Kulturë

Ballafaqime lirike me PJ Harveyn edhe në Kosovë

PJ Harvey në dokumentarin “A Dog Called Money” (Foto: Seamus Murphy/Abramorama)

Në dokumentarin “A Dog Called Money”, muzikantja PJ Harvey udhëton në Kabul, Kosovë dhe Washington D.C, në kërkim të frymëzimit

New York, 8 janar (NYT) – Kur po e realizonte albumin e saj të vitit 2016, “The Hope Six Demolition Project”, muzikantja PJ Harvey bëri diçka të rrallë: e hapi për publikun procesin e incizimit. Ajo dhe ekipi i saj ngritën një studio në Londër që ua mundësonte adhuruesve të këngëtares apo të gjithë atyre që ishin kureshtarë t’i shihnin Harveyn dhe bashkëpunëtorët e saj muzikorë.

Siç kronikohet tek “A Dog Called Money”, ky ishte kulmimi i një pune më të gjatë. Këngët nisën si shkrime kur Harvey tok me fotoreporterin Seamus Murphy ishin në Kabul, Kosovë dhe Washington D.C.

Në kërkim të frymëzimit, Harvey vizitoi jo vetëm vendet e zhuritura, por edhe ato plot gazmend, të tilla si një dyqan veglash muzikore në katin e sipërm të një objekti në Afganistan. Ajo përsiati për privilegjin e saj – duke zhbiruar mes rrënojash e copëzash orendish në një shtëpi të bombarduar në Kosovë – kur vuri re: “Unë po shkel mbi gjërat e tyre me sandalet e mia të shtrenjta me lëkurë”.

Një skenë ku një kor ungjillor në D.C. kontribuoi në një prej këngëve të Harveyt është paksa bezdisëse. Harvey është e respektueshme dhe e sjellshme. Por, madje edhe nën rrethanat më të mira të supozuara, kur artistët e bardhë japin një formë autenticiteti duke ftuar njerëzit me ngjyrë të pasurojnë punën e tyre mund të duket paksa patronizuese.

Pjesët më shtrënguese të këtij filmi zënë vend në atë studio të përkorshme në Londër. Harvey është e dhënë pas hollësirave, me humor të mirë, e afërt për të gjithë dhe inkurajon kolegët e saj në muzikë. Meloditë që ajo bën janë të ndërlikuara dhe eklektike, por ende i bëjnë nder drejtpërdrejtshmërisë së veprave të saj të hershme.

Përktheu: Salih Mehmeti. Titulli është i redaksisë