Kulturë

Bajar Berisha – dirigjenti i pazakonshëm, muzikanti i rrallë

Trashëgimia e kontributi që ka lënë pas janë gurë të çmueshëm në historinë e muzikës klasike shqiptare. Bajar Berisha në jetën muzikore, siç thotë edhe maestro Rafet Rudi, do të konsiderohej edhe si person “jo i zakonshëm”, “i çuditshëm”, madje edhe “person kontrovers”. Epitetet si këto ia sillte ikja prej normave konvencionale. Sopranoja e shquar Elbenita Kajtazi e konsideron si profesor me përkushtim të jashtëzakonshëm që punonte pa kushte. Pos kësaj, ajo nënvizon se fatkeqësisht Berisha nuk është vlerësuar ashtu siç duhet, sepse në Kosovë jo shumë shpesh vlerësohen talenti i vërtetë, njerëzit e përkushtuar që punojnë shumë dhe me shumë pasion

Bajar Berisha, dirigjenti dhe profesori i shquar, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e muzikës klasike. Ata që e njohën nga afër e bashkëpunuan me të do ta konsideronin edhe si të pazakonshëm e të çuditshëm dhe kishte arsye për këtë. Biografia e tij është e gjatë. Kontributi madhor. Berisha vdiq të martën. Ishte 73-vjeçar. Kanë qenë familjarët e tij që kanë dhënë kumtin për vdekjen e tij. Lamtumira e fundit iu dha të mërkurën në varrezat e Prishtinës.

Berisha kishte qenë drejtor artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës. Ndikimi i tij i kapërceu kufijtë kombëtarë pasi dirigjoi me ansamble të njohura si Filarmonia e Beogradit, Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Kroacisë, Orkestra “Camerata” e Prishtinës dhe Kori i Fakultetit të Arteve.

Karriera e Berishës u karakterizua nga një përzierje intriguese. Me gjithë talentin, qasja e tij është parë ndryshe duke devijuar nga normat konvencionale në një fushë që shpesh u përmbahet rreptësishtë rregullave. Pavarësisht sfidave të paraqitura nga ky qëndrim, vizioni artistik i Berishës lulëzoi duke ngjallur admirim për aftësinë e tij për të lundruar në peizazhin e muzikës klasike me një stil të veçantë dhe pa kompromis.

Antikonformisti e talenti i madh

Kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi qëndrimin e tij e ka quajtur antikonformizëm të një talenti të madh.

“Në jetën tonë muzikore është konsideruar si person ‘jo i zakonshëm’, ‘i çuditshëm’, madje edhe ‘person kontrovers’, për shkak se në punën e tij si dirigjent apo si pedagog nuk u përmbahej normave të zakonshme të veprimit e të komunikimit me orkestrantë, me studentë, të komunikimit me kolegë e të tjerë”, ka thënë Rudi.

Si dirigjent i Orkestrës Simfonike të Prishtinës, Berisha luajti një rol kryesor për formësimin e identitetit dhe kontributin në jetën kulturore të Kosovës. Përtej kufijve rajonalë, bashkëpunimet e tij me orkestra dhe kore prestigjioze treguan universalitetin e gjuhës së tij muzikore.

Trashëgimia e Berishës shtrihet përtej shënimeve në një partiturë. Qëndron me ata që përjetuan magjinë e shfaqjeve të tij dhe ata që rrugëtimin në muzikë e nisën me Berishën si profesor.

Image
Bajar Berisha në “Lojërat Verore” të Dubrovnikut me Orkestrën Simfonike të RTP-së në vitin 1981 (Foto: Rafet Rudi/FB)

Profesori me përkushtim të jashtëzakonshëm

Aty bën pjesë edhe sopranoja e shquar Elbenita Kajtazi, e cila e ka përshkruar Berishën si një talent të rrallë, profesor e njeri që ka punuar me zell duke qëndruar pranë atyre që kanë dashur të mësonin më shumë nga ai.

“E kam shumë të vështirë të flas për profesorin Bajar, sepse e kam dashur shumë. Edhe profesori Bajar e luan një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tim artistik. Krejt çka mund të them për profesorin është që ka qenë ndër të vetmit profesorë të Universitetit të Arteve që ka punuar pa kushte, që ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për artin dhe kulturën e mirëfilltë”, ka thënë Kajtazi. E ka vlerësuar si një dirigjent aq të ndjeshëm saqë puna me të gjithmonë ka qenë shumë interesante.

“Kam mësuar shumë prej tij. Gjatë studimeve të mia ka ndodhur që kemi qëndruar deri në orën dhjetë në mbrëmje bashkë me Ardianin, bashkëshortin tim, dhe profesorin duke mësuar, duke dëgjuar muzikë, duke analizuar me aq zell dhe përkushtim dhe falë tij dhe punës që kam bërë me të unë arrita të shkoja jashtëzakonisht e përgatitur në Berlin për audicionin tim të parë”, ka thënë ajo. Por, zëri i shquar i skenave botërore, veçmas atyre në Gjermani, ku prej vitesh bën karrierë, ka thënë se profesori i saj i dikurshëm nuk gëzonte vlerësim.

“Fatkeqësisht profesori Bajar nuk është vlerësuar ashtu siç duhet, sepse në Kosovë jo shumë shpesh vlerësohen talenti i vërtetë, njerëzit e përkushtuar dhe njerëzit që punojnë shumë dhe me shumë pasion”, ka thënë Kajtazi.

Edukatori i gjeneratave të reja

Rrugëtimi muzikor i Bajar Berishës u shënua me momente të rëndësishme dhe kontribute për kulturën e Kosovës. Koncerti i tij me Orkestrën Simfonike të RTP-së në “Lojërat Verore” në Dubrovnik më 1981, siç theksohet në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dëshmoi veçantinë e artit të tij.

“Udhëhoqi paraqitjen e parë të një orkestre tonë simfonike në ‘Lojërat Verore’ të Dubrovnikut në vitin 1981, me ç’rast mori lëvdata të jashtëzakonshme nga opinioni i gjerë jugosllav; në periudhën 1974-1990, vazhdimisht ishte prezent në punën me Orkestrën tonë simfonike, me të cilin pati me qindra prezantime; në inaugurimin e Katedrales ‘Nënë Tereza’ më 2010, dirigjoi ‘Rekuiemin’ e Mozartit; që nga formimi i Akademisë së Muzikës në vitin 1975 e deri në pension ishte profesor i dirigjimit; në periudhën e pasluftës formoi disa kuadro të dirigjentëve tanë, të cilët sot me sukses udhëheqin jetën muzikore etj. Bajar Berisha njihej si një dirigjent me memorie të jashtëzakonshme, kështu që shumë prej programeve dhe veprave të mëdha simfonike e vokalo-instrumentale i dirigjonte përmendësh”, ka thënë Rudi.

Pasi kreu studimet në Fakultetin e Arteve në Beograd, në vitin 1972/73, Berisha vazhdoi studimet master në Sarajevë, duke përfunduar provimin e magjistraturës në Beograd me Filarmoninë e Beogradit. Angazhimi i tij në arsim e çoi në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë, ku filloi punën pas përfundimit të studimeve. Më pas, me hapjen e Degës së Muzikës në Akademinë e Arteve në Prishtinë, në vitin 1975/76, u bë ligjërues i lëndës Dirigjim dhe Kor. Përkushtimi i tij ia dha atij rizgjedhjen dhe titullin docent pas një mandati.

Në vitin 1982/83, Berisha kishte nisur specializimin në Shkollën e Lartë të Artit në Berlin. Nga viti 1987, ai mori rolin e udhëheqësit artistik-dirigjent të Orkestrës Simfonike të Prishtinës (RTP).

Pavarësisht pensionimit nga puna profesionale, Berisha u kthye në vitin shkollor 2007/2008 si profesor me korrespodencë, duke lënë një ndikim të pashlyeshëm te studentët.

Muzikologia Rreze Kryeziu i ka vlerësuar punën e palodhshme të Berishës, vullnetin e jashtëzakonshëm dhe interesin e madh që krijoi mësimdhënia e tij.

“Puna e tij e palodhshme, vullneti i jashtëzakonshëm, bënë që studentët tanë të shfaqin interesim të madh për këto lëndë e kjo më së miri mund të vërehet në atë se nga viti 2007, kur edhe dirigjenti filloi sërish punën e deri më sot, në lëndën e dirigjimit, drejtimi i Pedagogjisë së Përgjithshme Muzikore diplomuan tre studentë. Prof. mr. Bajar Berisha gjatë këtyre viteve ka pasur suksese të mëdha duke mundësuar në këtë mënyrë edhe zhvillimin e dirigjimit dhe këndimit koral si disiplina shumë të rëndësishme për muzikën artistike te ne në Kosovë”, ka shkruar Kryeziu.

Në biografinë e tij shkruar nga Kryeziu bëhet e ditur se në Jajce të Bosnjë- Hercegovinës, në kuadër të ditëve të gazetarisë jugosllave, ku kosovarët kishin radhën të ishin organizatorë, dirigjenti Bajar Berisha me produksionin muzikor të RTP-së, Orkestrën Simfonike të shoqëruar me korin “Collegium Cantorum”, bëri një performancë kulturore-artistike ku e rëndësishme ishte edhe paraqitja për herë të parë e kantatës “Rezistenca 43” e kompozuar nga kompozitori i njohur kosovar Esat Rizvanolli.

Image
Bajar Berisha në përurimin e katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë në vitin 2010 (Foto: Rafet Rudi/FB)

Humbje për trashëgiminë muzikore

Edhe me Korin e Akademisë së Muzikës, Berisha kishte bërë disa paraqitje në koncerte e festivale të ndryshme në Kosovë e gjithashtu kishte qenë aktiv në paraqitjet e tij si korepetitor me solistë të ndryshëm e të njohur të asaj kohe.

Dirigjenti Memli Kelmendi, i diplomuar në klasën e Berishës, ka theksuar zbrazëtinë që ka lënë pas largimi i Berishës në muzikën klasike në Kosovë. Kelmendi ka theksuar ndikimin e thellë të Berishës në zhvillimin e tij profesional dhe teksa ka shprehur krenarinë për trashëgiminë e marrë nga profesori Berisha.

“Me ikjen e tij më së shumti ka humbur trashëgimia e muzikës klasike në Kosovë. Por, shpejt profesorit do t’i njihen meritat që është dashur t'i nxirreshin në pah edhe më herët", ka thënë Kelmendi.

Me orkestrën e RTP-së Berisha kishte pasur paraqitje edhe në festivale në vend si: “Skena Muzikore”, “Ditët e Muzikës Kosovare”, në qytetin e Gjakovës dhe me solistë të ndryshëm të skenës muzikore. Në këto festivale janë luajtur një numër i madh i veprave të kompozuara nga kompozitorë vendas si: Rafet Rudi “Largo për harqe”, nga kompozitori Akil Koci “Vajza shqiptare”, Bahri Mulliqi “Diptih Simfonik”, dhe vepra të njohura nga kompozitorët Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Vincenc Gjini, Zeqirja Ballata, Bashkim Shehu e të tjerë.

Ai po ashtu shkroi edhe “Fjalor enciklopedik muzikor-terminologjik”, që u botua në vitin 2014 nga Botimet “KOHA”.