Kulturë

Bashkia e Korçës hesht ndaj zhurmës për kontroversin Bregoviq

Vera e festave të birrës, kulinarisë dhe artit në Korçë ka kaluar në plan të dytë. Paralajmërimi i paradoditshëm se këngëtari kontrovers serb, Goran Bregoviq do të jetë mysafir në një nga mbrëmjet e “Korça Beer Fest”, që mbahet mes datave 18 deri 22 gusht, ka nxitur reagime të gjera publike. Ndonëse ky eveniment tashmë i përvitshëm mbahet nën patronazhin e Bashkisë së Korçës, autoritetet lokale nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se do të sprapsen nga zgjedhja e bërë.

Bashkia e udhëhequr nga Sotiraq Filo nuk ka dhënë asnjë prononcim zyrtar për ardhjen e këngëtarit serb. As Festivali, që filloi në vitin 2007, nuk ka komentuar performancën e paralajmëruar.

“Dëshirojmë të informojmë audiencën që Festa e Birrës në qytetin e Korçës organizohet si çdoherë nga Bashkia Korçë. Për çdo informacion apo koment mbi artistët performues dhe programin festiv mund t’i drejtoheni Bashkisë Korçë!”, është i vetmi afishim i bërë nga Birra Korça në faqen e saj në Facebook.

Ndërkohë edhe gjatë së premtes kanë vijuar thirrjet në rrjetet sociale për bojkotimin e Festivalit të birrës.

Kështu, tifo-grupi “Tifozët Kuqezi” i kanë bërë thirrje Bashkisë së Korçës që të tërhiqet nga agjenda e planifikuar.

“Deri më sot kemi marrë shumë kërkesa nga anëtarët tanë të të gjitha trevave që të ndalojmë me trupat tanë paraqitjen e këngëtarit serb, i cili dikur motivonte paramilitarët serbë me këngët e tij për të bërë masakra mbi popullatën civile në shumë qytete të Kosovës”, thuhet në njoftimin e afishuar te premten. “Rreth 2.000 varreza janë të hapura pa varre në Kosovë, sepse kriminelët i zhduken edhe trupat. Mbi 12.000 viktima lufte. Serbia asnjëherë nuk kërkoi falje. Pyesim Bashkinë e Korçës a ka mundur ndonjë artist shqiptar të performojë në ndonjë festival në Serbi? Përgjigjja e vetme është Jo”.

Ky tifo—grup ka përkujtuar se radiot në Serbi ndalojnë transmetimin e këngëve të Dua Lipës dhe Rita Orës vetëm se janë shqiptare, duke shtuar se “nuk do t’i mbyllim sytë para këtij racizmi shtetëror që u bëhet shqiptarëve”.

“Në mënyrë që festivali të mbahet dhe të mos përfundojë ashtu si nuk duhet, ne edhe një herë po e përsërisim: Tërhiqeni Bregoviqin nga festivali i Korçës. Kjo është thirrja e fundit!”, ka përfunduar reagimi në formë ultimatumi i tifozërisë panshqiptare.

Reagime ndaj këngëtarit serb kanë bërë edhe plot artistë e moderatorë nga Kosova e Shqipëria: Eva Murati, Vesa Luma, Big Basta, Besa Kokëdhia, reperi Noizy, etj.

Ndërkaq këngëtari nga Prishtina, Capital T, ka njoftuar se ka hequr dorë nga performanca e tij në Festivalin e birrës në Korçë për shkak të ardhjes së paralajmëruar të këngëtarit serb.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ai ka bërë thirrje për bojkot të këtij festivali, teksa Bashkisë së Korçës ia ka përkujtuar se artistët shqiptarë janë të mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për import.

“ Ju bëj thirrje të gjithë komunitetit artistik të reagojmë dhe të gjithë popullit të bojkotojmë këtë eveniment, sepse ne s’jemi dele”, ka shkruar Capital T, që ka afishuar edhe një video me sqarimin e tërheqjes së tij.

Me tone kritike është shprehur edhe këngëtari e tekstshkruesi shkodran, Fredrik Ndoci, i cili nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se arti është art dhe armiqësia mbetet armiqësi.

“Përderisa nëpër sheshet e Beogradit nuk debutojnë asnjëherë artistët albanezë internacionalë dhe nacionalë, nuk e mendoj se ne duhet të heqim brekët vetëm për hir të artit apo joluftënxitjes ballkanike, ndërsa ata (pala tjetër) të gjejnë popuj apo etni që pasi i kanë dhunuar, të vazhdojnë përdhunimin shekullor”, ka shkruar Ndoci.

Po kush është artisti kontrovers 71-vjeçar, që u lind në Sarajevë nga një baba kroat dhe nënë serbe?

Me një karrierë muzikore gjatë dy dekadave të fundit të ish-Jugosllavisë, Goran Bregoviq ishte pjesë e rock-grupit “Bijelo Dugme”. Në skenën artistike jugosllave që përshkohej nga trendë modernistë muzikorë, krijimtaria e këtij bendi dhe homologëve të tyre përshkohej nga një “turbo-folk” ndikimesh kulturore, përfshirë edhe aso të muzikës rome. Me shkatërrimin e pashmangshëm të Jugosllavisë, jetëgjatësia e shumicës së këtyre grupeve do të ishte çështje kohe. Sipas njohësve të rock-skenës jugosllave, plot nga këto grupe iu rikthyen elementeve nacionaliste për të rifituar audiencat e tyre.

Ithtar i jugosllavizmit edhe kur gjithçkaja kishte marrë tatëpjetën, këngët e Bregoviqit megjithatë do të vijonin të afektonin një pjesë të popullatës serbe. Hiti i tij “Kalashnikov” ishte kthyer në këngën e përzemërt të paramilitarëve serbë në Bosnjë.

Me qëndrime kritike ndaj luftës brenda-jugosllave, “Brega”, sidoqoftë, nuk ka asnjë distancim publik ndaj krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Ai sivjet është nderuar me çmim nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, krahas rockerit tjetër serb, Bora Gjorgjeviq. Ky i fundit njihet për tekstet e tij jo të pakta që i shkroi në vitet '80 kundër shqiptarëve. “Kurrë paqe nuk do të ketë/ mes meje dhe ‘Ilirit’/ a është e mundur që një shqiptar/ të zaptojë kurorën dhe skeptrin serb?”, është një nga tekstet me tone raciste që i shkroi në dekadën e fundit të ekzistencës së Jugosllavisë.

E ana kontroverse nuk i ka munguar as profilit të Bregoviqit. Më 2015, atij i ishte ndaluar hyrja në Ukrainë, pasi që kishte mbështetur hapur aneksimin rus të Krimesë në një koncert që e mbajti në këtë vend. Në prill të po të njëjtit vit, Bregoviqit i ishte ndaluar performimi në “Life Festival”, në Poloni, me arsyetimin se deklaratat e tij ishin “në kundërshtim me vlerat e shpallura nga Festivali”. Por marrëdhëniet me Shqipërinë i ka të mira. Në vitin 2006 ka interpretuar në Tiranë dhe është dekoruar me “Çelësin e Tiranës” nga kryebashkiaku i atëhershëm Edi Rama, tash kryeministër i Shqipërisë.