E zhvendosur mu në qendër, në Sheshin e Lidhjes, Biblioteka e Prizrenit është edhe më afër lexuesit dhe drejtuesit e saj sikurse edhe autoritetet komunale janë zotuar se do të vazhdojnë të jetë në shërbim të publikut. Biblioteka ka shënuar 78-vjetorin duke numëruar sukseset e arritjet në hapësirat e reja ku është zhvendosur. Janë realizuar mbi 320 aktivitete të ndryshme
Biblioteka e Prizrenit ka shënuar 78-vjetorin e themelimit dhe drejtuesit e këtij institucioni kanë vlerësuar se me gjithë sfidat, si dhe bartjes në hapësira të reja, edhe viti i fundit i veprimtarisë është përshkuar me suksese. Janë realizuar mbi 320 aktivitete të ndryshme. Të enjten, në kuadër të kremtes dedikuar ditës së kësaj biblioteke, është promovuar edhe libri tradicional i përvitshëm me titull “Pranë Lumbardhit” me poezi e prozë nga 105 autorë, të përzgjedhur nga konkursi letrar.
Berat Batiu nga Këshilli redaktues ka vlerësuar se botimi i përvitshëm nga Biblioteka Ndërkomunale është ndër gjërat më të bukura që i ka ndodhur krijimtarisë letrare të qytetit të vjetër gjatë dy dekadave të fundit. Sipas tij, Biblioteka edhe sivjet ka shpallur konkursin letrar në prozë dhe poezi, që ka mundësuar që shumë punime të përmblidhen në këtë titull. Madje ka shtuar se në saje të këtij konkursi në vazhdimësi gjatë 20 vjetëve të fundit janë nxitur krijuesit letrarë nga trevat shqiptare për të shkruar poezi apo prozë.
“Në prozat, poezitë dhe esetë e librit me titull ‘Pranë Lumbardhit’ secili nga autorët e ka dhënë një ide, një gjendje, një emocion, një këshillë të mirë, për të përmirësuar këndvështrimin për jetën. Secili nga autorët ka dhënë gjendjen e vet emocionale dhe secili nga autorët ka shfaqur në mënyrën e vet stilin e tij letrar”, ka thënë Batiu.
Sipas tij, autorë të rryer e të rinj në këtë përmbledhje kanë shkruar për dashurinë, aktualitetin, natyrën, historinë, datat e veçanta kombëtare, personalitetet historike, luftën e fundit në Kosovë, lirinë, por edhe për poetët, për vendet e veçanta të atdheut, si dhe për gëzimet e hidhërimet e jetës në përgjithësi.
Drejtoresha e Bibliotekës së Prizrenit, Sahadete Sadikaj-Kukaj, ka thënë se krahas konkursit letrar ky institucion ka realizuar edhe mbi 300 aktivitete të tjera, pavarësisht sfidës së bartjes në hapësirat e reja, gjë që është mundësuar falë mbështetjes nga Komuna e Prizrenit. Me këtë rast ajo ka ftuar grupmoshat e ndryshme që të marrin pjesë në aktivitetet e kësaj biblioteke, tashmë të vendosur në Sheshin e Lidhjes.
“Jemi në qendër të Prizrenit, kështu që ju mirëpresim të gjithëve. Do t’ju kisha ftuar të gjithë juve që çdoherë të jeni pjesë e Bibliotekës sonë, pasi që kjo është shtëpia e juaj e dytë. Aty ku rri libri, aty janë mendjet e ndritura, aty mund të gjeni vend të gjithë ju”, ka thënë Sadikaj-Kukaj
Sipas saj, pjesa më e madhe e aktiviteteve janë realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së, duke marrë parasysh faktin se Këndi Amerikan funksionon në këtë bibliotekë.
“Kemi arritur që të realizojmë më shumë se 320 aktivitete të ndryshme si bibliotekë. Në këtë rast do të falënderoj Ambasadën Amerikane që nga ky numër i aktiviteteve diku 270 sosh janë realizuar në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, të cilën e kemi një mbështetëse të rregullt, një përkrahëse të punës sonë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, ka shprehur qëndrimin se 78-vjetori i bibliotekës e gjen atë në një ambient më të mirë se që ka qenë më parë, dhe njëherësh është shprehur krenar që edhe në këtë vit janë realizuar numër i madh aktivitetesh në këtë institucion.
“Ne si Drejtori mbesim të përkushtuar që biblioteka e qytetit dhe Këndi Amerikan ta kenë një fokus të veçantë ngaqë ky vend është vend ku njerëzit vijnë, marrin, furnizohen me libra dhe njohuri të reja, po ashtu ka edhe vend për të studiuar”, ka thënë Morina.
Për nder të shënimit të ditës së bibliotekës në Prizren janë shpërndarë edhe mirënjohjet për fituesit e konkursit letrar, ku çmimi “Abdullah Thaçi” i është dorëzuar krijueses, Fatime Kalimashi. Me mirënjohje për kontribut dhe bashkëpunim me Bibliotekën janë nderuar edhe personalitete të tjera.
Autoritetet komunale të Prizrenit dhe përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës javën e shkuar patën përuruar hapësirat e reja të Këndit Amerikan në Prizren dhe të Bibliotekës së Qytetit, me synimin për zgjerimin e aktiviteteve, por edhe shkëmbimin më të afërt kulturor mes qytetarëve të dy shteteve. Pas fillimit të punimeve rinovuese në Shtëpinë e Kulturës, Biblioteka e Qytetit bashkë me Këndin Amerikan janë bartur në lokacion të ri te Sheshi i Lidhjes, që, sipas autoriteteve komunale, është më i përshtatshëm dhe më i qasshëm, përderisa diplomatët amerikanë edhe një herë kanë rikonfirmuar praninë e mëtutjeshme në Prizren.
Biblioteka Ndërkomunale në Prizren është themeluar në dhjetor të vitit 1944 dhe nga studiuesit njihet si institucioni i parë publik bibliotekar në Kosovë. Në të prej vitit 2006 funksionon edhe Këndi Amerikan.