Kulturë

Bastisja

Në orët e hershme të mëngjesit, kur bota ishte ende në gjumë, ky zë, sa i njohur, aq edhe i panjohur, u përhap si thirrjet e dikurshme në kodrat e vendlindjes, duke përfshirë shkallët, lagjen dhe tërë qytetin: “Policia… licia… cia… ia… aa!”. “Më në fund ia behën”, mendova në shpejtësi dhe kur e hapa derën pashë se përballë meje qëndronin hiç më pak se shtatë veta, shkruan sot Koha Ditore.

Prishtinë, 28 mars 1989. Mëngjes. Isha ende në gjumë kur zilja e banesës ra fort dhe gjatë, si asnjëherë më parë. U ngrita nga shtrati i përgjumur dhe, ashtu siç isha, me pizhame, u drejtova kah dera. Bashkë me mua brofi në këmbë edhe ime shoqe, Urtia, edhe ajo me këmishë nate, dhe kur unë po bëhesha gati ta hapja derën për të parë se kush po i binte ziles ende pa zbardhur drita, më kapi për krahu dhe më tha:

Prit njëherë! Mos u ngut! Pyet kush është?

Unë që s’e kisha zakon të pyesja se kush trokiste në derë, sepse, siç thosha shpesh, “askujt s’i kisha borxh”, këtë herë e dëgjova gruan time të urtë, fytyra e trembur e së cilës sikur parandiente diçka të keqe.

Kush është? – pyeta para se ta sillja çelësin.

Nga ana tjetër e derës erdhi zëri i prerë, i rreptë e kërcënues:

Policia!

Në orët e hershme të mëngjesit, kur bota ishte ende në gjumë, ky zë, sa i njohur, aq edhe i panjohur, u përhap si thirrjet e dikurshme në kodrat e vendlindjes, duke përfshirë shkallët, lagjen dhe tërë qytetin: “Policia… licia… cia… ia… aa!”.

“Më në fund ia behën”, mendova në shpejtësi dhe kur e hapa derën pashë se përballë meje qëndronin hiç më pak se shtatë veta: tre policë të armatosur gjer në dhëmbë, me tytat e automatikëve drejtuar kah unë; tre të tjerë, civilë, inspektorë të Sigurimit Shtetëror dhe një grua, që ishte e vetmja femër në atë grup. Më vonë do të marr vesh se ajo kishte për detyrë ta ruante time shoqe të mos fshihte diçka, diçka që mund të ishte me “vlerë” për ta.

Po gdhinte dita e 28 marsit 1989, kur Kosova luftonte për jetë a vdekje nën dhunën serbe, që kishte marrë përmasa të mëdha…

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)