Kulturë

“Balada e buburrecit” nis komunikimin në italisht nëpërmjet Torinos

Panairi i Librit në Torino ka qenë stacioni i parë i veprës së Shpëtim Selmanit, botuar në italisht me titullin “Ballata Dello Scarafaggio”. “Me atë se çfarë po shoh dhe dëgjoj, duket se lexuesi italian e ka pritur mirë. Shtëpia botuese është jashtëzakonisht e fuqishme në tregun e këtushëm letrar”, ka thënë Shpëtim Selmani, i cili po merr pjesë në të tjera ngjarje e përurime. Panairi ka thënë se ia jep përshtypjen sikurse “çdo i dyti njeri është shkrimtar”. Në panair merr pjesë edhe Shqipëria

“Balada e buburrecit” e Shpëtim Selmanit tashmë ka nisur komunikimin në italisht dhe stacioni i parë i këtij rrugëtimi është Panairi i Librit në Torino. Ka pasur një përurim në edicionin e 35-të të kësaj ngjarjeje, por takimin me lexuesin italian nuk e ka ndalur me kaq. “Balada...” një vepër që “refuzon mënyrën tradicionale të shkrimit”, u përkthye në italisht me titullin “Ballata Dello Scarafaggio”, ende pa u bërë një vit prej se u botua në shqip. Selmani, i cili po merr pjesë në përurimet në Itali, ka thënë se botimi në italisht veçse ia shton përgjegjësinë si autor.

“Dua ta falënderoj Anilda Ibrahimin, një shkrimtare shqiptare që jeton këtu. Ajo e bëri një prezantim të librit. Shpesh nuk dija çka të thosha apo të shtoja pas asaj që thoshte ajo. Panairi ende po vazhdon dhe libri është në tendën e ‘Feltrinellit’. Do të presim të mbarojë dhe ta kuptojmë se si do të pritet, gjithsesi për mua është e rëndësishme si prezantim dhe shton përgjegjësinë si autor”, ka thënë Selmani për KOHËN, duke përshkruar përurimin e së enjtes mbrëma, në ditën e parë të Panairit në Torino. Ka thënë se deri më tani për librin ka marrë komente pozitive. Pas promovimit, shkrimtari nga Kosova pritet të marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera, përfshirë një promovim tjetër.

“Me atë se çfarë po shoh dhe dëgjoj, duket se lexuesi italian e ka pritur mirë. Shtëpia botuese është jashtëzakonisht e fuqishme në tregun e këtushëm letrar. Dhe unë jam i lumtur që libri është publikuar në Itali dhe deri tash po merr recensione pozitive”, ka thënë Selmani.

Selmani të premten mbrëma ka marrë pjesë edhe në panelin mbi letërsinë në Ballkan e të shtunën ka bërë mbi 300 kilometra për në Rovereto, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh. Në librarinë “Arcadia” të këtij qyteti, sonte, do të ketë një përurim tjetër të librit të tij.

Shtëpia botuese “La Feltrinelli” u themelua në fund të vitit 1954 në Milano. Themeluesi i saj, Giangiacomo Feltrinelli, në vitin 1949 themeloi edhe Bibliotekën “G. Feltrinelli” për studimin e historisë bashkëkohore dhe lëvizjeve shoqërore, e cila fillimisht u shndërrua në institut, e më pas në fondacionin “Giangiacomo Feltrinelli”. Në vitin 2022, “La Feltrinelli” u rendit e katërta sa i përket numrit të shitjeve në Itali. Njihet veçmas për botimin e “Doktor Zhivagos” të Boris Pastërnakut (1957), por edhe për botimin e veprave të Henry Millerit, që në atë kohë ishin jo pak skandaloze. Që nga viti 2020, shtëpia botuese “Croccetti” u bë pjesë e “Feltrinelli Group”. “Crocceti” u themelua në vitin 1981 nga Nicola Crocetti dhe kryesisht është marrë me botimin e librave me poezi, veçanërisht ato të poetëve bashkëkohorë grekë dhe ato të prozatorëve modernë grekë. Ndër shkrimtarët bashkëkohorë që ka botuar kjo shtëpi janë edhe Odysseas Elytīs, i cili në vitin 1979 mori “Nobelin” për letërsi sikurse edhe Derek Walcott, i cili po këtë çmim e mori më 1992.

Në një prononcim që Selmani kishte dhënë para një muaji për KOHËN, kur u bë e ditur për përkthimin e veprës në italisht, kishte vlerësuar edhe faktin që libri i tij po botohej nga një shtëpi e tillë italiane. Sipas tij, përveç faktit që një libër po përkthehet, e rëndësishme është edhe se kush e boton atë përkthim.

“Përkthimi së pari është i rëndësishëm për mua. Por normalisht tash të shohim se si do ta presin. Shpresoj ta presin mirë. Por, përkthimi në rend të parë është i rëndësishëm për autorin, të mos shesim moral, e të themi se është i rëndësishëm për letërsinë shqipe, sepse normalisht që është. Ata më kanë pyetur nëse ka ndonjë autor tjetër shqiptar dhe unë ua kam rekomanduar disa. Nëse do të shkonte edhe dikush tjetër pas meje, do të më bëhej qejfi shumë”, kishte thënë Selmani.

Në “Balada e buburrecit”, Selmani ndan me lexuesin edhe diçka nga jeta e tij e përditshme e personale. Tregimin e zgjeron duke shpalosur edhe nga lidhja e tij me letërsinë serbe, teksa në fund del te raporti i Kosovës me vendet evropiane.

“Në librin e fundit, për herë të parë kam shkruar për luftën sepse e kam parë që është domosdoshmëri. Libri është i ndarë në tri pjesë. E para është rrëfim personal, intim i jetës sime me Blerën (gruan) dhe djalin. Mandej vjen pjesa e dytë, quhet ‘Letër për Ramillën’, një shkrimtare serbe. Kjo pjesë e shpjegon edhe raportin tim me letërsinë serbe edhe kontekstin politik, por edhe këtë përpjekjen tonë të këtyre idealistëve, shqiptarëve që kanë bërë përpjekje për ta krijuar një urë të re bashkëpunimi, e me ecë përpara. Pjesa e tretë dhe e fundit është raporti me evropianët dhe paragjykimet e tyre në atë se si na shohin”, ka shpjeguar Selmani.

Image
Si një vepër që “refuzon mënyrën tradicionale të shkrimit”, u përkthye në italisht me titullin “Ballata Dello Scarafaggio”, ende pa u bërë një vit prej se u botua në shqip

“Sikur çdo i dyti njeri është shkrimtar”

Themeluar në vitin 1988, Panairi Ndërkombëtar i Librit në Torino është një nga panairet më të mëdha të librit në Evropë. Në të marrin pjesë më shumë se 1.400 shtëpi botuese, ndërsa në vitin 2015 kishte numëruar gjithsej 341 mijë vizitorë.

I mahnitur me madhështinë e këtij panairi është edhe shkrimtari Shpëtim Selmani. Ka veçuar posaçërisht numrin e madh të shkrimtarëve që po marrin pjesë në Panair.

“Panairi është i jashtëzakonshëm. Me praninë e shumë autorëve të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore botërore. Kur shoh gjithë këta libra habitem dhe më krijohet bindja sikur çdo i dyti njeri është shkrimtar. Dhe habitem me botën jashtë, e cila është ashtu siç ka qenë gjithmonë, mbushur me konflikte, terror dhe padrejtësi”, ka thënë ai.

Në Panairin e Librit në Torino, në mesin e pjesëmarrësve të sivjetmë është edhe Shqipëria.

“Në një atmosferë të jashtëzakonshme miqsh, ku kryefjala e ditës është libri, nisi edicioni i 35-të i ‘Salone Internazionale del Libro’! Për herë të parë Shqipëria është vendi mik i Sallonit dhe urojmë që ky të jetë një moment i bukur për të njohur njëri-tjetrin”, ka shkruar ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, në profilin e saj zyrtar në Facebook.

Shqipëria “pa Kosovën” në Panair

Për pjesëmarrjen e Shqipërisë, Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se e sheh si të “mangët çdo prezantim qoftë të Kosovës, qoftë të Shqipërisë, që cungohet në prezantimin e letërsisë bazuar në kufijtë administrativë”. Për KOHËN ka treguar se një gjë të tillë ia kishte thënë drejtpërdrejtë edhe ministres së Kulturës së Shqipërisë, të cilën e kishte takuar vitin e kaluar në Panairit të Librit në Tiranë.

“Për mua është lajm i mirë që Shqipëria po merr pjesë në Panair të Librit në Torino. Por reagimi im është më shumë një thirrje. Ka kohë që e bëj të njëjtën thirrje. Edhe vitin e kaluar kur e kam takuar ministren e Kulturës në Panairin e Librit në Tiranë, i kam thënë që është e nevojshme që edhe prezantimi në Frankfurt me qenë i përbashkët Kosovë – Shqipëri. Edhe ne kur marrim pjesë në Panairin e Librit në Frankfurt, praktikisht thjesht e përfaqësojmë Kosovën dhe Shqipëria tash në Torino e përfaqëson Shqipërinë. Por, letërsinë shqipe nuk mund ta ndash me thikë, me kufij administrativë”, ka thënë Zeneli.

Një prezantim të tillë Zeneli ka thënë se Kosova e kishte bërë dy herë. Në vitin 2012 dhe 2021, në Panairin e Librit në Frankfurt, Kosova e kishte përfaqësuar edhe Shqipërinë e kjo jo si rezultat i ndonjë marrëveshjeje midis dy shteteve, por si vetëdëshirë nga Kosova.

“Në vitin 2021 Kosova e ka përfaqësuar edhe Shqipërinë në Panairin e Librit në Frankfurt. Edhe në vitin 2012 po njëjtë sepse ka qenë njëqindvjetori i shtetit shqiptar. Kur kemi marrë pjesë ne si Kosovë në Panairin e Librit në Frankfurt me vetëdëshirë dhe me vullnet e kemi përfaqësuar shtetin e Shqipërisë. Po njëjtë në vitin 2021, meqenëse ishin masat e pandemisë dhe ata na patën ofruar hapësirë të dyfishtë, kemi mundur ta përfaqësojmë edhe Shqipërinë dhe s’e kemi pasur problem. E kemi organizuar edhe prezantimin e shtetit shqiptar. Por kjo ka ndodhur prej nesh si Kosovë, ata nuk kanë ardhur as fizikisht aty”, ka kujtuar ai.

“Panairi Ndërkombëtarë i Librit në Torino” do të zgjasë deri të hënën më 22 maj.