Filmi i ri artistik i Richard Linklater për kompozitorin e famshëm të Broadwayit, një dokumentar për të rinjtë në Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe një homazh për filmat me spiunë të viteve 1960, janë në mesin e filmave në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Berlin – “Berlinale”.
“Ky është një festival i madh me aktorë të listës A në një treg të suksesshëm”, ka thënë drejtoresha e re e festivalit, Tricia Tuttle, duke kujtuar se në edicionin e 75-të vijnë kineastë nga më shumë se 150 vende të botës.
Për çmimin kryesor, “Ariu i Artë” konkurrojnë 19 filma dhe disa prej tyre janë drejtuar nga regjisorë që po kthehen në kryeqytetin gjerman këtë vit. Midis tyre janë rumuni Radu Jude me komedinë e re të zezë “Kontinental ‘25” dhe regjisori jugkorean Hong Sang-soo me komedinë familjare “What Does that Nature Say to You”. Linklater, regjisori amerikan i njohur për filmin “Before Sunrise”, rikthehet në festival pas më shumë se një dekade me filmin “Blue Moon”. Është historia e kompozitorit të Broadwayt, Lorenzo Hart. Linklater ka bërë bashkë në film yjet si Ethan Hawke, Margaret Qualley dhe Andrewa Scott.
Festivali i Filmit në Berlin, i cili këtë vit mbahet prej 13 deri më 23 shkurt, konsiderohet njëri prej festivaleve më të politizuara duke lënë prapa në këtë aspekt Festivalin e Cannes, të Venecias, Torontos e madje edhe atë të Sundance.
“Nuk po i ikim këtij titulli. Është pa mëdyshje në ADN-në e vetë qytetit, por është gjithashtu pjesë e vetë festivalit”, u ka thënë Tuttle gazetarëve.
Festivali përfundon në ditën e zgjedhjeve nacionale në Gjermani, megjithëse Tuttle ka thënë se nuk planifikon ta shënojë ngjarjen në ndonjë mënyrë të veçantë, përveçse të ftojë njerëzit të votojnë.
Jashtë konkurrencës do të shfaqet filmi fantastiko-shkencor “Mickey 17”, i regjisorit fitues të çmimit “Oscar”, Bong Joon-ho dhe me protagonist Robert Pattison. Do të jetë premiera gjermane e filmit dhe në të njëjtën kategori do të shfaqet për herë të parë edhe “A Complete Unknown”, një film biografik për Bob Dylanin, në regji të James Mangold dhe protagonist Timothee Chalamet. Kryetar i jurisë ndërkombëtare që do të ndajë çmimin kryesor të këtij viti është regjisori amerikan Todd Haynes dhe festivali do të hapet me një film të ri të Tom Tykwer të titulluar “The Light”.
Para gati dy javësh u bë e ditur se në “Berlinale” do të përfaqësohet edhe Kosova, por jashtë garës.
“Mua besoj më shpëtoi portreti”, me skenar dhe regji të Alban Mujës do të ketë premierën botërore në kuadër të programit “Forum Expanded” të “Berlinales”. Filmi nuk është thjesht një deklaratë por rrëfen histori. Piktori Skënder Muja, i ati i Alban Mujës, do të ndalohej nga policia serbe. Do të detyrohej ta realizonte portretin e komandantit që ishte përgjegjës për një burg të improvizuar.
“Si autor i filmit, është shumë e rëndësishme për mua që të kthehem në Berlinale pas 15 vjetësh, por ajo që është më e rëndësishme është të ndaj këtë histori tonën me një publik të gjerë të festivalit, pasi ‘Berlinale’ është një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore. Filmi është në seksionin ‘Forum Expanded’, një seksion që më pëlqen shumë, pasi sjell para publikut kinemanë e re dhe art-filmat”, kishte thënë artisti e regjisori Muja.
Lexo edhe: