Kulturë

Besnik Grajçevci, 21 vjet në skenë me “Xhamadanin e Isa Boletinit”

Këto përgatitje i bën një valltar i ansamblit “Shota” para se të ngjitet në skenë.

Në kohë pandemie, kur shfaqjet janë të rralla, Besnik Grajçevci po bëhet gati për ta ndarë një rrëfim të veçantë.

Qe 21 vjet ai e vesh në skenë xhamadanin, që është pjesë e aseteve të “Shotës” qysh prej themelimit para 70 vjetësh. Me krenari të madhe ai rrëfen se çfarë e bën të veçantë jelekun e njohur me emërtime të ndryshme, mes së cilave edhe “xhamadani i Isa Boletinit”.

“Është një rrugë bukur e gjatë. Është e shkurtër nëse themi 1999-2021 por nëse i analizojmë hapat që i kemi bërë, bashkë me jelekun që e kam në kraharorin tim, është rrugë e gjatë. Prej kur e kam filluar karrierën në ansamblin ‘Shota’ që nga paslufta më ka përcjellë ky jelek dhe është skalitur në djersën time”, ka thënë ai.

“E kam mbajtur veshin në thuajse të gjitha skenat e botës dhe Kosovës ku unë kam interpretuar, e që e kam përfaqësuar traditën e kulturën tonë. E vesh në shumicën e valleve”, ka thënë ai.

Grajçevci shpjegon se në cilat zona është përdorur jeleku.

“Në popull, ky jelek emërtohet me disa emra. Në popull njihet si xhamadani apo jeleku i Isa Boletinit, për arsye se në çdo fotografi historike ku paraqitet portreti i tij, thuajse e ka jelekun identik si ky që unë e kam. Pastaj thuhet edhe jelek i Drenicës – jo që është veshur vetëm aty por edhe në Rugovë e treva tjera”, ka shpjeguar ai.

Grajçevci është pjesë e ansamblit “Shota” që nga gushti i vitit 1999. Dy dekada në skenë, thotë se, i kanë dhënë kuptim gjithë jetës së tij.

“Karrierën time e kam filluar para luftës me shoqërinë amatore ‘Bajram Curri’ që funksionon edhe sot në Komunën e Prishtinës. Aty kam filluar hapat si valltar amator pa e ditur se do të bëhem valltar profesionist e që do t’i arrij sukseset që i kam sot”, ka thënë ai.

Rolet që ka interpretuar në skenë janë të shumta, por Besniku i ka më për zemër ato epike. Ai thotë se në çdo rol përpiqet të reflektojë traditën shqiptare.

“Roli ynë, përgjegjësia jonë është që të paraqesim letërnjoftimin e një shqiptar. Pra çdo rol që ka të bëjë me vlerat shqiptare më ka bërë të ndihem mirë, sepse e kam paraqitur vetveten. Pra, rolet që i luaj me më së shumti shpirt janë ato epike, tipik shqiptar, të valleve me karakter luftarak por edhe pjesa lirike nuk anashkalohet”, ka thënë ai.

Pandemia e ka ndryshuar goxha shumë rutinën e valltarit. Besnik Grajçevci po i kalon ditët larg skenës, por i gatshëm ta vazhdojë rrugëtimin, bashkë me jelekun që ia shton mbi supe krenarinë.