Aktiviteti i Ukshin Hotit prej shkrimtari, filozofi, intelektuali, e veçmas atdhetar i çështjes kombëtare, në publik përmblidhet në një fjalë të vetme – veprimtar. Ashtu ngjan edhe në shfaqjen që është produksion i teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë. Aty personazhet nuk prezantohen, janë figura të shquara që historia i njeh. Por edhe po të mos njiheshin, mozaiku i rrëfimit të shfaqjes i ndërtuar me rrëfime autentike i zbulon duke trajtuar veprën e tyre. Në shfaqjen “Bëje ose vdis” fati i intelektualit vjen si homazh për të zhdukurit
Në shfaqjen “Bëje ose vdis” me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt, figura e Ukshin Hotit vjen si simbol i fatit tragjik i të burgosurve politikë shqiptarë. Aty vuajtjet vetëcensurohen e idealet shprehen përkundër pasojave. Protagonisti në qendër është emblemë e kujtimit të të zhdukurve. Skenat e shfaqjes dokumentare janë sekuenca të bazuara në fakte. Ajo vë në skenë figurën që reprezenton rezistencën e popullit ndaj regjimit serb.
Aktiviteti i Ukshin Hotit prej shkrimtari, filozofi, intelektuali, e veçmas atdhetar i çështjes kombëtar, në publik përmblidhet në një fjalë të vetme – veprimtar. Ashtu ngjan edhe në shfaqjen që është produksion i teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë. Aty personazhet nuk prezantohen, janë figura të shquara që historia i njeh. Por edhe po të mos njiheshin, mozaiku i rrëfimit të shfaqjes i ndërtuar me rrëfime autentike i zbulon duke trajtuar veprën e tyre.
Lirim i parakohshëm
Aktorët që luajnë dëshmitarët, intervista brenda shfaqjes e “rikrijimi” i momenteve në burg, e ndërtojnë rrëfimin qendror. Por në njërën anë emrat e personave të zhdukur që lexohen gati krejt kohën e shpalosjes së rrëfimit janë “meloditë” e trishta të shfaqjes.
Publikun e pret në skenë aktori Jahja Shehu duke ua kumtuar këta emra. Më pas vëmendja ndahet në dysh. Derisa vijon tregimi që, në një formë, e përmbledh atë që do të trajtohet, përmendet vendimi për lirimin para kohe nga burgu për Ukshin Hotin, e lajmi i gëzueshëm për vendimin për bombardime nga NATO-ja. Ky moment ngrihet. Nisin dyshimet nga të burgosurit. Heshtja e tyre është momenti kur merr hov jehona e emrave të të zhdukurve.
Fillimisht kjo vendosje regjisoriale ngjan se e shpërqendron rrëfimin qendror, por shpejt publiku mësohet me të. Zëri ngrihet me raste. Si pasqyrë e hijes së të zhdukurve në shoqëri që vëmendja u jepet në përvjetorë.
Rrëfimet e të zhdukurve ngjallen. Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi pasi fillimisht paraqitet në skenë si e burgosur, merr edhe rolin e gjyqtares serbe. I shqipton dënimet varg që të gjitha lidhen me ato që vlerësohen “veprimtari armiqësore”. Ashtu ishte përkthyer veprimtaria e Ukshin Hotit drejt idealeve të tij – për bashkim kombëtar. Gardiania e burgut, rol që e luan aktorja Altina Kusari, duke u mbështetur në kërkesën që Hotin ta lironte burgu një ditë para se të përfundonte dënimin, e inkurajon me ngulm ta bëjë këtë. E “josh” me peizazhin e fshatit të tij, Krushës së Madhe.
Duke rezistuar ndaj kësaj kërkese, nisin të shfaqen disa rreziqe të jetës së tij gjatë qëndrimit për edhe një ditë tjetër aty. Aktori Ernest Malazogu si ish-i burgosuri politik Bajrush Xhemajli që ndante një dhomë me Ukshin Hotin, i rikrijon ato skena, bashkë me aktoren Albulena Kryeziu-Bokshi, drejtoreshë e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë.
Ata transferohen vazhdimisht. Nga kjo, e lajmet e kobshme që vijnë vazhdimisht, ata shfaqen të lodhur fizikisht e mendërisht. Por assesi nuk shfaqet direkt, publiku thjesht e kupton nëpërmjet lojës së aktorëve. Rezistenca e tyre është mbi mërzinë, por kur ajo kulmon dallohet paksa. Ajo vjen në vetvete, nga historitë e prekshme. Nuk vishet me efekte, ndërsa muzika është minimaliste.
Armend Smajli, njëri prej aktorëve që e luan veprimtarin Ukshin Hoti, ka thënë se ideja e lojës së tyre ka qenë që të mos lëshohen në emocione dhe se tema e fjalët e ish-të burgosurve janë më të rëndësishme se performanca e tyre skenike.
“Tërësia e saj mund të krijojë një emocion të veçantë, por nuk ka qenë ideja të krijohet diçka shumë emocionale, sesa faktike, dokumentuese, pa tendencë për viktimizimin me ato storje, në kuptimin që secili ta përkthejë si shikues, si të dojë, pa iu imponuar. Me këto tregime është lehtë ta bësh dikë të emocionohet, por nuk ka qenë kjo ideja në këtë rast”, ka thënë aktori Smajli.
Ka treguar se aktorët janë fokusuar në krijimin e një gjendjeje minimaliste dhe në ndarjen e rrëfimeve të tyre tek publiku në formë dokumentare. Ky ka qenë koncepti i shfaqjes e stili i lojës së aktorëve.
“Nuk është fokusi në personazhe të caktuara për shkak se procesi regjisorial i Blertës ka qenë një shkrirje e aktorëve në personazhe, më shumë ka qenë ideja që fragmentalizimi i dokumentuar i ngjarjeve të plasohet në një formë më të heshtur, më intime, jo pompoze do të thosh që të depërtojë tek publiku më shumë fjala dhe storjet e njerëzve pa tendenca ekstraverde të lojës së aktorëve”, ka thënë aktori Armend Smajli.
Nën interpretimin e tij projektohen zhgënjimet e një aktivisti të shquar të çështjes kombëtare ndaj pretendimeve se ai po e pengonte bashkimin kombëtar. “Populli shqiptar duhet bashkuar”- ishte fraza që e shoqëron në disa pjesë të shfaqjes. Ishte ideali i tij edhe në burgun ku duart i kishte të lidhura. Ideal që do të shuhej vetëm me vrasjen e tij.
Ndodhi më 16 maj 1999, paraditen e së dielës, ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu. Përshëndetet me të burgosurit. Del. Vijon dëshmia e njërit prej ish-të burgosurve që tregon se kishin dëgjuar gardianët duke biseduar mes vete se Ukshin Hoti qe vrarë veç treqind metra larg Burgut të Dubravës. Rrëfen se kufoma qe filmuar dhe imazhet për identifikim i ishin treguar atij. Ai konfirmon se bazuar në pamjet që kishte parë, ai ishte Ukshin Hoti.
Aty vijojnë të rrëfehen maltretimet në burg e humbja e shpresave se nuk do të kishte të ardhme për ata që ishin prapa grilave, e për të tjerët jashtë.
Veprimtari i Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999. Hoti ka qenë edhe ligjërues në disa universitete të SHBA-së, ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me 5 vjet burgim.
Sipas biografisë së tij, më 16 maj të vitit 1999, pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e Burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Prej asaj kohe e deri tash, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, Ukshin Hoti, edhe sot e kësaj dite konsiderohet i zhdukur.
Aktori Edi Kastrati, po ashtu, e luan atdhetarin e çështjes kombëtare.
“Në këtë vepër e interpretoj rolin e Ukshin Hotit, njërit prej ideatorëve të Republikës sonë që tash e gëzojmë, njeriut të pavdekshëm dhe më të madhit të cilin e njeh historia jonë, për fatin e të cilit ende nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur. E kisha edhe një pjesë të vogël të një të burgosuri tjetër, por ajo ka qenë shumë e shkurtër”, ka thënë aktori Kastrati.
E ka konsideruar shfaqjen si fragment i të bëmave të regjimit jugosllav duke thënë se rrëfimi i saj shpalos persekutimet, vuajtjet, përndjekjet e burgosjet, vetëm për shkak të kërkesave për vetëvendosje, krijim të shtetit bashkim. Ka thënë se vetë ndarja e rolit tregon për mosgatishmërinë e tyre për ta portretizuar figurën e Hotit.
“Për faktin që është ndarë roli në tre aktorë, tregon se ne nuk e kemi marrë guximin e plotë për të pasqyruar figurën e madhe të Ukshin Hotit. Kjo tregon se përgjegjësia jonë ka qenë e ndarë në disa pjesë për vetë faktin se nuk kemi pasur, jo guxim, por nuk e kemi pasur momentin ta portretizojmë me një karakter, sepse vetë zhanri i shfaqjes është shfaqje dokumentare. Është lloj homazhi për fatin e Ukshin Hotit”, ka thënë aktori Kastrati.
Historia që duhet ruajtur
Autori i shfaqjes, dramaturgu Jeton Neziraj, ka bërë të ditur se shkrimi i kësaj shfaqjeje i ka zgjatur më shumë se zakonisht. Një draft ishte shkruar shumë më herët me kërkesën e aktorit Bajrush Mjaku, i cili donte të ishte pjesë e shfaqjes. Drama është plotësuar e rishkruar duke përfshirë materiale të tjera.
“Në esencë është dramë dokumentare, bazën e ka te dokumenti. Ndoshta rreth 80 për qind e materialit është mbi këtë bazë dokumentare, qoftë shkrime të Ukshin Hotit, qoftë intervista a rrëfime të tjerëve për të. Një pjesë e mirë e rrëfimit që bartet në një pjesë të mirë të dramës është i Bajrush Xhemajlit, ish-i burgosur politik, po ashtu në Burgun e Dubravës. Por kemi marrë edhe copëza, analiza, diskutime, shkrime diskuzive në formate të ndryshme dhe nga burime të ndryshme”, ka thënë Neziraj.
Ka thënë se kjo dramë nëpërmjet fatit të Ukshin Hotit i bën homazh gjithë atij brezi të veprimtarëve.
“Është e rëndësishme që historia të ruhet, të prezervohet dhe të komunikohet me publikun, sepse nëse harrohet, ndoshta tingëllon klishe, por ka tendencë të përsëritet. Kjo është një histori që patjetër duhet ta ruajmë dhe duhet të jetë në komunikim të vazhdueshëm me brezat e rinj sepse paraqet vlerë, para së gjithash. Është ndërtuar mbi disa themele të rëndësishme për gjendjen në të cilën gjendet Kosova”, ka thënë Neziraj.
Është fakt i ditur se në Kosovë një pjesë e mirë e publikut të teatrit e përbëjnë të rinjtë. Dramaturgu Jeton Neziraj e konsideron të rëndësishme tematikën e shfaqjes “Bëje ose vdis” për brezin që mund të mos ketë shumë informata rreth kësaj historie.
“Kjo temë është vazhdimisht aktuale, veçanërisht në këto kohë kur brezi i ri ndoshta pak ka ide dhe nuk ka informata për këtë pjesë të rëndësishme të historisë sonë, jo vetëm për periudhën e viteve ’90, por thjesht edhe për atë të mëhershme ku një numër i madh i atdhetarëve, intelektualëve kanë sakrifikuar dhe kanë dhënë shumëçka për vendin për të arritur ku është sot. Është një brez i idealistëve të cilët shpesh janë anatemuar e paragjykuar, megjithatë, kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm”, ka thënë ai.
Ekspozita në hollin e objektit të teatrit ka qenë uvertura e shfaqjes. Instalacioni me emrat e të zhdukurve të shkruar në letra që qëndrojnë pezull është simbolika e shfaqjes. “Bëje ose vdis” e pati reprizën të dielën, një ditë pas premierës dhe me të Teatri i Gjakovës e mbyll programin për këtë vit.