2018, dy herë radhazi, vendi ynë ishte renditur kah fundi. Përfaqësues të organizatës ETEA, njohës të arsimit dhe studiues, të premten kanë folur për disa nga problemet kryesore me të cilat përballet fusha e arsimit

Prishtinë, 26 shkurt – Nxënësit e shkollave të Kosovës kishin dalë si mos më keq në testimet e PISA-s: në dy testimet e bëra me 2015 dhe 2018 për njohuritë e nxënësve, Kosova ishte renditur e treta nga fundi. Por këto rezultate të dobëta, sipas njohësve, janë edhe pasojë e problemeve më të thella që e kanë shoqëruar fushën e arsimit që nga paslufta.

Këto dhe çështje të tjera janë diskutuar të premten në panelin e mbajtur në mjediset e “Kino Armatës” me rastin e përmbylljes së punës 10-mujore të fazës së parë për projektin “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit” të organizatës ETEA.

Me këtë rast, të pranishmit kanë folur edhe për rezultatin e testit PISA, përgjegjësinë e institucioneve, por edhe mundësitë e zgjerimit të projektit “Biblioteka Qarkulluese” në të gjitha shkollat e Kosovës, ndikimin e strategjive të lexim-kuptimit në zhvillimin e mësimdhënësve, si dhe rëndësinë e leximit dhe zhvillimit kritik.

Në fjalën e tij drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka thënë se synimi i projektit është të bëhet nacional, duke u shtrirë në të gjitha komunat.

“Po e bëjmë planin e punës për zgjerimin e projektit për bibliotekën qarkulluese në të gjitha shkollat e Kosovës e më tutje edhe në nivel nacional”, ka thënë Ahmeti.

Ekspertja e arsimit nga “GIZ Kosovo”, Alberta Alihajdari, është ndalur te testi PISA, për të cilin ka thënë se është test ndërkombëtar që mat shkathtësinë e nxënësve 15-vjeçarë në fushën e shkencës, leximit dhe matematikës.

Në të dyja rastet kur Kosova i ishte nënshtruar këtij testimi, sipas saj, rezultatet nuk kishin qenë të kënaqshme.

“Në fushën e leximit nxënësit kanë pasur rezultate të dobëta, një numër i madh i detyrave kanë qenë me tekst të shumtë, andaj kur ka mungesë të lexim-kuptimit, atëherë është e vështirë të zgjidhen detyrat në matematikë apo në shkencat e tjera të natyrës. Kjo na bëri që në këtë projekt të ri të mendojmë se si t’i ngremë shkathtësitë jo vetëm të mësimdhënësve, por edhe të nxënësve”, ka thënë Alihajdari.

E pranishme në panel ishte edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, e cila ka shprehur përkushtimin e Qeverisë lokale për mbështetjen e projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit”.

Sipas saj, Komuna do ta pasurojë me tituj të rinj këtë bibliotekë, por edhe do të trajnojë mësimdhënës të shkollave të qytetit.

“Ne i kemi ofruar Ministrisë së Arsimit konceptin për zhvillimin e shkollave, por nuk ka pasur ndryshime në kurrikula dhe as nuk është ofruar trajnim profesional për mësimdhënësit”, ka thënë Shala.

Sipas drejtoreshës për Arsim në Komunën e Prishtinës, institucionet e Kosovës duhet ta kenë si prioritet shtetëror fokusimin në çështjen e leximit dhe matematikës.

Nga perspektiva e mësimdhënëses, Trëndëlina Berisha, e cila kishte qenë e përfshirë në këtë projekt, ka thënë që kjo strategji do të duhej të aplikohej edhe për nxënësit e klasave 6 dhe 9.

“Librat e Bibliotekës Qarkulluese janë atraktivë, që u përshtaten moshës dhe kohës, por edhe janë një lehtësim për prindërit që të mos blejnë libra çdo muaj”, ka thënë ajo.

I pranishëm në panel ishte edhe gazetari e studiuesi i filozofisë, Dritan Dragusha, i cili është ndalur me theks të veçantë te problemet e arsimit dhe rezultatet e dobëta në testin PISA.

Ai ka thënë se ndër problemet kryesore është edhe cilësia e Fakultetit të Edukimit, tek i cili shpesh mësyjnë studentët që nuk pranohen në fakultete të tjera.

“Në fakt, ky fakultet do të duhej të bëhej sikurse në Norvegji, ku kriteri për t’u bërë mësimdhënës është shumë i lartë. Atje më lehtë bëhesh kryeministër sesa mësimdhënës”, ka thënë Dragusha.

Tutje, ai ka shtuar se është tejet problematike që mësimdhënësit nuk po rigjenerojnë cilësi, ndërkohë që, sipas tij, “arsimi që nga paslufta nuk është parë si kategori për të mirën e përgjithshme”.

Ndryshe, projekti “Biblioteka Qarkulluese” funksionon si pjesë plotësuese e shkollave të Kosovës dhe mundëson qasje në libra të mirë për të gjithë fëmijët, pavarësisht kushteve ekonomike familjare dhe mundësive të shkollave për të pasur bibliotekë apo fond të librave të avancuar.

Komponenti i dytë e projektit në fjalë ka të bëjë me orët e leximit, me anë të të cilit synohet kultivimi i kulturës së leximit që në moshë të hershme, duke eliminuar perceptimin obligues ndaj librit dhe shndërrimin e të lexuarit në aktivitet rekreativ. Strategjitë e lexim-kuptimit, si komponenti i tretë e projektit, fokusohen në zëvendësimin e qasjes mekanike me qasje logjike të të mësuarit përmes zhvillimit të mendimit kritik.