E kanë quajtur “binjake digjitale”. Bëhet fjalë për projektin “AI-Enhanced Experience”, të kompanisë “Microsoft” e cila ka rikrijuar në formë digjitale Bazilikën e Shën Pjetrit. Falë Inteligjencës Artificiale që krijoi këtë model 3D, tash e tutje besimtarët dhe turistët nga e gjithë bota do të mund ta vizitojnë Bazilikën, por edhe ta eksplorojnë atë në detaje, duke përfshirë hapësira të paarritshme për syrin e njeriut
Në ueb-faqen e kishës më të madhe katolike në botë, atë të Shën Pjetrit në Vatikan, vizitorët mund të bëjnë një shëtitje virtuale nëpër sheshin e preferuar të pelegrinëve për të vëzhguar nga afër monumentin ose obeliskun antik, gati 40 metra të lartë, të cilin Perandori romak Kaligula e zhvendosi nga Egjipti në Romë, në vitin 37 pas Krishtit.
Është po ashtu e mundur të vështrohet kryevepra e Michelangelos “La Pieta” (Mëshira), një skulpturë e Shën Mërisë se Jezusit, të cilën artisti e gdhendi kur ishte vetëm 24 vjeç, ose të shikohet nga afër afresku i shekullit XV, në të cilin Jezusi dorëzon çelësat e derës së shenjtë tek apostulli Pjetër. Po kështu, brenda pak sekondash vizitorët mund të gjende përballë altarit papnor “Baldachino di San Pietro”, i cili ndodhet nën kupolën më të lartë të kësaj kishe, që është simbol i Romës dhe nga i cili mund të shihet pamjen më të bukur e qytetit.
E kanë quajtur “binjake digjitale”. Bëhet fjalë për projektin “AI-Enhanced Experience”, të cilin kompania “Microsoft” e nisi në bashkëpunim me “Fabbrica di San Pietro”, si kantieri ku u ndërtua kjo Bazilikë gjatë periudhës 1506-1626 dhe mbi të cilin punonin arkitektët e asaj kohe si Donato Bramante, Gianlorenzo Bernini, Raffaello dhe Michelangelo.
Falë Inteligjencës Artificiale që krijoi këtë model 3D, tash e tutje besimtarët dhe turistët nga e gjithë bota do të mund ta vizitojnë Bazilikën, por edhe ta eksplorojnë atë në detaje, duke përfshirë hapësira të paarritshme për syrin e njeriut.
Për nder të vitit jubilar – 2025
Ky projekt, i cili u mbështet nga kardinali Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës dhe president i Fabrikës së Shën Pjetrit, synon t’ia hapë dyert e kësaj ndërtese mbarë botës dhe veçmas për Jubileun (Giubileo) sikurse edhe për kremtimin e vitit jubilar 2025, i cili fillon më 24 mars dhe përfundon më 24 dhjetor të vitit pasues. Ky vit festohet çdo 25 vjet dhe pritet që Romën a Vatikanin ta vizitojnë së paku 35 milionë turistë nga e gjithë bota.
Vendimi për të bashkëpunuar me “Microsoftin” është pjesë e një plani global të qasjes që miliona njerëz të përjetojnë këtë përvojë të paçmuar, veçmas ata që nuk do të mund të udhëtojnë në Romë gjatë vitit të shenjtë.
“Binjakja digjitale nuk është vetëm një performancë virtuale, por edhe një mjet që lejon rizbulimin e çdo këndi dhe nuance të një prej vendeve më simbolike të krishterimit, i dobishëm jo vetëm për ata që duan ta njohin atë, por edhe për ata që duan ta mbrojnë atë”, ka thënë kardinali Gambetti.
Ky projekt, i krijuar nga ndërthurja e teknikave të avancuara të fotogrametrisë dhe Inteligjencës Artificiale, paraqet një hap të rëndësishëm drejt vlerësimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke vendosur një standard të ri për digjitalizimin e vendeve historike dhe fetare.
Inteligjenca Artificiale në shërbim të restaurimit
Puna për digjitalizimin e Bazilikës ka nisur dy vjet më parë. Gjatë tre javëve, dronët, kamerat dhe laserët incizuan pjesën e brendshme dhe të jashtme të Bazilikës, me një sipërfaqe totale prej 23 mijë metrash katrorë. U realizuan mbi 400 mijë foto me rezolucion të lartë, të cilat më pas u përdorën për të krijuar një model 3D ultra të saktë.
Ato foto më pas u përpunuan me ndihmën e Inteligjencës Artificiale me qëllim që të përmirësohej paraqitja e enterierit sikurse edhe eksterierit të monumentit.
Ekspozita digjitale dhe ueb-faqja interaktive
Në këtë projekt ka punuar edhe studioja lituaneze e dizajnit “Dadada”, që e projektoi një ekspozitë gjithëpërfshirëse në Bazilikën e Shën Pjetrit, e cila do të hapet zyrtarisht me rastin e Jubileut në vitin 2025. Në fakt, janë dy ekspozita të reja mbresëlënëse, “Petros Eni” dhe “Petros Eni Octagon”, të cilat do t’u ofrojnë pelegrinëve dhe vizitorëve një kombinim unik të njohurive historike dhe kërkimit digjital, duke shpalosur aspektet kryesore të evolucionit të Bazilikës gjatë shekujve.
Në anë tjetër, faqja interaktive “Esperienza Digitale di Basilica San Pietro” (Përvoja Digjitale e Bazilikës së Shën Pjetrit) do të ofrojë qasje të drejtpërdrejtë për të gjithë në mbarë botën, nëpërmjet modeleve të detajuara 3D dhe përmbajtjeve edukative.
Brad Smith, nënkryetar i “Microsoftit”, ka thënë se falë inteligjencës artificiale, tani është e mundur të admirohet kjo kishë katolike në një mënyrë unike dhe inovative që nuk është parë kurrë më parë.
Gjithashtu, janë krijuar aplikacione për të ofruar shërbime për pelegrinët dhe vizitorët me qëllim përmirësimin e përvojës së tyre në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Në anën tjetër, koordinatori i këtij projekti, At Francesco Occhetta, beson se kjo qasje nuk lidhet vetëm me inovacionin teknologjik.
“Shumë njerëz po kërkojnë një vend të shenjtë ku mund të takohen me Zotin dhe rikrijimi digjital i Bazilikës së Shën Pjetrit mund ta ndihmojë një takim të tillë prej çdo cepi të botës”, ka thënë Occhetta.
(Marrë nga “Al Jazeera”. Përktheu: KOHA)