Kulturë

Bateristi për të cilin muzika është shok besnik

Foto: Alex Barbulescu

Loja në tupanë vjen shumë natyrshëm për bateristin Granit Paçarada. Edhe kur ka kompozicione të vështira, apo e godet tupanin mjaft furishëm, e ruan qetësinë. Sipas tij, e gjitha buron nga brendësia.

27-vjeçari thotë se ishte befasuar me veten dhe kishte befasuar edhe të tjerët, kur kishte arritur që të përcillte ritëm që në herën e parë që i kishte rënë darabukës e pastaj edhe baterive.

Fajtor indirekt që ai të bëhet baterist i grupeve të njohura në Kosovë, si “Offchestra” e “Gipsy Groove” e të shoqërojë këngëtarë të njohur si Shpat Deda, Elina Dunin me bendin “Retrovizorja”, e Flaka Krelanin, ishin familja dhe miqtë, shkruan sot “Koha Ditore”. Mirëpo, Paçarada beson se gjithçka ndodh për një arsye. Thotë se nuk kishte sesi t’i ikte muzikës.

Sipas tij, gjithçka në një mënyrë apo tjetrën lidhet mes vete dhe është i lumtur për rrugën që ka marrë. Tregon se flaka brenda tij për të krijuar tinguj përmes goditjeve në bateri, nuk është shuar asnjëherë.

Rrugëtimi i natyrshëm

“Gjithçka ka ardhur natyrshëm e jam shumë i lumtur që flaka nuk është ndalur asnjëherë. Nuk mund ta paramendoj veten pa bateri”, thotë ai. Qetësia që e përcjell gjatë lojës në bateri ka qenë karakteristikë e tij edhe në fëmijëri. I vlerësonte gjërat që prindërit arrinin t’ia siguronin dhe nuk bënte probleme. Gjatë rritjes tregon sesi njerëzit gjithmonë i kanë thënë: “Babanë e ke pasur këngëtar të mirë e të njohur”.

Komentet për të atin, Shahin Paçaradën, i cili ka qenë bariton në kohët e arta të muzikës shqipe rreth viteve ‘70, pjesëmarrës i rregullt në “Akordet e Kosovës”, e bënin atë që të ndihej krenar. Sipas tij, edhe bisedat në shtëpi rreth muzikës, pasi që edhe motra e tij dhe vëllai e kishim muzikën hobi, kanë ndikuar që muzika ajo të zhvillohej në ndërdijen e tij. “Dikur do të shpërthente, gjithsesi”, thotë ai dhe tregon se kjo edhe kishte ndodhur.

“Në moshën 9-10 vjeçare kam dëgjuar për herë të parë Sting-un, këngën ‘Seven Days’ nga albumi ‘Ten Summoner Tales’. Transmetohej rregullisht në një televizion lokal dhe e shikoja para se të shkoja në shkollë. Aty ka qenë momenti kur kam menduar se kjo është diçka që po më ngjallë më shumë emocione, sesa gjërat të cilat isha mësuar që t’i bëj”, ka kujtuar ai.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)