Prishtinë, 21 dhjetor − Pesë “Okarina të arta” e këngë të pavdekshme e muzikës popullore si “E kujtoj atë takim” – që vazhdon të këndohet në forma e versione të ndryshme edhe në ditët e sotme – janë ndër faktet më të njohura për Pranvera Badivukun. Por në një rrëfim krejtësisht të lirë me audiencën në kryeqytet, të enjten mbrëma, ajo ka përshkuar nëpër vija të holla momentet e rëndësishme të karrierës prej kompozitoreje.
Nga foltorja e Qendrës së Bashkimit Evropian për Informim e Kulturë, ajo ka shpërndarë mesazhin se të rinjtë duhen marrë më tepër me muzikë popullore dhe se duhet një festival i mirëfilltë që do ta rikthente shkëlqimin e kësaj muzike.
Badivuku – ndër kompozitoret e para kosovare, pas Sevime Gjinalit – ishte mysafire e “Kultwoman me…”, që mbështetet nga “Culture for Change” dhe organizohet nga gazeta e parë shqiptare online për art e kulturë, “KultPlus”.
Për më shumë se 60 minuta, Badivuku e ka përthekuar rrugëtimin e saj jetësor që ngjau brenda një familjeje muzikantësh. Gjatë jetës së saj, ajo ka realizuar rreth 150 kompozime të zhanreve të ndryshme, nga popullore, muzikë e lehtë e deri tek këngët për fëmijë. Përveçse fituese e trefishtë në “Akordet e Kosovës”, ka qenë edhe pjesëmarrëse në “Zambakun e Prizrenit” e festivale të tjera. Më 2015 ka marrë çmimin “Rexhai Surroi” për vepër jetësore.
Badivuku ishte e re kur zgjodhi shkollën e muzikës, të cilën e mbaroi në Shkup. Më vonë do të regjistrohej në shkollën e lartë në Akademinë Pedagogjike të Muzikës, të cilën e kishte përfunduar në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollimit kishte punuar si arsimtare e muzikës në disa shkolla, ku do të angazhohej për të themeluar kore.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")