Një zë i veçantë ishte ai i artistes Shahindere Bërlajolli – Stafajt. I tillë është edhe vendi që zë në historinë e muzikës shqipe. “Unë këndoj më popullorçe”, ishte mësuar që të thoshte ajo kur tregonte për karrierën e saj e zhanrin e muzikës. Ishte në mesin e kultivueseve të melosit shqiptar, ku hyri rastësisht, por i qëndroi besnike për më shumë se pesë dekada. Gjithçka nisi në vendlindjen e saj në Pejë, për të vazhduar në Prishtinë e Gostivar. Këngëtarja, zëri i së cilës u veçua kudo që ajo interpretoi, vdiq të dielën në Gostivar në moshën 74-vjeçare.
E lindur me 7 gusht 1946 në Pejë, pozitivitetin shpeshherë kishte thënë se e kishte marrë pikërisht nga vendlindja. Ishte burim i një fëmijërie të lumtur, pasi që edhe pse i kishte munguar i ati, krah të fortë e kishte pasur çdoherë nënën. E më vonë për ta përkrahur në rrugën e muzikës edhe vëllanë. Këngës ia kishte thënë shumë e re, në moshën 13-vjeçare në vitin 1959. Debutoi në festivalin e asaj kohe "Mikrofoni është juaji", ngjarje që mbahej në Pejë, e ku kishte emra të njohur të asaj kohë si Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli e Ismet Peja. Bërlajolli – Stafaj, aty ishte paraqitur me mikën e saj Xhejlane Broqi. Ani pse ishte paraqitja e saj e parë, kishte zënën vendin e parë dhe kishte marrë ftesë që të bëhej këngëtare e Radio Prishtinës. Pasi që ishte e re në moshë, kishte pritur deri në vitin 1963, dhe atë vit u bë anëtarja më e re e saj. Aty nis edhe karriera e saj.
“Një zë pa hekurosje”
Këngët e dashurisë ishin ato që e bënë të njohur. “Akordet e Kosovës” ishin caku i saj kur karriera e saj filloi që të lulëzonte. Për këngët e saj kishte bashkëpunuar me kompozitorë të njohur si Isak Muqolli, Fahri Beqiri, Musa Piperku, Isa Jakupi, Gazmend Zajmi e të tjerë. Për zemër i pati kompozimet e burrit të saj Enver Stafaj nga Gostivari. Me këngët e kompozuara nga ai, triumfoi pesë vjet radhazi në festivalin e vetëm të asaj kohë “Akordet e Kosovës”. Çifti bashkëshortor la gjurmë të pashlyera në botën artistike muzikore kombëtare, ku veçohet edhe bashkëpunimi i tyre për këngën “Një lule në Gostivar”. Kompozimet e fundit të Stafajt i kishte interpretuar pikërisht bashkëshortja e tij, e cila pasi që ishte bërë nënë, në vitet e 80-a kishte lënë këngën e i ishte dedikuar familjes. Por, këngët e saj vazhduan që të dëgjohen.: "Në zabel të erdha", "Miriban", "Kush ma i pari bani", "Baresha e dashnume", "Lules", "Hajde dalim moj goce", "O bylbyl me pika-pika" janë disa prej këngëve që ka kënduar këngëtarja. Veçohen “Bishtalecat palëpalë” e “Gajdexhiu”, dy këngë që bënë goxha bujë. “Gajdexhiu” u këndua nga shumë këngëtarë. Sipas kompozitorit Fahri Beqiri, në kohën kur Bërlajolli-Staja ka kënduar, për gratë dalja në skenën muzikore ishte një rrugë e pashtruar. Ka numëruar katër gra që vinin nga qyteti perëndimor i Kosovës, e që kanë kënduar gjatë atyre viteve .
“Nga Peja këndonin Xhejlane Broqi, Shahinderja, Sebahate Berlajolli dhe Gonxhe Gashi. Ka qenë e rrallë që një qytet të ketë katër këngëtare”, ka thënë Beqiri, i cili për këngëtaren fillimisht kishte kompozuar këngën “Ditëlindja jote” në vitin 1969 e kishte vazhduar edhe me bashkëpunime të tjera.
Sipas tij, Shahindere Bërlajolli – Stafaj ka kënduar pa pikë hekurosje të zërit. “Ashtu siç ia ka dhënë Zoti zërin, ashtu edhe e ka interpretuar këngën. Për dallim prej saj, vajza e axhës së saj, Sebahatja, kishte një zë më lirik. Por, që të dyja të një gjaku e të një vendlindjeje e kanë dhënë kontribut në muzikë”, ka thënë ai. Ka shprehur ngushëllime për familje, për të cilët ka treguar se i ka edhe miq dhe të njëjtëve u ka shprehur ngushëllim.
“Dua të ngushëlloj fillimisht Pejën vendlindjen e saj, pastaj Gostivarin nga ishte burri i saj, emër i njohur i këtij profesioni, por edhe familjen. Shpresoj që nuk do të harrohet kontributi i saj, por as i familjes së saj”, ka thënë ai. Shahindere Bërlajolli – Stafaj ka tre fëmijë, Albanin, dhe binjakët Arditin dhe Astritin që edhe sot e kësaj dite, e vazhdojnë rrugëtimin e prindërve në muzikë.
Këngëtare e vlerave autoktone
Repertori i Shahindere Bërlajollit numëron interpretimin e mbi 200 këngëve, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë. Disa këngë i kishte lënë me qëllim pa i incizuar. “Unë moj ty të kam dasht” e “Po të bëjë bë pash perëndinë” ishin dy prej tyre. Këngëtarja i kishte shumë për zemër, i këndonte kudo që shkonte e ishin ndër të parat që ua këndonte edhe miqve. Ajo mendonte se disa këngë nuk duhen incizuar. Kështu besonte se do të ruhej veçantia e tyre. E të tilla i konsideronte edhe dy këngët e lartpërmendura.