Kulturë

Bateristi me nam “Lamy”: Më keni në krah për një festival jazzi në Kosovë

Në karrierën e tij muzikore jo rrallë i ka ndodhur të luajë përkrah instrumentistëve si Levano, i cili është edhe fitues i çmimit “Grammy” dhe një nga sanksofonistët më të vlerësuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo performancë “online” e realizuar për publiku në distancë e bën lojën e tij të qasshme për këdo jashtë kufijve. “Pandemia ka qenë e vështirë, sepse ne kemi gjithmonë punë para publikut dhe kur ke punë para publikut ndihesh më mirë”, ka thënë ai gjatë intervistës në emisionin “Express” të KTV-së të hënën. Artisti i lindur në Mitrovicë, kur flet për jazz-muzikën, veçmas për lidhjen e tij me muzikën, gjithmonë i kthehet vendlindjes

Bateristi e kompozitori Bajram Istrefi Jr., i njohur si “Lamy”, në një ambient të hapur në natyrë e përcjell me zotësi ritmin e saksofonistit me nam Joe Lovano dhe basistit John Menegon. Bateristi nga Kosova derisa bëhet gati për plane të reja në muzikë, distancën me performancën e realizuar gjatë pandemisë e përshkruan si shkas që ta ketë përjetuar edhe më interpretimin e realizuar si “Trio Lovano”.

Në karrierën e tij muzikore jo rrallë i ka ndodhur të luajë përkrah instrumentistëve si Levano, i cili është edhe fitues i çmimit “Grammy” dhe një nga sanksofonistët më të vlerësuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo performancë “online” e realizuar për publiku në distancë e bën lojën e tij të qasshme për këdo jashtë kufijve.

E xhiruar në vitin 2020, qe një dhuratë virtuale për publikun. Istrefit rrallë i ndodh të mos jetë aktiv. Meqë pandemia veçse e ka kthyer në skenën e muzikës jazz, i ka dhënë shprese atij që shumë shpejt të kthehet edhe në jazz-skenën kosovare. Kthimi pas gjashtë vjetësh këtu për ta vizituar familjen i ka dhënë një kënaqësi të përmasave që vështirë e përshkruan.

“Pandemia ka qenë e vështirë, sepse ne kemi gjithmonë punë para publikut dhe kur ke punë para publikut ndihesh më mirë”, ka thënë ai gjatë intervistës në emisionin “Express” të KTV-së të hënën. Artisti i lindur në Mitrovicë, kur flet për jazz-muzikën, veçmas për lidhjen e tij me muzikën, gjithmonë i kthehet vendlindjes.

Në bisedë me të kuptohet se artisti beson që pasioni i tij për jazzin u zhvillua veçse jetonte në një vend të pasur me art. Madje thotë se në qytetin kosovar bëhej muzikë jazz qysh para se të lindte ai. Si fëmijë kishte filluar të merrej me instrumentin e flautit në Shkollën e Muzikës në Mitrovicë. Flauti i dukej instrument për vajza. U dorëzua shpejt prej saj dhe kapërceu te piano, pasi që paraprakisht nuk iu bë të regjistrohej në klasën e kitarës.

Kushtet në shkollën ku mësonte ia larguan dëshirën për piano. Për të shkuar te instrumenti i duhej të zbriste shkallëve në podrum. Me gjithë dëshirën e madhe për muzikën, ky ritual nuk i përcillte ndjenja të mira. U largua nga shkolla e muzikës, por jo dhe nga dëshira e madhe për të. Gjeti një rrugë tjetër për t’i mbetur pranë asaj, kjo sipas “Lamy”, falë jetës së pasur muzikore në vendin ku jetonte. Ai s’mungonte në koncertet e shumta të jazzit që organizoheshin në Mitrovicë. “Duke parë festivalet e shumta në atë kohë, filluam të bënim muzikë në garazhe”, kishte thënë ai në një intervistë për KTV-në në vitin 2016. Artisti që e nisi muzikën në garazhe sot ka prekur skenat e njohura të jazz-skenës. Eksplorimi i tij muzikor nga flauti në piano përfundoi në dëshirën e madhe për bateri.

Tash fokusin e ka tek eksplorimi i muzikës shqiptare me jazzin perëndimor. Me këtë ai konsiderohet se po jep një kontribut të madh në shkrirjen e muzikës botërore dhe koncepteve të jazzit, që ka ndikim të thellë në komunitetin global. Kthimi pas gjashtë vjetësh pranë familjes ia ka kthyer dëshirën për të bërë muzikë këtu. Sipas tij, këtu është një publik që e ndien fort këtë zhanër të muzikës. Sipas “Lamyt”, kështu ka qenë qysh kur ai ka qenë fëmijë.

“Në Kosovë ka njerëz që interesohen për muzikë, sidomos jazz-muzikë. Në Mitrovicë qysh në vitet ’80 e kemi pasur festivalin. Qejf kemi të kthehemi këtu dhe të bëjmë muzikë për publikun kosovar-shqiptar”, ka thënë ai të hënën pasdite në emisionin “Express”. Istrefi në moshën 16-vjeçare u zhvendos në Graz të Austrisë për t’iu përkushtuar më seriozisht karrierës së tij muzikore. Ai studioi për bateri dhe perkusione në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Dramatike në Graz. Që nga studimet ka pasur një karrierë të bujshme muzikore. Përveç aktiviteteve të tij në incizim të këngëve dhe interpretim në skenë, ai mban mësim edhe për nxënës të të gjitha moshave. Si një mësues në zhvillim të talenteve, Istrefi beson se të tillë ka dhe në Kosovë.

“Për ne ka qenë më ndryshe, sepse unë kam studiuar në Graz. Me fjalë të tjera, të them e kam pasur fatin. Me fjalë të tjera, fatin e bën vetë. E kam përcjellë atë rrugën që kam dashur. Sa i përket këtu, e them me gjithë zemër se ka kuadro. Nëse jam unë një që kam dalë prej Kosovës, besoj që ka shumë talente të tjerë që nesër do të dalin nga ky vend”, ka shtuar tutje ai.

Sipas tij, për zhvillimin e talenteve të tilla në Kosovë duhet më shumë hapësirë dhe prezencë të njerëzve profesionistë. Istrefi thekson se do të ishte i gatshëm për çfarëdo kontributi, por për asgjë s’mund të bëhet pa përkrahje më të madhe nga shteti.

“Për atë këtu na duhet neve prezenca në Kosovë, që të ketë një festival të mirëfilltë që e përkrah shteti. Po them shteti, sepse ka shumë njerëz që e përkrahin këtë zhanër. Neve na duhet një festival që duhet me qenë i fortë. Nëse ajo realizohet mua më keni krah”, ka thënë ai. “Lamy” në Graz veçse e krijoi identitetin e tij muzikor në skenën muzikore lokale. Ai filloi edhe kompozimin e veprave për ansamble të perkusionit. Veprat e tij ishin të inspiruara nga kompozitorë si John Cage dhe Edgard Varese. Jazzi mori kuptim më të thellë për Istrefin ditën kur takoi një nga saksofonistët më të mëdhenj të xhazit, Dave Liebman. Kjo ndikoi edhe në depërtimin e tij në Amerikë, atje ku e gjeti veten. Në moshën 19-vjeçare ai filloi të luante profesionalisht me muzikantë të ndryshëm nga e gjithë bota, duke përfshirë performancat me këngëtarin legjendar të xhazit Mark Murphy. Me gjithë sukseset e tij dhe përkrahjes nga muzikantët e huaj, “Lamy” thotë se nga shteti i tij kishte qenë i harruar.

“Qysh kur kam qenë 16-vjeçar kam shkuar në Graz, kurrë nuk kam pasur ndonjë përkrahje nga shteti që të interesohet për artistët e vet”, ka thënë tutje ai.

Për të zhvilluar skenën e jazzit në Kosovë, sipas tij, duhet prani më e madhe e profesionistëve të këtij zhanri muzikor. Fillimisht, sipas tij, duhet bërë dallimi mes asaj çfarë konsiderohet dhe është jazz.

“Nuk mund t’i thuash muzikës popullore shqiptare se është rock ose pop. Këtu i thonë jazz muzikë asaj që nuk është jazz-muzikë. Na duhen njerëz që kanë dije”, ka thënë ai. Për këtë, sipas “Lamyt”, duhet njohuri dhe përvojë. Për ta bërë më të kapshme, ai merr një shembull.

“Për me qenë jazz-muzikant është si kur shkon në ushtri. Për t’u bërë gjeneral duhet t’i kesh gradat. Nuk mund t’ia japësh gradat vetes, duhet të tjerët. Neve na duhen njerëz që i kanë ato grada dhe që mund ta bëjnë atë punë”, ka shtuar tutje ai. “Gjithmonë e kam pasur në mendje që jam ambasador i vendit tim”, thotë ai krejt në fund të intervistës. Ky mendim thotë se e kishte përcjellë qysh kur kishte dalë jashtë Kosovës. Tash “Lamy”, që po përgatitet për albumin e tij të radhës “Sparkle from the Infinite”, në New York është një nga bateristët e kërkuar në skenë.

“Është shumë me rëndësi ajo se kush na prezanton”, shton tutje ai. Me këtë “Lamy” e bën të qartë se për shtetin e Kosovës më shumë ka dhënë sesa ka marrë. Mitrovica në kujtimet e fëmijërisë mbetet vendi i rock-skenës. Amerika për të është vendi ku jazzi ka lindur, mund të zhvillohet e kuptohet më mirë se kudo tjetër. Tash, kur ka arritur pjekurinë muzikore, “Lamy” është i gatshëm për çfarëdo kontributi në Kosovë.