Është pothuajse i pashmangshëm emri i sopranos Besa Llugiqi kur në alamet skenash në Bullgari interpretohen vepra me peshë. Njësoj ka qenë edhe me “Requiemin” e Mozartit në sallën prestigjioze “Bullgaria” në Sofje në koncertin me Korin Kombëtar të Filarmonisë dhe Orkestrës Filarmonike të Sofjes. “Ka qenë një ndjenjë e rrallë e interpretimit të kësaj vepre. Salla ka qenë plot dhe publiku ka qenë tejet entuziast”, ka thënë Llugiqi për KOHËN. Ka folur edhe për një agjendë të ngjeshur që e pret. Njëri prej stacioneve të radhës – Tajlanda
Paraqitjet e Besa Llugiqit në skenat operistike të Bullgarisë janë bërë të rëndomta. Shkëlqimi po ashtu. Emri i saj lidhet me rolet e disa prej veprave më të njohura të botës operistike. Ndër të tjera, ajo ka ditur që shpesh atje t’i çojë edhe tingujt e melodinë e këngës shqiptare. Të enjten mbrëma, salla “Bullgaria” në Sofje ka shpërthyer nën tingujt e “Requiemit” të Mozart me soprano Besa Llugiqin, mezosopranon Violetta Radomirska, tenorin Emil Pavlov dhe basin Strahinja Gjokiq. Në njërën prej sallave më prestigjioze të kryeqytetit bullgar interpretimit të veprës së Mozartit i parapriu “Koncerti për violinë” të Ludwig van Beethovenit me solist violinisten Francesca Dego. Koncerti u zhvillua edhe me praninë e Korit Kombëtar të Filarmonisë dhe Orkestrës Filarmonike të Sofjes. Një ditë pas, Llugiqi ka përcjellë emocionet e mbrëmjes teksa ka treguar për mikpritjen e publikut. Ka folur edhe për një agjendë të ngjeshur që e pret. Njëri prej stacioneve – Tajlanda.
“Ka qenë një ndjenjë e rrallë e interpretimit të kësaj vepre. Salla ka qenë plot dhe publiku ka qenë tejet entuziast. Na kanë kthyer tri herë që të përshëndetemi për interpretimin e bërë nga Filarmonia e Sofjes së bashku me Korin e Filarmonisë dhe solistët që kemi qenë atje. Normalisht një ndjenjë e jashtëzakonshme të interpretosh në atë sallë me një formacion të tillë, me orkestër si Filarmonia e Sofjes që njihet për nivelin dhe për një bagazh të madh artistik”, ka thënë Llugiqi për KOHËN. Koncerti është dirigjuar prej Nayden Todorovit, emër i njohur edhe në Kosovë. Ka dirigjuar orkestrën edhe në inskenimin e “La Traviatas” së Verdit, opera e parë e Operës së Kosovës, e dhënë premierë në fund të vitit të kaluar. Aty, në rolin e Viloletta Valéryt, sopranoja Llugiqi ka pasur barrën kryesore.

E, “Requiemi” i Mozartit nuk është i panjohur për Llugiqin, por interpretimi i fundit ka peshë të madhe për të. Në rolin e studiueses së operës, Llugiqi ka folur edhe për bukurinë dhe vlerat e kësaj vepre kaq të njohur, të njërit prej kompozitorëve më të famshëm në botë.
“’Requiemin’ e Mozartit e kam interpretuar shpesh dhe prapë kam marrë ftesë për ta interpretuar në vende të tjera. Mund të them se është një prej veprave që jam shumë rehat në të. Përveç të tjerash rëndësia e kësaj vepre për mua është e madhe duke e menduar si kompozim, si muzikë e jashtëzakonshme edhe nga ana interpretative, por edhe mënyra se si është kompozuar. Është një vepër që Mozarti e ka shkruar në prag të vdekjes së tij dhe thuhet që është e porositur pikërisht për funeralin e tij. Ka shumë domethënie. Është madhështore, e bukur, jashtëzakonisht e ndjerë dhe nuk ka mundësi me qenë indiferent ndaj kësaj muzike. Është një përjetim i jashtëzakonshëm, nga nota e parë deri tek ajo e fundit”, është shprehur sopranoja Llugiqi, e njohur për rolet si Donna Elvira në “Don Giovanni”, Laurettan në “Gianni Schicchi”, Mimin në “La Boheme”, Lucian në “Lucia di Lammermoor”, Violettan në “La Traviata”, Liù në “Turandot” e role të tjera. Todorov, i cili ka bashkëpunuar edhe me Filharmoninë e Kosovës prej vitit 2017, është edhe drejtor i Orkestrës Filarmonike të Sofjes.

“Bashkëpunimi me Filarmoninë shkoi mjaft mirë. Është hera e tretë që unë interpretoj ‘Requemin’ e Mozartit me Filarmoninë e Sofjes. Mund të them që është përherë kënaqësi dhe privilegj me qenë në atë mes e sidomos bashkëpunimi me maestro Nayden Todorov dhe Filarmoninë e Korin që artistikisht mund të them që janë nivel botëror dhe kanë bagazh të madh artistik”, ka thënë sopranoja.
Besa Llugiqi e cila nuk i mungon as skenës së Kosovës, ka thënë se interpretimi në një sallë si “Bullgaria” në Sofje, e natyrshme, dallon shumë.
“Është ndjesi e mirë sepse gjithçka funksionon shumë lehtë. Përveç anës teknike them që ka më shumë lehtësira sepse kanë traditë, bashkëpunimi është ndryshe, ke më pak punë, meqë në Kosovë përveç interpretimit, shpesh duhet të merresh edhe me çështje teknike. Detyrat e tua në Sofje janë vetëm këndimi dhe definitivisht është privilegj. Përveç të tjerash, artistikisht kanë traditë dhe është një tjetër ndjesi”, ka thënë ajo.

Llugiqin e presin goxha punë. Muajt e ardhshëm janë të mbushur me plane e interpretime të shumta, të cila nisin nga Sofja, Shkupi e deri te Tajlanda. Sa i përket interpretimit në Kosovë, Llugiqi ka thënë se nuk ka ende diçka konkrete.
“Në maj do të jem me ‘Requiemin’ e Verdit me Operën e Shkupit. Në qershor do të jem në Tajlandë me Orkestrën Mbretërore të Tajlandës, në korrik do të jem përsëri me Filarmoninë e Sofjes në një gala-koncert atje, pastaj do të debutoj në dy role të reja që do të jenë nga nëntori. Jam vazhdimisht në përgatitje dhe besoj që gjithçka do të shkojë mirë”, ka përfunduar Llugiqi.
Besa Llugiqi është një ndër sopranot më të suksesshme nga Kosova. Në vitin 2009 ajo mori çmimin e parë në garat ndërkombëtare “Jorgjia Truja” në Shqipëri. Po atë vit ishte finaliste e festivalit të vokalit operistik, “Marie Kraja” dhe prej aty u ftua të jetë pjesë e akademisë milaneze “La Scala”. Në vitin 2013 u shpall fituese e Çmimit të madh në konkursin ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari. Në dekadën e fundit, s’ka të ndalur.
