Kulturë

“Bazuar në ngjarje të vërtetë” drejt dokumentimit artistik të pandemisë

Me qëllim që të dokumentojë nëpërmjet artit periudhën e pandemisë së COVID-19, Galeria Kombëtare e Kosovës është në pritje të veprave që do të bëhen bashkë në ekspozitën “Bazuar në ngjarje të vërtetë”. “Kjo ekspozitë do të shërbejë për të ardhmen dhe për gjeneratat e reja si një platformë informuese për të kaluarën”, ka thënë kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi. Për ushtruesin e detyrës së drejtorit të GKK-së, është koha e duhur që të shpalosen krijimet e artistëve kosovarë pasi që arti i tyre nuk është ndalur as gjatë ditëve të vështira të izolimit në kohë pandemie

Kur bota u mbyll në mars të 2020-s të gjithë u desh që të ambientohen me normalitetin e ri. Disa artistë e përdorën këtë kohë për të kapur nëpërmjet artit atë që po ndodhte. Ishin ata që në një formë dokumentuan anën personale, por edhe sfidat.

E tani, Galeria Kombëtare e Kosovës është në kërkim të veprave të tyre. Në një formë ata dëshirojnë që këto momente prekëse, që shpërfaqen përmes artit që u realizuan në këta 19 muajt e fundit, të bëhet pjesë e historisë. Ka hapur thirrjen për pjesëmarrje në ekspozitën “Bazuar në ngjarje të vërtetë" që është kuruar nga Gazmend Ejupi. Prej të martës e deri më 15 tetor ka hapur thirrjen për veprat, të cilat duhet të jenë të paekspozuara më parë në GKK.

Përmes një koncepti të shkurtër kuratorial ka sqaruar se në këtë ekspozitë ftohen artistët vendorë të tregojnë përvojën e tyre gjatë pandemisë COVID-19.

“Derisa vitin e kaluar gjërat po ndryshonin me shpejtësi të madhe, të gjithë ne u përshtatëm me realitetin e ri duke u përpjekur ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë pushim të detyruar. Duke u munduar të përfitojmë nga ky pushim i detyruar, të gjithë ne mendonim për sfidat e së ardhmes, e mendimi kryesor ishte: a mund të krijojmë një komunitet më të fortë duke kaluar kohë ndaras?”, është shkruar në konceptin kuratorial të ekspozitës.

Sipas së njëjtës, kjo ekspozitë fton artistët me mediumet e tyre të përzgjedhura të paraqesin punët e tyre të krijuara gjatë kohës së pandemisë dhe si përgjigje ndaj saj.

COVID-19 qe shndërruar në muzë për shumë artisë vendorë e në botë dhe jo pak vepra të njohura lindën prej saj.

Vetë kuratori Gazmend Ejupi ka treguar se ekspozita është dedikuar për praktikat e artistëve në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë.

“Pritshmëria nga kjo ekspozitë është më shumë nga vizitorët, të cilët do të kenë qasje të së kaluarës dhe sfidat që i tejkaluan gjatë pandemisë. Koncepti i kësaj ekspozite nuk limiton mediumet e praktikave të artistëve”, ka thënë ai. Ai beson se arti është një dëshmitar i kohës, sidomos për periudhën e kohës digjitale.

“Kjo ekspozitë do të shërbejë për të ardhmen dhe për gjeneratat e reja si një platformë informuese për të kaluarën. Në katin e parë të Galerisë Kombëtare do të instalohen punimet e përzgjedhura me shumë kujdes të madh dhe besojmë që do të kemi interesim”, ka vijuar tutje Ejupi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të GKK-së, Naim Spahiu, ka treguar se ekspozita është propozim për planprogramin e vitit 2021.

“Nga disa ekspozita të trashëguara nga viti 2020 që ju kemi dhënë mundësi në vitin 2021 është futur edhe kjo ekspozitë. Është koha e duhur që të shpalosen krijimet e artistëve kosovarë pasi që arti i tyre nuk është ndalur as gjatë ditëve të vështira të izolimit në kohë pandemie”, ka thënë ai.

Ka shtuar se kur u angazhua si ushtrues detyre i drejtorit të GKK-së, kjo ekspozitë i është propozuar Këshillit Drejtues të GKK-së, në kuadër të planprogramit të ekspozitave për vitin 2021.

Artistët që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj ekspozite duhet të dërgojnë fotografi dhe konceptin e veprave që reflektojnë konceptin kuratorial, si dhe të plotësojnë formularin për aplikim që e ka vënë në dispozicion Galeria.