Një emër i shquar si René Block këtu e njëzet vjet më parë do të hulumtonte honeve të Ballkanit e në Kosovë do të befasohej me shprehje të fuqishme të artit bashkëkohor. S’u mjaftua me vetëm dy artistë sa synonte fillimisht, ekspozita “In the Gorges of Balkan” do të shndërrohej në alamet ngjarje në Gjermani. Tash, “Galeria 17” e Prishtinës rikthen një copë të asaj ekspozite me veprat e Jakup Ferrit, Dren Maliqit, Merita Harxhi-Kocit, Driton Hajredinit dhe ato nuk janë thjesht kthim në kohë. Njëzet vjet pas vijnë, mbesin ende aktuale, zbërthejnë zanafillën e një frymë të re të artit që refuzohej në masë, pyesin nëse arti ka ndryshuar
Ishte viti 2003 dhe një grup artistësh të gjeneratës së re komunikonte fort nëpërmjet gjuhës së artit bashkëkohor. Kishte qenë kuratori gjerman René Block ai që kishte vendosur të hapte ekspozitën “In den Schluchten des Balkan” (In the Gorges of Balkan) ku morën pjesë 90 artistë nga vendet e ndryshme të gadishullit. Në mesin e tyre edhe artistët nga Kosova, si: Jakup Ferri, Dren Maliqi, Merita Harxhi-Koci, Driton Hajredini e të tjerë.
Fiks njëzet vjet pas, tani me titullin “Back to the Gorges of Balkan”, veprat e mu këtyre artistëve tash rikthehen edhe në Kosovë. Vijnë edhe me pyetjen se sa ka ndryshuar arti. Mbi të gjitha, me dilemën nëse ka ndryshuar diçka. Përgjigjet janë të ndryshme. Ka edhe aso në kundërshti.
Porsa hapet dera e “Galeria 17”, mu në ballë të saj shihet posteri i Merita Harxhi-Kocit. E veshur me një setër ngjyrë hiri, Harxhi-Koci mban një qëndrim përplot seriozitet teksa përpara shkruhet “VOTO Merita Harxhi – Kocin për kryetare të Kosovës” e nën të gjendet logoja e A-së e punuar me kuqezi poshtë së cilës shkruan “Partia e Artit Bashkëkohor”. Teksa posteri përmban gjashtë kopje të kësaj fotografie, krejt afër saj gjendet një videoincizim ku shihet e dëgjohet fjalimi i saj i improvizuar, teksa kërkon votën dhe besimin e qytetarëve. Këtu e dy dekada më parë vepra provokoi fort. Qe vendosur në alamet bilbordesh në kryeqytet.
Krejt afër saj gjenden dy videoincizime, vepra arti të artistit tashmë të njohur edhe ndërkombëtarisht, Jakup Ferri. Para njëzet vjetësh, kur Ferri po nisej për në Kassel të Gjermanisë ku do të zinte vend ekspozita, incizoi familjen e vet: prindërit dhe dy motrat të cilët i uronin sukses e teksa nëna e tij shfaq edhe një lloj shqetësimi kur i uron “të ketë kujdes... në një vend të panjohur” dhe të kthehet shëndosh e mirë në shtëpi. Në videoincizimin tjetër i cili është titulluar: “Më shpëto, më ndihmo”, Ferri shpalos një nga një veprat e tij duke ua treguar ato kuratorëve e artistëve të ekspozitës në Gjermani.
Në formë të zmadhuar, në dy anët e “Galeria 17” qëndron vepra “Ballë për ballë” e Dren Maliqit. Në njërën anë janë dy kopje të një fotografie të Elvis Presleyt me armë në dorë, ndërsa në tjetrën ajo e Adem Jasharit. Në murin në mes të tyre gjendet origjinali i saj. Dy fotografitë, tani shumë më të vogla për nga madhësia e fletës, qëndrojnë për krah njëra-tjetrës të vendosura brenda një kornize xhami. Vepra e ka edhe një episod tjetër kur më 2008 u përball në galerinë “Kontekst” të Beogradit me ultranacionalistë serbë. Vepra u shqye.
Këndi i anës së djathtë të galerisë është i pakalueshëm. Është shiriti i policisë së veprës “Kush e vrau pikturën” të Driton Hajredinit. Në mes të saj gjendet një katror i vizatuar me shkumës. Instalacioni tregon një skenë krimi teksa titulli asocion në format e reja të artit të cilat “e vranë pikturën”.
Debutimin e kësaj ekspozite e kujton mirë publicisti e filozofi Shkëlzen Maliqi. Ka thënë se fillimisht ishte menduar që në Gjermani t’i ekspozonin veprat e tyre vetëm dy artistë. Megjithatë pasi që kuratori gjerman René Block kishte parë edhe veprat e artistëve të tjerë, kishte vendosur ta zgjeronte grupin.
“Kemi pasur një grup për herë të parë me një numër prej tetë ose nëntë artistësh që kanë marrë pjesë në një ekspozitë të artit bashkëkohor ndërkombëtar. Atje fillimisht kanë qenë të parapara ose të ftuar vetëm dy artistë që kanë qenë më herët të afirmuar, vetëm Sokol Beqiri dhe Erzen Shkololli dhe kuratori ka pasur që të vijë e ti shoh ata. Por, ka pasë qenë një ekspozitë e artit bashkëkohor këtu, me këta artistët tonë dhe më pas ai e ka parë atë ekspozitë dhe i kanë pëlqyer ata dhe ka dashur t’i shohë edhe punët e tyre. Ne ia kemi prezantuar ato që i kemi pasur dhe mandej ai i ka përzgjedhur edhe nja gjashtë të tjerë”, ka kujtuar Maliqi.
Te pyetja që shtron rikthimi i ekspozitës – nëse ka ndryshuar arti bashkëkohor – Maliqi ka bërë një krahasim të artit që është krijuar në vitet ‘90 dhe atij pas vitit 2000.
“Arti ka ndryshuar, normalisht që ka ndryshuar. Në vitet ‘90 kanë pasë nisur këto tendencat e reja në ato kushtet e rezistencës por atëherë mundësitë kanë qenë më të kufizuara për afirmim. Pas çlirimit ndoshta edhe për dhjetë vjet të tjerë ka qenë lufta për ta afirmuar këtë art, sepse Akademia ka pasë qenë konservatore, nuk donte t’i pranonte këto forma të reja të shprehjes dhe prej 2001 a 2002 , e pas kësaj ekspozite është masivizuar më shumë”, ka thënë ai.
Tani disenjatore fustanesh, Merita Harxhi-Koci ka treguar se si rikthimi i kësaj ekspozite ia ka rikthyer kujtimet për një kohë kur ajo ishte shumë aktive në këtë sferë, të pakultivuar më prej saj.
“Kur e kam marrë e-mailin prej kuratorit të Galerisë kamë thënë njëherë që jo nuk dua, disa emocione të papërshkrueshme dhe nuk ua kam kthyer menjëherë se mu desh kohë të mendoj, por jo, më pas vendosa të merrja pjesë. Ka qenë me të vërtetë kënaqësi, sepse ka qenë një kohë shumë e mirë kur kam qenë shumë aktive në atë kohë, kam krijuar dhe kam nostalgji për atë kohë”, ka thënë ajo plot emocion.
Njëzet vjet më pas, Harxhi-Koci ka kujtuar se vepra e saj nuk ishte kuptuar drejt nga publiku. Shumë prej tyre kishin menduar se ajo po kandidonte me të vërtetë për presidente të Kosovës.
“Nuk mund të them që arti ka ndryshuar shumë, sepse tani po kemi mundësi shumë më të mëdha për t’u shprehur në forma të ndryshme. Në atë kohë unë, kur e kam krijuar këtë vepër njerëzit nuk e dinin çka është arti bashkëkohor. Tërë kohën kur e kanë parë fotografitë nëpër billborde askush nuk e ka ditur që është vepër artistike, por kanë menduar se me të vërtetë unë po kandidoj. Më kanë thirrur në telefon dhe ka qenë shumë e pakapshme se çfarë arti është ky. Shumica në atë kohë kanë menduar që vetëm piktura është art, kështu që me kohë kanë ndryshuar shumë gjëra”, ka thënë ajo.
Atëherë ende i ri në moshë, kuratori i “Back to the Gorges of Balkan”, Thibaut de Ruyter ishte takuar për herë të parë me artin e artistëve ballkanas. Hapja e kësaj ekspozite që e rikthen një kapitull të asaj të vitit 2003 kishte ardhur me ftesë të drejtoreshës së artit së “Galeria 17”, Koja Isufi - Shukriu
“E kam vizituar ekspozitën në vitin 2003 si një vizitor i zakonshëm. Ishte njëzet vjet më parë, isha mjaft i ri. Ajo ishte një ekspozitë shumë e rëndësishme në Gjermani sepse na dha mundësi të gjithë neve që të zbulojmë një skenë arti që nuk e njihnim, jo vetëm të Kosovës, por edhe të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Turqisë e të tjera. Ekspozita më la përshtypje shumë të madhe, sepse ishte një zbulim i plotë i një bote krejt tjetër. Koja më kontaktoi për këtë ‘Archiving transition’ duke më pyetur se çfarë kishte ndodhur njëzet vjet më parë”, ka thënë ai.
Ndryshe nga dy parafolësit, De Ruyter është i mendimit se arti në fakt nuk ka ndryshuar asgjë brenda këtyre njëzet vjetësh. Këtë e lidh me tematikat që trajtojnë këta artistë e që, sipas tij, vazhdojnë të jenë edhe sot aktuale.
“Mendoj se nuk ka ndryshuar asgjë. Mendoj që kjo është arsyeja se pse kjo ekspozitë është kaq e rëndësishme ose pse këto janë vepra të mira, sepse janë vepra arti që vënë në pikëpyetje probleme që janë ende aktuale. Zakonisht marr si shembull veprën e Merita Kocit kur po kandidonte për t’u bërë presidente e Kosovës më 2003. Ju keni pasur dy presidente pas kësaj, por ende në botë vihet në pikëpyetje se kur një grua do të bëhet presidente e Francës dhe nuk është duke ndodhur madje është shumë larg të ndodhurit”, ka thënë ai.