Kulturë

“Balkan Bordello” inskenohet në Suedi si rrëfim për gadishullin e trazuar

BALLKAN BORDELLO

Rrëfimi teatral i një skene ballkanike do të shfaqet 12 herë në teatrin e qytetit Uppsala në Suedi. Kasta e aktorëve ndërkombëtarë bashkë me regjisoren Blerta Neziraj dhe dramaturgun Jeton Neziraj janë në proces përgatitjesh për maratonën e “Balkan Bordello” që i paraprin premiera e 13 prillit

Është një dramë anti-luftë. Triumfi në betejë, fitorja e neveritshme, vdekja janë prej veç disa prej ngjarjeve dramatike në shfaqjen 2 orë e gjysmë. Humori i zi në zbulimin e temperamentit ballkanik është krejt thelbi. Rrëfimi teatral i një skene ballkanike do të shfaqet 12 herë në teatrin e qytetit Uppsala në Suedi. Kasta e aktorëve ndërkombëtarë bashkë me regjisoren Blerta Neziraj dhe dramaturgun Jeton Neziraj janë në proces përgatitjesh për maratonën e “Balkan Bordello” që i paraprin premiera e 13 prillit.

E qasshme do të jetë edhe prova gjenerale më 12 prill. Në skenën e teatrit të qytetit rreth 70 kilometra larg kryeqytetit suedez, Stokholmit, shfaqja ndërkombëtare e ndërtuar nga dyshja nga Kosova e shpalos rrëfimin si një lojë për shoqëritë e Ballkanit.

Stacioni mbetet i njëjtë – ai i produksionit, teatri i qytetit Uppsala. Është hera e katërt që inskenohet deri tash. “Balkan Bordello” do të jepet këtë muaj edhe më datat 17, 18, 19, 20, 23, 26 dhe 27. Teatri do ta ketë në repertor këtë shfaqje edhe në fillim të muajit maj më datë 2, 4 dhe 8.

Regjisorja e shfaqjes “Balkan Bordello”, Blerta Neziraj, ka thënë se provat kanë nisur qysh në muajin shkurt. Ka thënë se janë gati për premierë.

“Provat i kemi nisur qysh në shkurt dhe nga ajo kohë kam punuar intenzivisht. Është projekt i madh, me skenografi shumë prezente, me 14 aktorë e muzikantë në skenë. Megjithatë, kemi përparuar shumë mirë dhe tani jemi gati për premierën që do të jepet më datë 13 prill. Shfaqja zgjat rreth dy orë e gjysmë”, ka thënë regjisorja Neziraj në pauzë provash në një përgjigje për KOHËN.

Kasta është në përbërje të Anna Azcárate, Anna Azcárate, Lolo Elwin, Jakob Fahlstedt, Harry Friedländer, Henrik Jäderberg, Tobias Kalliokulju, Robin Keller, Lars Göran Persson, Moa Silén, Tomas Tjerneld, Birthe Wingren. Në shfaqje luan edhe Bashkim Neziraj, aktor i Teatrit të Qytetit në Uppsala. Neziraj ka prejardhje nga Deçani.

Për regjisoren e shfaqjes që ka dërguar rrëfimin nëpër skenat e teatrove të këtyre vendeve, “Balkan Bordello” do të jetë debutim i punës së saj në një shtet skandinav.

“Uppsala Stadsteater e kontaktoi Jetonin, për t'ia marrë të drejtat e dramës për një premiere suedeze të ‘Balkan Bordello’, e pastaj më pyetën mua nëse doja ta bëja regjinë, dhe natyrisht, unë pranova me kënaqësi. Është hera e parë që punoj në Suedi dhe po ashtu hera e parë në një teatër në Skandinavi. Puna në skenë dhe gjithçka tjetër këtu duket që është më e strukturuar dhe e planifikuar. Pritjet janë po ato që kam para çdo premiere dhe ato bëjnë bashkë lodhjen, frikën, por edhe entuziazmin e shpresën që shfaqja do të pritet mirë nga publiku”, ka treguar regjisorja Neziraj.

Ndërsa për dramaturgun Jeton Neziraj, publiku suedez është i njohur. Në vitin 2014, shfaqja “Peer Gynti nga Kosova” kishte gjithsej 18 paraqitje nëpër teatro të ndryshme në Suedi. 

Teatri i qytetit Uppsala ka dy hapësira kryesore. Njëra akomodon 528 persona ndërsa tjetra 150. Një nga ngjarjet më të njohura të këtij teatri është “Revolve Performance Art Days”, festival vjetor i artit skenik. 

Në përshkrimin për shfaqjen “Balkan Bordello”, atë e përshkruan si portret për konfliktet e pazgjidhura që shkaktojnë hakmarrje dhe abuzim me pushtetin.

“Balkan Bordello është një dramë familjare që zhvillohet në hotelin dikur të madh ‘Balkan Express’. Agamemnoni fitimtar kthehet në shtëpi si hero lufte, por gruaja e tij ka gjetur një dashnor dhe ndizet historia e një familjeje të thyer. Çfarë ndodh me individin, me marrëdhëniet dhe me shoqërinë kur ushtarët sergerë kthehen pas përfundimit të luftës? Kush është heroi dhe kush është në të vërtetë tradhtar?”, shkruan teatri i qytetit Uppsala, qyteti i katërt për nga madhësia në Suedi, pas Stokholmit, Gothenburgut dhe Malmos.

Duke iu referuar shfaqjes si një dramë anti-luftë, regjisorja Blerta Neziraj ka thënë se mbi këto premisa funksionon në çdo kontekst ku inskenohet. Atë e ndërlidh edhe aktualiteti me luftërat prezentë në botë.

“Kështu ka qenë para dy vjetësh kur e inskenova për herë të parë, e kështu është edhe tash. Asokohe, lufta në Ukrainë nuk kishte shumë kohë që kishte filluar, dhe kjo dramën e bënte më tepër se sa aktuale. Dy vjet më pas, asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, lufta në Gaza veçse e ka shtuar edhe më tepër ndjenjën e ‘urgjencës’ dhe të ‘aktualitetit’ “, ka vlerësuar Blerta Neziraj, regjisorja e shfaqjeve “The Handke Project”, “Kthimi i Karl Majit”, “Pesë stinët e armikut të popullit”, “55 shades of gay” e shumë të tjera.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë qenë stacionet e mëparshme të “Balkan Bordello”. Në gusht të 2022-s ajo ishte luajtur në “Nisville Jazz Teatar Festival” në Nish, në “Orhid Summer Festival” në Ohër, në “KotorArt International Festival” në Kotor e në “Wild Beauty Art Festival” në Zhablak.

Paraprakisht teksti i Jeton Nezirajt kishte tri inskenime. Në nëntor të vitit 2021 qe bashkëprodhim i teatrit “La MaMa” nga New Yorku, qendrës “Multimedia” nga Prishtina, teatrit “Atelje 212” nga Beogradi dhe fondacionit “My Balkans” nga New Yorku dhe Beogradi. Situatat qenë më universale për dallim nga inskenimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës i vitit 2017 dhe ai në Podgoricë, në Teatrin Kombëtar të Malit te Zi, me titull “o.REST.es IN PEACE” më 2015. Asokohe, premierën e kishte në Prishtinë në teatrin “Oda” në kuadër të edicionit të katërt të “Kosovo Theater Showcase”. Pesë muaj më pas ishte shfaqur në SHBA, në teatrin prestigjioz “La MaMa” në New York. Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, ishte dhënë premierë amerikane më 31 mars të 2022-s. Ishte shfaqur për dhjetë ditë rresht në “La MaMa”.

Shfaqja e bazuar në trilogjinë “Orestia” të Eskilit sillet në frymë bashkëkohore. Vlerësohet si një përrallë epike për epokën e çmendurisë në të cilën jetojmë. Ajo vendoset në një kafehane. “Balkan Bordello” ishte vlerësuar lart nga kritikë e media të njohura botërore.

“Gjuha teatrore është sa alegorike edhe lirike. Qëndrimi ushtarak dhe derdhja e gjakut gjithmonë kërkon hakmarrje”, kishte shkruar “American Theatre”.

Mediumi gjerman “Deutsche Welle” e kishte vlerësuar si “një shfaqje teatrore e cila ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm në tërë Ballkanin”. “Ajo flet për luftërat në ish-Jugosllavi, mirëpo bazohet në tragjeditë greke dhe bart një mesazh universal kundër luftës”, kishte shkruar “Deutsche Welle”.

Në shfaqje vrasjet që ndodhin pas luftës, përfshirë komandantin, kalojnë nëpër procese intervistimesh që asnjëherë nuk marrin epilog. Por lufta e luftëtaret mbesin në piedestal sikurse kur janë të gjallë, ashtu edhe të vdekur.

Në vitin 2017, dramaturgu Jeton Neziraj qe kërcënuar me vrasje pasi organizatat e veteranëve të UÇK-së konsideronin se ai po njolloste vlerat e luftës. Asokohe shfaqja qe inskenim i Teatrit Kombëtar të Kosovës me titull “Bordel Ballkan”. Për ironi, vetë Neziraj ishte pjesë e kësaj guerileje në rrethin që jetonte. Komandant nuk ishte asnjëherë, por sa i përket thumbimit të realitetit nëpërmjet artit, goxha njëfarë eprori.

 

Folegj: Rrëfimi teatral i një skene ballkanike do të shfaqet 12 herë në teatrin e qytetit Uppsala në Suedi. Kasta e aktorëve ndërkombëtarë bashkë me regjisoren Blerta Neziraj dhe dramaturgun Jeton Neziraj janë në proces përgatitjesh për maratonën e “Balkan Bordello” që i paraprin premiera e 13 prillit