Kulturë

Bendi arbëresh gati me albumin ku këndohet në “gluhën tonë”

Tetë këngë dhe një cover tashmë e kanë rrumbullakuar punën disavjeçare të bendit arbëresh “Shega”. Të kënduara në “gluhën tonë” – të folmet dialektore të shqipes në Kalabri dhe Sicili – udhëtim brenda botës njerëzore e përshkuar nëpërmjet “idealizmit, deluzionimit, ëndërrorës dhe biografikës, nostalgjisë për rrënjët dhe kulturës së jetuar me sy të ri”. Sipas vokalistit të bendit, Giorgio Fusco, emocion dhe lumturi është gjendja e tyre pak para lajmit të madh. “Një gëzim, një krenari, një ëndërr që realizohet”, ka thënë Fusco

Drithërimat e zemrës plot emocion janë më të prekshme se kurrë. Bendi arbëresh “Shega” të premten do të sjellë të parin album në arbërisht.

Nëntë këngë janë dhurata e pesëshes arbëreshe – Giorgio Fusco, Saverio Guzzetta, Rosa Alongi, Giorgio Ciulla dhe Alessandro Ferrantelli – që tashmë ka krijuar imazhin e vet si interpretues të zhanrit indie-folk.

Në fakt, albumit i ka paraprirë publikimi i këngës së fundit “Niko”, një lirikë që sjell imazhe që paraqesin Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) të djegur shkrumb e hi. Siç e përshkruan vetë grupi në faqen e vet zyrtare në Facebook, “Niko” është një këngë mbi hakërrimin dhe përpjekjen.

“O Niko, gjegjëm këtu se jam e vdes/ se gjithë e shtien gurin ma mosnjeri i ftes/ e mbajën një armë te armuai o te një gajofë/ pranë venë te klisha e gjithë ‘ashtu kloftë’”, janë vargjet e para të këngës në të folmet arbëreshe.

Ndërkohë, anëtarët e grupit janë të ngazëllyer që për pak ditë do të publikojnë dhe shpërndajnë albumin e parë.

“Një gëzim, një krenari, një ëndërr që realizohet”, ka thënë për KOHËN Giorgio Fusco, vokalist i bendit.

Ky album – në të cilin do të jenë të përfshira tetë këngë dhe një “cover”, që quhen “Niko”, “Jarruri Hera”, “Arianna”, “Kalivar”, “Zëmbra Jime”, “Qifti”, “Botë e Paqe”, “Drita dhe Lumturi” – është përshkruar si një udhëtim brenda botës njerëzore e përshkuar nëpërmjet “idealizmit, deluzionimit, ëndërrorës dhe biografikës, nostalgjisë për rrënjët dhe kulturës së jetuar me sy të rinj”.

Me një komunikim të vazhdueshëm me adhuruesit e tyre të shumtë kudo në botën shqiptare, “Shega” i cilëson këngët e saj të lindura krejt spontanisht e në një gjuhë të panjohur që, sipas tyre, i bën burimore.

“Mrekullia e kësaj gjuhe nuk na braktis: është e vërtetë, plurale, misterioze. Është ‘gluha jonë’”, thuhet në një nga afishimet e këtij grupi në faqen e tyre në Facebook.

Pas publikimit të albumit, në fund të gushtit pesëshja arbëreshe do të mësyjë në një “tour” në Shqipëri dhe Kosovë.

“Për ne është një nder e një mrekulli ta prezantojmë punën tonë në atdhe”, ka bërë të ditur Fusco.

Bendi nga Piana degli Albanesi, që pushtoi zemrat e shqiptarëve fillimisht si “The DAGGS”, në janar të këtij viti ndryshoi emrin në “Shega”.

Sipas shpjegimit të dhënë në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ata u përcaktuan për emrin e ri “për shkak të shumësisë së kokrrave, njëjtësisë së frutës dhe ndjesisë së komunitetit që mbart. Dhe për mijëra ngjyra të tjera”.

Në gusht të vitit 2017, “Drita” u bë singli i parë i grupit që u prodhua nga Fabio Rizzo në “Indigo Studios” në Palermo.

Me arbërishten – shqipen e kohës së Skënderbeut që u rrënjos në hapësirat e Kalabrisë dhe Sicilisë – ata i sinkretizuan identitetin dhe muzikën, duke i bërë – siç thonë në “letërnjoftimin” e grupit në mediat sociale – “të dialogojnë tokat e largëta, prejardhjen tonë dhe të ardhmen”.

Me bashkimin në bend të violinistes nga Realmonte, Rosa Alongi, grupi do të vazhdonte të krijonte gjallërisht e me elan në stilin indie-folk.

“Është folk, por ka ndikime edhe nga pop e blues. Mendoj se muzika jonë ka shumë ngjyra, është e hapur”, kishte thënë Fusco në një rrëfim për KOHËN, në prill të vitit të kaluar.

Ndërkohë, singli i parë i albumit u bë kënga “Lumturi”, që u publikua në maj të vitit të kaluar. Ajo sillte jehonën e vargjeve të poetit jetëndërruar arbëresh Pasquale Renda, duke u ndërthurur me mjeshtërinë interpretuese të bendit.

Kurse sivjet, në shkurt, me emrin e ri “Shega”, bendi publikoi këngën “Arianna”, që erdhi si frymëzim nga mitologjia e vjetër greke me dashurinë e kretases Ariadna për Tezeun.

Gjashtë vjet “rrugëtim pozitiv”, sikundër thonë vetë anëtarët, bënë që të jetonin përvoja nga më të paharrueshmet. Pjesëmarrja në vitin 2015 në “SUNS Europe” (Festivali Evropian i Këngës në Gjuhë të Pakicave), që u mbajt në Cagliari, do të bëhej si një lloj “pagëzimi” për grupin. Një fitore në festivalin “Opp Festival” në qytetin sicilian të Favaras do të pasohej me paraqitje në televizione italiane (Rai) e shqiptare (Top Channel, TvKlan, TVSH).