Kulturë

BE-ja i dhuron shkollës së artit në Pejë pajisje dizajni të tekstilit, promovon riciklimin

Me financim të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, shkolla e mesme e arteve aplikative “Odhise Paskali” në Pejë ka kompletuar në objektin e ri të shkollës atelienë e drejtimit dizajn-tekstili me makina të qepjes dhe pajisje të tjera përcjellëse. Në një ceremoni rasti, në të cilën të pranishëm ishin edhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxherja e projektit “Cerec”, Arba Shehu, ka treguar se ky projekt i implementuar nga organizata joqeveritare “Let’s do it Peja” është realizuar në bashkëpunim me shkollën e mesme të arteve aplikative “Odhise Paskali” dhe Komunës së Pejës, e cila është edhe bashkëfinancuese në këtë projekt.

Shehu ka thënë se projekti ka për qëllim që të promovojë ekonominë qarkore, si një model të qëndrueshëm për zhvillimin e ndërmarrësisë sociale.

“Grupet e shënjestruara janë nxënësit e shkollës së artit të drejtimit të dizajn-tekstilit dhe komuniteti i bizneseve lokale. Njëra prej objektivave të projektit është që të themelohet një ndërmarrje sociale duke promovuar ekonominë qarkore, përmes ripërdorimit, ridestinimit dhe riciklimit të tekstilit”, ka thënë Shehu.

{gallery}

Me pajisjet e dhuruara për kabinetin e tyre, nxënësit e këtij drejtimi gjatë vitit shkollor do të mësojnë ridizajnimin e rrobave të vjetra të ricikluara. Riciklimin e rrobave e ka konsideruar të rëndësishëm në fjalën e tij, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ka thënë se sipas një studimi të një fondacioni, është konstatuar se çdo sekondë, një kamion tekstil përfundon në mbeturina.

“Dhe Samiti i Kopenhagës ka treguar se moda është përgjegjëse për miliona tonë të mbeturinave tekstili që përfundojnë në deponi. Duhet të rimendojmë veset tona për modën. Nuk mund të prodhojmë diçka që do ta dëmtojë mjedisin. Tekstili në mënyrë të veçante lirohet nga çfarëdo përpjekjeje të riciklimit dhe shumica e rrobave përfundojnë në mbeturina”, ka thënë ai. Szunyogu ka theksuar se në Evropë është një rritje e përgjithshme e vetëdijesimit për ndikimin negativ të industrisë së tekstilit në mjedis. Për këtë qëllim, siç ka thënë ai, edhe në Kosovë ka një trend të rritjes së vetëdijesimit për riciklim, por sipas tij, ka mungesë të plotë të infrastrukturës për të mbështetur çfarëdo ndarjeje apo riciklim të mbeturinave.

Image

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se sipas një studimi të një fondacioni, është konstatuar se çdo sekondë një kamion tekstil përfundon në mbeturina


“Gjatë krejt këtij projekti, BE-ja po prezanton diçka që i duhet Kosovës për të mbrojtur mjedisin nga ndotja dhe ndërkohë ta rrisë këtë përmes riciklimit dhe ndërmarrësisë shoqërore”, ka thënë ai.

Szunyog ka inkurajuar institucionet shtetërore dhe sektorin privat që të shumëfishojnë këto iniciativa, duke u shprehur i sigurt se do të ketë edhe shumë mundësi të tjera për mbështetje financiare nga BE-ja dhe individualisht nga shtetet brenda saj.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke falënderuar BE-në për këtë donacion, ka uruar që realizimi i ndërmarrjes sociale që do të rezultojë në fund të këtij projekti, të jetë i suksesshëm.