Franz Nopcsa (1877-1933) ka qenë në Gjakovë, ka shkruar për të. Por romani “Stina e pestë” i Majlinda Bregasit, nëpërmjet historisë për të dhe jo vetëm, e ka “rikthyer” atë në këtë qytet. Autorja e romanit, Majlinda Bregasi, është ndalur edhe te prania e Gjakovës në libër në sytë e Nopces, i cili në ditarin e tij të shkruar në gjuhën gjermane shprehet hermetik. Nuk flet se si ndihet në kohën kur shkruan, i distancuar nga vetja shpjegon duke u mbështetur në fakte
Në mjedis të ngrohtë, në Çarshinë e Madhe të Gjakovës ka qenë libri “Stina e Pestë”, ai që ka mbledhur mysafirët në një vend. Pas promovimit në Prishtinë në kafe-librarinë “KOHA”, dhjetë ditë më parë, stacioni i radhës i diskutimit për librin më të ri të Majlinda Bregasit ka qenë hapësira “Pika” në bashkëpunim me librarinë “Këndi i librit”. Nga një kopje të historisë së bajronit austro-hungarez, të zbërthyer në roman e kanë blerë shumica e të pranishmëve. Kureshtja e tyre është shprehur që nga kontakti me kopertinën. Autorja Majlinda Bregasi ka qëndruar mbrëmjen e së enjtes aty për t’u dhënë përgjigje e për të treguar procesin e një historie të veçantë, të cilën e kishte shkruar me pasionin më të madh në librin e Botimeve KOHA.
Diskutimi është zhvilluar mbi lidhjen e dy epokave të historive që shtjellohen në 232 faqe të librit. Në fakt, në përafrimin e dy epokave, ku autorja përveç se dokumenton, shpreh edhe anën e saj artistike. Në një lexim para të pranishmëve, autorja Bregasi e ka shpërfaqur këtë aspekt të librit. Është ndalur edhe te prania e Gjakovës në libër në sytë e Nopces, i cili në ditarin e tij të shkruar në gjuhën gjermane shprehet hermetik. Nuk flet se si ndihet në kohën kur shkruan, i distancuar nga vetja shpjegon duke u mbështetur në fakte. Promovimi i librit “Stina e pestë’ në Gjakovë ka qenë larg formaliteteve – më shumë i ka ngjarë një bashkëbisedimi ku kontakti midis autores dhe të pranishmëve është i natyrshëm dhe përkthehet edhe me të qeshura.
Teuta Lama-Hoda, udhëheqëse e “Këndit të librit”, është shprehur e lumtur për realizimit e një takimi të tillë për librin në kohën kur diskutohet shumë rreth çështjes të leximit.
“Natyrisht që kemi lexuar dhe do të vazhdojmë të lexojmë përderisa kemi autorë dhe libra të mirë”, ka thënë Lama-Hoda, e cila e ka hapur mbrëmjen me dy thënie të Naim Frashërit që lidhen me leximin. Tutje, ajo ka njoftuar të pranishmit për historinë e librit të ndërtuar në dy linja, e që, faktikisht, ky stil i shkrimit sikur është bërë procede dhe shenjë dalluese e tij, duke pasur parasysh edhe romanet e mëparshme. Në njërën linjë ajo e ndërton rrëfimin për baronin Nopcsa, një aristokrat hungarez, shkencëtar, i njohur si babai i paleontologjisë, albanolog, diplomat, spiun, poliglot e kronikan i fillimshekullit të njëzetë, i cili jetoi në Malësi nga viti 1904 deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe në linjën tjetër që përshkruan jetën e gruas në dinamikën e kohës, të mbushur me strese e me ngarkesa të shumta emocionale e psikologjike, ndonjëherë të paraqitura fare mirë e ndonjëherë të fshehura në natyrën e psikozën më të thellë njerëzore.

Në përurimin e udhëhequr nga Mimoza Shala, Bregasit i ka mjaftuar gjysmë ore para promovim që të takojë lexuesit e saj në Gjakovë dhe t’u kthehen historive të librave të saj të mëparshëm. Sipas saj, befasia më e madhe është që shumë nga të pranishmit kanë lexuar librat e saj paraprakë. Romani “Stina e pestë”, i shkruar gjatë pandemisë, i fut lexuesit në situatë konfuze intime të Sofias, e cila ndjek gjurmët e një baroni austro-hungarez të fillimshekullit XX, që i zbulon skutat më të errëta të Ballkanit. Duke qenë se linjën historike Bregasi e bazon në vitin 1903, ajo në takimin me të pranishmit u është kthyer të dhënave të ditarit të baronit austro-hunagarez, i cili kishte përshkruar një moment të veçantë në qytetin e Gjakovës
“Kur kishin ardhur këtu, kanë ardhur se një grup i gjakovarëve e kishin burgosur priftin e fshatit dhe kërkonin autoriteteve turke që të jepnin para që të lëshonin. Kur ka ardhur Nopcsa ka thënë: ‘Shikoni, për priftin askush nuk do të japë para, kështu që kot e keni. Atëherë pas dy javësh e kanë lëshuar”, ka rrëfyer Bregasi. Ajo është ndalur edhe te personazhi Mustafa Lita, të cilin e ka njoftuar nëpërmjet leximit të ditarit të Nopces. E ka përshkruar si një nga banditët më të mëdhenj të Veriut.
“Ai e ka terrorizuar Perandorinë Osmane. Ka qenë shumë interesant si personazh dhe si Nopcsa bashkë me Dodën kanë arritur ta manipulojnë Mustafanë”, ka shpjeguar tutje ajo. Majlinda Bregasi tashmë është emër i njohur i letërsisë shqipe, veprat e së cilës janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera.
“Diplomaci, spiunazh, zbulime shkencore, rebelim e dashuri mbushin jetën e Baronit Franz Nopcsa në Shqipëri. I njohur si babai i dinozaurëve të Transilvanisë, një gjeni i jashtëzakonshëm si Nopcsa dashurohet me një popull që rrezikonte zhdukjen nën rrënojat e Perandorisë Osmane. Baroni Nopsca dhe sekretari dhe miku i tij, Bajazid Doda, një antropolog i ri i guximshëm, luftojnë krah malësorëve të vetmuar, i furnizojnë me armë e para, deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë”, është përshkrimi që i bëhet librit nga Botimet KOHA. Për këtë roman, ajo ka treguar se i janë dashur dy vjet kërkime. E ka theksuar para të pranishmëve që e ka të vështirë të shkruajë pa dokumentuar.
“Kur e kam lexuar ditarin e Nopces kam qenë shumë e emocionuar dhe pastaj kam lexuar çfarëdo që kam gjetur për të”, ka treguar ajo. Sipas saj, gjeniut të shekullit të kaluar shqiptarët ia kanë “borxh 70 për qind të hartave shqiptare, pasi që ka dhënë një kontribut të madh në hartografinë shqiptare”. Sipas saj, ai i ka ecur malet pëllëmbë më pëllëmbë dhe i ka korrigjuar ato.

Romani, i cili e shëtit lexuesin nëpër histori që lidhen me dy epoka të ndryshme, dëshmon rezistencën e njeriut ndaj reagimeve të njëjta. Pasioni, tradhtia e xhelozia, ato që shfaqen njësoj përtej kohëve. Bregasi teksa i ka njoftuar të pranishmit me mënyrën e shkrimit të romanit, ka shtuar se pasioni i madh për këtë histori të ndeshur gjatë kohës së pandemisë e ka bërë të shijojë shumë më shumë procesin e shkrimit. Për ta bërë shkrimin me dokumentues, disa pjesë i ka shkruar nga vendet ku kishte qëndruar baroni austro-hungarez i cili u dashurua në shqiptarët.
“Për shembull në Cetinë ai flet për Kishën e Vllehëve, e cila është e rrethuar me mbi 1300 grila me tyta të pushkëve që ua kanë marrë turqve para se Mali i Zi të fitonte pavarësinë. Edhe e kam xhiruar atë kishë”, ka treguar Bregasi, teksa është ndalur edhe te antropologu i parë shqiptar, Bajazit Doda, i cili ishte mik i Nopcsës që udhëhiqej nga guximi për t’u dalë në krah malësorëve të vetmuar.
“Doda është një personazh fantastik, antropologu i parë shqiptar i cili ka dokumentuar Rekën e Epërme. E ka ditur që aty nuk do të ketë më shqiptarë”, ka shtuar tutje Bregasi. E pyetur për titullin e librit dhe dallimin e tij me librat paraprakë, Bregasi ka shpjeguar se për “Stinën e pestë” i janë dashur katër muaj të mendohet. Te publiku e ka plasuar si libër të shkruar pa filtra e me shumë sinqeritet.
“’Stina e pestë’ është stina e njeriut dhe në konceptin se si quhet stina e pestë është stina kur njeriu e merr pushtetin mbi të gjithë botën. Aty është njeriu ashtu siç është, pa paragjykime as në jetën sentimentale”, ka thënë tutje ajo.
Romani “Stina e pestë”, është pjesë e 160 titujve të Botimeve KOHA, të cilët shpalosin histori të jashtëzakonshme. Histori të tilla mund të gjenden në kafe-librarinë ‘KOHA’, që ndodhet në rrugën “Sylejman Vokshi” shumë pranë sheshit të kryeqytetit.