Me jo pak telashe organizative e teknike ka qenë i pari takim midis ministres së Kulturës të Greqisë, Lina Mendoni, e cila të mërkurën është pritur prej ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Fillimisht, vonesat e më pas hamendjet për këndin prej ku do t’u drejtohen gazetarëve kanë qenë intro. Në takimin njohës, nuk janë dhënë zotime konkrete por dy ministrat janë shprehur të vullnetshëm. Përderisa ministrja Mendoni ka sjellë delegacion me drejtorë institucionesh, ministri Çeku është mjaftuar me anëtarë kabineti
Me zallamahi tipike ballkanike, ku takimi vonohet më shumë se gjysmë ore, rrëmuja nuk ndalet as gjatë konferencës për media e protokolli ekziston veç në letër, ministrja e Kulturës të Greqisë, Lina Mendoni është takuar me ministrin e Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku. Pas takimit të përcjellë me avari të pandalshme dyshja ka bërë të ditur se bëhet fjalë për mundësinë e një bashkëpunimi midis dy vendeve. Pa terma konkretë, nikoqiri dhe mysafirja janë marrë vesh që pas takimit njohës, të zhvillohet edhe një vizitë e ministrit Çeku në Athinë ku edhe mund të ketë nismë konkrete për ndonjë bashkëpunim.
Ministrja e Kulturës dhe Sportit e Greqisë, Lina Mendoni, bashkë me ekipin e saj ka arritur në Ministrinë e Kulturës me fiks gjysmë ore vonese. Ministri Çeku ka dalë njëherë poshtë për ta pritur por i është dashur të ngjitët prapë në kabinet. E në herën e dytë, nuk është kthyer prapa pasi delegacioni ka arritur.
Ministrja greke ka hyrë në takim me një numër të madh udhëheqësish të institucioneve qendrore të kulturës dhe drejtorive të institucionit që udhëheq. Kurse ministri Çeku e ka pritur atë i shoqëruar nga këshilltarët e tij dhe një punonjëse të Institutit Arkeologjik të Kosovës, e cila më vonë ka marrë rolin e përkthyeses. Nga ana e nikoqirit nuk ka qenë i pranishëm asnjë udhëheqës institucioni apo ndonjë drejtorie të MKRS-së.
Pas më shumë se gjysmë ore takim, kabineti ka hapur dyert për konferencën për media. E në këtë rast ka filluar një tjetër avari.
Delegacionit grek nuk i ka pëlqyer që konferenca të mbahet në hapësirën e caktuar nga MKRS-ja ku rëndom mbahen ngjarjet e tilla. Është kërkuar që ajo të zhvillohet në pjesën ku edhe është zhvilluar takimi me arsyetimin se “është kënd më i ngrohtë”. Më pas është zhvendosur foltorja po në atë pjesë. Prapë situata nuk ka qenë në rregull për mysafirët. Nikoqirët janë konsultuar mes vete dhe foltorja është larguar prej aty. Dyshja është ulur në vendet paraprake për të nisur konferencën. Ministrja greke ka vendosur në momente të fundit që të flasë në gjuhën e saj amtare. E në këtë rast kabinetit i ka dalë në ndihmë arkeologia e Institutit Arkeologjik të Kosovës, Zana Rama duke kryer rolin e përkthyeses.
Pas krejt kësaj situatë, ku palët kishin probleme organizative, dyshja ka nisur të flasë për bashkëpunime të mëdha.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se kanë nisur diskutimet për kulturën dhe mundësinë e bashkëpunimit kulturor midis dy shteteve. Ka thënë se është shumë i motivuar nga fakti që kanë gatishmëri nga të dyja palët për të kaluar në veprime dhe aktivitet konkrete në emër të rritjes së këtij bashkëpunimi.
“Gjatë vizitës së saj, zonja ministre bashkë me delegacionin do të kenë takime e vizita në institucioneve të kulturës dhe monumente. Do ta kemi një vizitë në Greqi gjatë muajve të ardhshëm për ta konkretizuar bashkëpunimin tonë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, ka thënë ministri Çeku.
E ministrja e Kulturës e Greqisë, Lina Mendoni, ka thënë se ka ndjenja të veçanta pasi është ministrja e parë e Kulturës në shtetin e saj që viziton Kosovën. Ka falënderuar nikoqirin për ftesën.
“Kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv për tema të trashëgimisë kulturore dhe artit bashkëkohor. Jemi shumë të lumtur që kemi filluar bisedimet për fillimin e bashkëpunimit në tema të trashëgimisë dhe të artit”, ka thënë ajo në greqisht, përkthyer nga arkeologia Rama. Ka treguar se për dy ditë do të vizitojë lokalitetet arkeologjike, monumente e galeri të artit bashkëkohor, në mënyrë që së bashku me bashkëpunëtorët të krijojnë një ide të qartë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
“Është me rëndësi që me hapa të shpejtë të fillojmë bashkëpunimin tonë. Andaj e kam ftuar ministrin Çeku që të vijë në Greqi dhe të hartojmë një plan konkret të bashkëpunimit”, ka thënë ministrja Mendoni.
Sa i përket mosnjohjes së Kosovës nga Greqia, ka thënë se nuk dëshiron që të merret me tema politika pasi vizita ka të bëjë me kulturën. E pyetur për ndonjë këshillë që do të mund t’i jepte homologut të saj për kthimin e artefakteve që i janë marrë Kosovës në dekadat e fundit nga vende të tjera, ministrja Mendoni ka thënë se Greqia ka eksperiencë të madhe në këtë drejtim. Ka përsëritur se takimi ka për qëllim që të vendosen themele të zhvillimit të bashkëpunimit.
“Do të kemi mundësinë sot dhe nesër që të diskutojmë tema të ndryshme me ministrin. Po ashtu, diskutimet tona mund të vazhdojnë edhe gjatë vizitës së ministrit Çeku në Greqi. Kemi kohë për të thënë shumë gjëra”, ka thënë ajo.
Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni midis të tjerash do të vizitojë edhe parkun arkeologjik “Ulpiana”.
Ministrja e lindur në Athinë ka studiuar për filologji klasike, histori dhe arkeologji në Universitetin e Athinës. Më pas ka vazhduar studimet jashtë vendit dhe është kthyer në Greqi për të doktoruar në arkeologji. Ka qenë punonjëse shkencore në Institutin e Greqisë për Artefakte të periudhës romake. Më pas, ka shërbyer si këshilltare në Ministrinë e Kulturës kurse prej vitit 1999 deri më 2004 ishte sekretare e Ministrisë.