Librit të Shpëtim Selmanit nuk i janë dashur as nëntë muaj prejse doli në shqip, që të kërkohet të përkthehet edhe në italisht. Është “Crocetti”, botuesi që në listë ka edhe shkrimtarë nobelistë, ai që e ka marrë përsipër botimin e promovimin. “Libri do të jetë pjesë edhe e Panairit të Librit në Torino ku pritet t’i kem edhe disa intervista”, ka thënë Selmani. Një ngjarje si ky Panair, është mundësi e mirë, pasi ka edicioni që vizitohet edhe nga 340 mijë vizitorë. Selmani ka thënë se botimi i “Baladës…”, nuk është me peshë vetëm për të
Rrugëtimi i Shpëtim Selmanit për te lexuesi i huaj ka kohë që ka nisur kur vepra e tij “Libërthi i dashurisë”, fituese e Çmimi Letrar të Bashkimit Evropian më 2020, qe përkthyer në gjermanisht e në frëngjisht. Por tash, italishtja është gjuha tjetër në të cilën flet vepra e tij.
Libri i tij i fundit, “Balada e buburrecit” është gati për të komunikuar edhe në italisht dhe atë botuar nga njëra prej shtëpive më të mëdha botuese italiane, “Crocetti” e themeluar më 1981, e që tre vjet më parë ishte blerë nga “La Feltrinelli” me shtatë dekada traditë.
“Balada e buburrecit”, që “refuzon mënyrën tradicionale të shkrimit”, botuar prej “Dukagjinit” në qershorin e vjetmë, takimin e parë me lexuesit e pati në Panarin e Librit në Prishtinë. Ende pa u bërë një vit, libri pritet të ndeshet edhe me lexuesin italian. I përkthyer tashmë, promovimin e ka të sigurt.
“Libri do të jetë pjesë edhe e Panairit të Librit në Torino ku pritet t’i kem edhe disa intervista”, ka thënë Selmani për KOHËN. Panairi i Torinos, është një ngjarje madhore e librit, i mbajtur për të parën herë më 1988, i cili ka pasur edicione si ai i 2015-s, kur kishte pasur deri në 340 mijë vizitorë. “Balada...” e Selmanit në italisht është përkthyer nga Fatjona Lamçe.
Por përveç “Baladës së buburrecit”, përkthime të reja priten edhe për “Libërthin e dashurisë” si dhe një përmbledhje e veçantë e disa poezive të Selmanit në gjuhën gjermane.
“’Libërthi i Dashurisë’ është botuar në gjermanisht në ‘Parasitenpresse’, pastaj në frëngjisht ndërsa këtë vit, në një përzgjedhje të bërë nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë do të botohet edhe në maqedonisht. Anglisht është përkthyer, por nuk është botuar ende, por këtë vit pritet të botohet edhe në bullgarisht. Një libër me poezi do të përkthehet prapë në gjermanisht te ‘Parasitenpresse’. Libri do të quhet “Manifesti i mbijetesës” dhe është një selektim i poezive, i cili pritet të botohet në shtator ose tetor”, ka bërë të ditur Selmani.
Shtëpia botuese ‘La Feltrinelli’ u themelua në fund të vitit 1954 në Milano. Themeluesi i saj, Giangiacomo Feltrinelli në vitin 1949 krijoi edhe Bibliotekën “G. Feltrinelli” për studimin e historisë bashkëkohore dhe lëvizjeve shoqërore, e cila fillimisht u shndërrua në institut, e më pas në fondacionin “Giangiacomo Feltrinelli”. Në vitin 2022, “La Feltrinelli” u rendit e katërta sa i përket numrit të shitjeve në Itali. Njihet veçmas për botimin e “Doktor Zhivagos” të Boris Pastërnakut (1957), por edhe për botimin e veprave të Henry Millerit, që në atë kohë ishin jo pak skandaloze. Që nga viti 2020, shtëpia botuese “Croccetti” u bë pjesë e “Feltrinelli Group”. “Crocceti” u themelua në vitin 1981 nga Nicola Crocetti dhe kryesisht është marrë me botimin e librave me poezi, veçanërisht ato të poetëve bashkëkohorë grekë dhe ato të prozatorëve modernë grekë. Ndër shkrimtarët bashkëkohorë që ka botuar kjo shtëpi janë edhe Odysseas Elytīs, i cili në vitin 1979 mori “Nobelin” për letërsi sikurse edhe Derek Walcott, i cili po këtë çmim e mori më 1992.

Fakti se libri i tij botohet nga një shtëpi e tillë italiane, është konsideruar tejet i rëndësishëm edhe nga vetë Shpëtim Selmani. Sipas tij, përveç faktit që një libër po përkthehet, e rëndësishme është edhe se kush e boton atë përkthim. Ka thënë se përkthimi i librit të tij hap dyer edhe për përkthimin e autorëve të tjerë nga Kosova.
“Përkthimi së pari është i rëndësishëm për mua. Por normalisht tash të shohim se si do ta presin. Shpresoj ta presin mirë. Por, përkthimi në rend të parë është i rëndësishëm për autorin, të mos shesim moral, e të themi se është i rëndësishëm për letërsinë shqipe, sepse normalisht që është. Ata më kanë pyetur nëse ka ndonjë autor tjetër shqiptar dhe unë ua kam rekomanduar disa. Nëse do të shkonte edhe dikush tjetër pas meje do të më bëhej qejfi shumë”, ka thënë Selmani, i cili përveç autor librash, është edhe aktor.
Në rend të parë, përkthimi i një vepre është i rëndësishëm, sepse i jep mundësi autorit që libri i tij të dalë edhe përtej vendit dhe gjuhës në të cilën është shkruar. Fakti se libri i tij tashmë do të mund të lexohet edhe nga një audiencë më e gjerë e bën të lumtur shkrimtarin Selmani, i cili megjithatë, thekson rrezikun që ka procesi i përkthimi.
“Në Kosovë tregu është i vogël dhe ti njihesh me njëri-tjetrin. Në njëfarë forme edhe me lexuesin ke raporte të përditshme ndërsa autori kërkon, i bëhet qejfi, kur del në një audiencë që nuk është jotja, e aq më pak kur ata të kërkojnë ty, është shumë e rëndësishme. Por, në anën tjetër, është edhe problemi i përkthimit. Përkthyesja në italisht nganjëherë më thotë se disa fjalë nuk mund të përdoren italisht në kontekstin që i kam përdorur unë. Këtu është njëfarë rreziku ku mundet të çalojë, jo për shkak të përkthyesit por, për shkak të mënyrës se si unë shkruaj”, ka thënë Selmani.
Në rolin e shkrimtarit dhe njohësit të letërsisë shqipe e asaj të huaj, Selmani ka thënë se letërsia që sot zhvillohet në Kosovë është në nivel mjaft të kënaqshëm. Sipas tij, në këtë aspekt Kosova qëndron para Shqipërisë.
“Mendoj që letërsia në Kosovë është shumë mirë dhe meriton të dalë jashtë kufijve. Mua për vete letërsia që krijohet në Shqipëri më duket më e mbyllur, pak hermetike. Kosova është pak më e hapur, më eksperimentale dhe edhe ka bërë festivale të mirë. ‘Polip’ ka qenë një festival që i ka dhënë dritë letërsisë dhe autorëve në Kosovë. Por, nuk ka përkrahje. Është treg i vogël”, është shprehur Selmani.
Në veprën e fundit, “Balada e buburrecit”, Selmani ndan me lexuesin edhe diçka nga jeta e tij e përditshme e personale. Tregimin e zgjeron duke shpalosur edhe nga lidhja e tij me letërsinë serbe teksa në fund del te raporti i Kosovës me vende evropiane.
“Në librin e fundit, për herë të parë kam shkruar për luftën sepse e kam parë që është domosdoshmëri. Libri është i ndarë në tri pjesë. E para është rrëfim personal, intim i jetës sime me Blerën (gruan) dhe djalin. Mandej vjen pjesa e dytë, quhet ‘Letër për Ramillën’ një shkrimtare serbe. Kjo pjesë e shpjegon edhe raportin tim me letërsinë serbe edhe kontekstin politik, por edhe këtë përpjekjen tonë të këtyre idealistëve, shqiptarëve që kanë bërë përpjekje për ta krijuar një urë të re bashkëpunimi, e me ecë përpara. Pjesa e tretë dhe e fundit është raporti me evropianët dhe paragjykimet e tyre në atë se si na shohin”, ka shpjeguar Selmani.
Shpëtim Selmani ka studiuar për sociologji e aktrim në Universitetin e Prishtinës. Përveç që shkruan poezi dhe prozë, ai rregullisht luan në shfaqje teatrore e edhe në filma. Ka botuar edhe “Shënimet e një grindaveci” (2016) si dhe “Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit” (2010-2017).