Banorët e qytetit bregdetar kanë pasur rastin të shohin një prej shfaqjeve më të pëlqyera të kësaj trupe për sivjet. “Correr o Fado” me koreografi të Daniel Cardoso, e cila shpalos një histori portugeze, në Ulqin ka shkuar në kuadër të programit të fundvitit në Qendrën për Kulturë
Skenat italiane, ato austriake për disa balerinë edhe ato në New York sivjet kanë qenë pjesë e programit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Ky institucion këtë vit e ka përmbyllur të dielën mbrëma në Ulqin. Banorët e qytetit bregdetar kanë pasur rastin të shohin një prej shfaqjeve më të pëlqyera të kësaj trupe për sivjet. “Correr o Fado” me koreografi të Daniel Cardoso, e cila shpalos një histori portugeze, në Ulqin ka shkuar në kuadër të programit të fundvitit në Qendrën për Kulturë.
Si shëtitje nëpër kulturën portugeze vjen shfaqja “Correr o fado”. Balerinët kapin ritmin fados, një muzikë tradicionale portugeze që shquhet nga melankolia e me temë për detin dhe jetën e varfër. E qyteti i Malit të Zi që laget nga Adriatiku si nikoqir i historisë që shtjellohet nëpërmjet lëvizjeve ka mirëpritur institucionin e Kosovës.
Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, ka thënë se ka më shumë se dy muaj që kanë pranuar ftesën e Komunës e Ulqinit për të qenë pjesë e aktiviteteve të fundvitit.
“Duke pasur parasysh që shfaqja ‘Correr o Fado’, të cilën e kemi realizuar si premierë në qershor të vitit 2023, është një nga shfaqjet më të pëlqyera nga publiku, atëherë kemi vendosur që të paraqitemi para publikut ulqinak me këtë shfaqje. Publiku me duartrokitje dhe ovacione e ka mirëpritur performancën e balerinëve tanë”, ka thënë Kajtazi.
Nën ritmin e këngëve fado, të cilat të sjellin ndërmend kulturën e vallëzimin portugez, trupa nis t’i japë formë performancës. Janë tetë balerinët – Jeta Musolli, Mërgime Morina, Vjollca Llugiqi, Fatmir Smani, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Fisnik Smani dhe Leonora Rexhepi – që nëpërmjet lëvizjeve të shkathëta e kërcimeve delikate vjedhin vëmendjen e publikut. Fillimisht e gjejnë harmoninë bashkë e më pas i japin hapësirë edhe lojës në dyshe. Përfundimi i një pjese konfirmohet me fikjen e dritave, pas të cilave në sallë shpërthejnë duartrokitjet. Pjesa e dytë e lejoi trupën që të vijë në performanca dyshe. Teksa çiftet vallëzojnë nën dritën e reflektorit, pjesa tjetër e trupës qëndron ulur mbi kubet me ujë, duke shikuar me admirim vallëzimin e palës tjetër. Ndonëse shfaqja në përgjithësi shquhet nga nota sentimentale, të buta e plot melankoli, vallëzimi në çift sjell edhe momente romantike, shoqëruar edhe me betejë për të arritur dashurinë e tjetrit.
Pjesa kulmore e shfaqjes si zakonisht vjen gati në fund. Balerina Vjollca Llugiqi solli njërin ndër interpretimet më të veçanta të vëna në skenë nga Baleti Kombëtar i Kosovës. E shtyrë nga dy balerinë, Llugiqi zhytet brenda objektit më ujë. Llugiqi noton nga njëra anë në tjetrën, duke qenë plotësisht nën ujë. Kjo skenë kishte bërë që gushtin e sivjetmë në Gracë të Austrisë publiku të tregonte një solidarizim të madh me balerinën. Derisa shfaqja po jepej në ambient të hapur dhe shiu nuk kishte të ndalur, publiku i numërt në shenjë solidarizimi kishte hequr ombrellat.
Ulqinit, Baleti Kombëtar i Kosovës i është kthyer pas paraqitjes së vitit të kaluar “Skenën verore” që tradicionalisht zë vend në Kalanë e qytetit.
“Ulqini gjithnjë është vend atraktiv për të luajtur balet, pasi nikoqirllëku i publikut na e dëshmon këtë”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi.
Përtej shfaqjeve nëpër Evropë e pjesëmarrjes në New York, sivjet BKK-ja ia ka dalë që në fundvit të japë edhe “Arrëthyesin”. Bashkë me Orketrën e Filharmonisë së Kosovës para dhjetë ditësh kanë hyrë në historinë e ansambleve që këtë shfaqje e realizojnë në prag të festave.
Magjepsës e magjik do të përmblidhej me një fjalë “Arrëthyesi” i Kosovës, një prej produksioneve më madhore në botën e artit skenik si traditë e kahershme e festave të fundvitit. Një lloj rituali përrallor në botë, ngjarje historike në vend. Baleti Kombëtar i Kosovës është harmonizuar me Filharmoninë e Kosovës në kapitullin e baletit klasik si “gurthemel” i produksioneve të mëdha.
Kontrasti me shfaqjet paraprake bashkëkohore të Baletit është “Arrëthyesi” klasik. Me të ishte synuar tjetër nivel dhe institucioni ishte sfiduar në krejt aspektet. Të shtunën në premierë rezultati qe mbresëlënës.
“Arrëthyesi” i Kosovës frymoi magjishëm duke sjellë atmosferën mbretërore e emocione në çdo sekuencë të koreografisë e lojës muzikore.
Shfaqja me koreografi të Ilir Kernit ka qenë një lloj shfaqjeje më aristokrate në paraqitje. Është përcjellë me aktrim e që i ka dhënë ngjyrat operistike baletit “Arrëthyesi” të rusit Tchaikovsky.
Kjo shfaqje pritet që të jetë pjesë e repertorit të çdo fundviti. E për vitin që vjen, BKK-ja pret t’i tejkalojë arritjet e këtij dymbëdhjetëmujori.