Tash e katër edicione festivali i filmave malorë dhe aktiviteteve në natyrë – BANFF edhe në Kosovë sjell bukuritë natyrore nga krejt bota dhe aventurat e sportistëve në aktivitete të ndryshme. Këtë vit në ekranin e kinemasë “Armata” është shfaqur edhe filmi “Balkan Express”, ku nuk kanë si të mungojnë bukuritë e Kosovës dhe të Shqipërisë
Festivali i filmave malorë dhe aktiviteteve në natyrë - BANFF, vjen për të gjithë aventurierët, entuziastët e natyrës dhe tregimtarët nga e gjithë bota. Ky festival ikonik, i cili feston frymën e kulturës malore dhe sporteve në të shumtën e rasteve ekstreme, ka një histori të pasur që daton që nga fillimi i tij në 1976 në Kanada. Me kalimin e viteve është rritur në një ngjarje të njohur globalisht, duke shfaqur filmat e përzgjedhur nëpër vende të ndryshme të botës.
E tash e katër vjet edhe Kosova është njëri prej vendeve ku BANFF ndalet që bashkë me adhuruesit e maleve të eksplorojë majat më të larta nëpërmjet ekranit.
Ndër vite Festivali e ka zgjeruar shtrirjen e tij përtej vetëm filmave malorë. Ka filluar të përfshijë një gamë më të gjerë të aventurave dhe eksplorimeve në natyrë, të tilla si ngjitja në shkëmbinj, kaike, skijim dhe çështje mjedisore që prekin rajonet malore. Ky zgjerim e lejoi festivalin të lidhej me një audiencë më të gjerë entuziastësh dhe aventurierësh në natyrë.
Në kuadër të edicionit të katërt në Kosovë, në festivalin BANFF marrin pjesë 15 filma.
Në kinemanë “Armata” në kryeqytet, të martën mbrëma janë mbledhur shumë sportistë për të parë aventurat e kolegëve anembanë botës. Në mesin e filmave në ekranin e “Armatës” është shfaqur edhe filmi fitues që mban titullin “Balkan Express”, ku shpalosen edhe bukuritë natyrore të Kosovës dhe Shqipërisë. Max Kroneck dhe Jochen Mesle nisen në një udhëtim prej Münichut në Selanik dhe në 40 minuta, dokumentari produksion gjerman, nën regji të Philipp Beckerit, Max Kroneck, Jochen Mesles dhe Jochannes Müllerit përcjell aventurat e tyre në çiklizëm e skijim.

Drejtori i Festivalit, Besnik Shala, ka bërë të ditur se ky film është pritur me më së shumti entuziazëm prej audiencës.
“15 filma në total, 7 prej të cilëve shfaqen sonte, janë të metrazhit të shkurtër nga 4 deri në 40 minuta. E kemi edhe filmin fitues i cili quhet ‘Balkan Express’ dhe është i xhiruar nëpër shtete të ndryshme të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën e Shqipërinë dhe prezantohet paksa edhe kultura jonë dhe malet tona. Ka të bëjë me skijim dhe çiklizëm dhe besoj se ky është njëri prej filmave që pritet më së shumti nga audienca këtu”, ka thënë Shala.
Në natën e parë të festivalit janë shfaqur filma të ndryshëm, kryesisht të metrazhit të shkurtër, ndër ta si “Flow”, “Colors of Mexico” e “Movements In Jungle”. Secili nga ta, duke e prekur një sport tjetër e duke shpalosur ndjenjat e përjetuara.
Gresa Bakraqi, e shpallur atletja më e mirë për 2021 në Kosovë, ka theksuar se festivalet rrallëherë kanë të bëjnë me diçka të tillë. Është shprehur se BANFF po e sjell një dimension tjetër të vetëdijesimit për aktivitetin fizik.
“Festivalet janë e kundërta e asaj se çfarë unë bëj dhe kjo është hera e parë që po marr pjesë në BANFF, sepse u bëra shumë kureshtare në momentin kur e kuptova se ka të bëjë me sportin dhe ky është festivali i vetëm që lidhet edhe me aktivitetin tim si atlete. Më ka bërë të ndihem shumë mirë, sepse ne në jetën e përditshme mundohemi t’u tregojmë të tjerëve për rëndësinë e aktivitetit fizik, por nganjëherë është e vështirë me fjalë apo nëpërmjet rrjeteve sociale dhe ky festival e bën atë në një formë të veçantë nëpërmjet filmit”, ka thënë Bakraqi.
Përveç shfaqjes së filmave, festivali i filmave malorë dhe aktiviteteve në natyrë - BANFF është bërë një platformë edhe për fotografët e kameramanët për të ndarë punën e tyre. Ky zgjerim e ka forcuar edhe më tej reputacionin e festivalit si një festë multidisiplinare të kulturës malore.
Vali Çollaku, atlete tash e 15 vjet, ka thënë se këta filma testojnë potencialin njerëzor dhe shpalosin bukuritë natyrore të botës në mënyrën më të veçantë.
“Me këtë festival në realitet më lidh jeta ime, sepse unë e bëj një jetë të tillë. Për tash e 15 vjet unë bëj aktivitete në bjeshkë dhe 5 vjetët e fundit e kam edhe klubin tim të ecjes. Ky festival e sjell një dimension krejt tjetër, sepse për të realizuar filma në kushte të tilla duhet pasur njerëz të cilët duhet të jenë thuajse të të njëjtit nivel me sportistët”, ka thënë Çollaku.
Festivali i filmave malorë dhe aktiviteteve në natyrë – BANFF do të vazhdojë edhe të mërkurën me shfaqjen e 8 filmave, ku përveç atyre që sjellin aventurat e sportistëve vijnë edhe filma informues dhe vetëdijesues për ruajtjen e mjedisit.