E ndërtuar sipas modelit amerikan, nëpërmjet bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” shfaqet synimi për të mbledhur e ruajtur dokumente zyrtare e personale të ish-presidentit të parë, si dhe artefakte e materiale historike që dokumentojnë historinë e shtetformimit dhe jetën institucionale të Kosovës. E menduar si një arkiv që do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, edhe për fondin e saj, i cili do të zhvillohet përbashkësisht nga Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj vartëse, BKK, Arkivi i Shtetit dhe Muzeu Kombëtar, do të jetë i hapur për të gjithë në përpjekje për të “depozituar” brenda saj gjithçka që flet për përpjekjet e gjata të popullit shqiptar për lirinë dhe shtetin e Kosovës
Trashëgimia e letrave dhe dekreteve presidenciale në Amerikë nuk do të mbetet e mbyllur brenda zyrave. Ajo do të bëhet “pronë” e publikut me qasje të hapur për të gjithë qytetarët.
Kështu, ideja e ish-presidentit të 32-të amerikan Franklin D. Roosevelt do të merrte shprehje me hapjen e një biblioteke presidenciale. Por edhe Kosova është në hullinë për t’u bërë me të parën bibliotekë presidenciale në historinë e vet.
Rruga drejt këtij synimi është hapur me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit midis Presidencës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës për bibliotekën presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.
Në ceremoninë e vënies së nënshkrimeve, të mbajtur të hënën paradite, ku ishin të pranishëm kryetarja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, krijimi i kësaj biblioteke është vlerësuar si fryt i bashkëpunimit të ndërsjellë institucional.
Në adresimin e bërë për media, kryetarja Osmani ka falënderuar MKRS-në dhe institucionet e saj vartëse për mbështetjen dhe gatishmërinë në projektin që bazohet në modelin amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale.
Sipas saj, ky projekt ka marrë edhe mbështetjen e Departamentit amerikan të Shtetit, institucion ky që do të dërgojë edhe njërin prej eksperteve më të njohura të tij për rrumbullakimin e kësaj biblioteke.
“Kjo bibliotekë, që do të mbajë emrin e ish-presidentit Rugova, ka për qëllim të mbajë gjallë kujtesën tonë historike e shtetërore, ashtu sikurse edhe përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e pavarur e sovran”, ka thënë Osmani.
Duke iu referuar memorandumit të saponënshkruar, drejtuesja e shtetit të Kosovës ka bërë me dije se Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj vartëse zotohen se do të zhvillojnë bashkërisht fondet e kësaj biblioteke.
Sipas Osmanit, biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është treguar e gatshme për të ofruar të gjithë bibliografinë e Ibrahim Rugovës, përfshirë edhe librat që janë shkruar për të.
“Lajm i rëndësishëm është që, po ashtu, edhe familja e ish-presidentit ka pranuar që i gjithë arkivi i tij privat të jetë në dispozicion të bibliotekës”, ka thënë Osmani.
Me këtë rast, ajo ka bërë thirrje për të gjitha institucionet bibliotekare, arkivore e muzeore në vend të ofrojnë materiale, libra, revista e çfarëdo eksponati “në mënyrë që të ruhen kujtesa jonë dhe përpjekjet e një populli të tërë për liri e pavarësi”.
“Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për të treguar procesin e shtetndërtimit”, ka shtuar Osmani.
Sipas saj, me bashkëpunimin ndërinstitucional do të bëhet e mundur që për brezat e ardhshëm të lihet pas një dokumentacion e arkiv për rrugën e gjatë deri në shtetësinë e Kosovës.
Tutje, kryetarja Osmani ka bërë me dije se fillimisht biblioteka e re do të jetë e vendosur në një nga sallat e mëdha të Presidencës.
“Teksa presim mbështetjen e ekspertëve amerikanë, për momentin i gjithë fokusi është në mbledhjen e fondeve bibliotekare e arkivore”, ka theksuar ajo, për të shtuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës do të punohet për gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm.
“Kjo bibliotekë do të jetë një vend ku brezat e ardhshëm do të mësojnë për përpjekjet e gjata të qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar ajo.
Ndërkaq ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shprehur kënaqësinë që është pjesë e një nisme të jashtëzakonshme.
“Kosovës po i shtohet edhe një institucion i ri i dijes, shkencës dhe studimit”, ka thënë ai, teksa ka shtuar që me këtë bibliotekë po nderohet jo vetëm figura e ish-presidentit Rugova, por edhe shteti dhe kombi.
Sipas ministrit, ky hap do të duhej të zgjerohej edhe përtej institucioneve për t’u bërë një nismë e përbashkët e gjithëkombëtare për përgatitjen e një fondi të pasur e përfaqësues.
“Ne si MKRS, bashkë me institucionet tona vartëse, do të jemi në dispozicion për gjithçka dhe do ta marrin me shumë seriozitet këtë detyrë të rëndësishme e fisnike”, ka shtuar ministri Çeku.
Ndryshe, ideja për krijimin e së parës bibliotekë presidenciale në Kosovë ishte hedhur në fund të muajit të kaluar.
Me rastin e shënimit të edicionit të 18-të të “Javës së Bibliotekës”, kryetarja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kishte dhënë kumtin për themelimin e bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.
Ajo kishte paralajmëruar se Kosova do të mirëpriste disa sesione të përbashkëta me Susan Donius, ish-drejtoreshë e të gjitha Bibliotekave Presidenciale në SHBA, e që Departamenti amerikan i Shtetit e ka caktuar si eksperte që do të ndihmojë në ngritjen profesionale të kësaj biblioteke.
“Misioni i kësaj biblioteke do të jetë t’ia ofrojë çdo qytetari mundësinë e qasjes në këtë arkiv, duke mbështetur kështu hulumtimin dhe kuptimin më të mirë të historisë sonë kombëtare, vuajtjet, sakrificat e sfidat nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë e shteti ynë. Kjo bibliotekë do të jetë vend që promovon vlerat e demokracisë dhe të shtetit të Kosovës, që edukon dhe frymëzon gjeneratat e ardhshme”, kishte thënë asokohe kryetarja Osmani.