Çardaku i një prej shtëpive të kompleksit monumental “Emin Gjiku” në Prishtinë të hënën mbrëma i ka bërë nikoqirllëk një drame familjare që prek një prej plagëve më të rënda të shoqërisë. “Babai dhe babai”, me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Kushtrim Koliqit, e kthen dritën te një temë që shoqërinë ende e mban peng të së kaluarës. Flet për terrin e përditshëm të familjeve të të pagjeturve. Projekti teatror përballë publikun me dramën me të cilën përballen mbi 1600 familje edhe mbi dy dekada pas luftës së fundit në Kosovë
Minutat e para janë veç errësirë. Kjo është ajo me të cilën përballet publiku që ka ngjitur shkallët për në katin e sipërm të Muzeut Etnologjik në Prishtinë. Çardaku i një prej shtëpive të kompleksit monumental të hënën mbrëma i ka bërë nikoqirllëk një drame familjare që prek një prej plagëve më të rënda të shoqërisë. “Babai dhe babai”, me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Kushtrim Koliqit, e kthen dritën te një temë që shoqërinë ende e mban peng të së kaluarës. Flet për terrin e përditshëm të familjeve të të pagjeturve.
Teksa dritat me ngjyra të ndryshme bien mbi dritaret e tavanin e drunjtë, bisedat midis tre familjarëve tregojnë një imazh të zakonshëm familjar. Ambienti merr pamjen e një salloni shtëpie. Temat e zakonshme përsëriten, por personazhet s’ka gjë që i nxjerr prej zymtësisë që s’ia dalin t’i japin emër edhe kur përpiqen me gjithë forcën pas bisedave të zhurmshme.
Vetëm kur flasin në të kaluarën, familjarët arrijnë t’i kthejnë ngjyrat e lumturisë. Kënga është ajo që e ndërron atmosferën në shtëpi, por as ajo nuk është e hareshme. Shfaqja është e ndërtuar mbi raportin e një familjeje të vogël. Bëhet fjalë për Sarën (Ilire Vinca), bashkëshortin e saj Dinin (Bujar Ahmeti) dhe për vajzën e tyre Lolën (Kosovare Krasniqi). Sara e udhëheq dinamikën në shtëpi.
e saj në tavan qëndrojnë të varur. Makina e qepjes është prehja e vetme e situatave të zhurmshme midis tre familjarëve që në shtëpinë e tyre nuk kanë gjetur kurrë qetësinë. Sara është rrobaqepëse që mbi supe e ka fatin e familjes. Dini nuk ia del të punësohet, përkundër presionit të gruas së tij. Nuk e bën as hapin me të vogël për këtë, përkundër arsyetimeve. Një certifikatë e vdekjes është ajo që e përmbys situatën. “A jam këtu para teje? A jam gjallë? A ekzistoj?”, vjen si refren që nuk pushon. Pjesa tjetër e shfaqjes është ajo që u jep përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve. Edhe kur nuk përsëriten me zë, pyetje të tilla vazhdojnë në atmosferën që tash dominohet nga Sara dhe Lola. Portreti i Dinit qëndron i ngrirë. Ai ngjallet në kujtime, herë duket sikur është aty, por vjen veç si imazh pasi lufta e ka marrë, se nuk dihet gjë për të. Realiteti u troket në çdo vendim tjetër që ato duhet të marrin. Sara, gruaja që vuan realitetin e burrit të zhdukur, nuk mund ta pranojë me zë të lart vetminë. Aktorët në një ambient të afërt me publikun e shpalosin si një histori të përbashkët.
Shfaqja reflekton pritjen e gjatë të familjarëve për të gjetur më të afërmit e tyre. Regjisori Kushtrim Koliqi ka thënë për KOHËN se janë munduar ta ndërtojnë një dramë shumë intime dhe minimaliste, që në qendër ka dramën e veçantë të një familjeje.
“Koncepti regjisorial është lidhur rreth kësaj që intimiteti, frymëmarrja, lëvizja, loti të ndihen shumë te publiku duke e ndihmuar me gjetjen regjisoriale, ndriçimin e muzikën. Qëllimi ynë ka qenë që njerëzit t’i tronditim, t’iemocionojmë dhe t’i befasojmë”, ka thënë Koliqi për KOHËN.
Personazhet komunikojnë me një gjuhë të thjeshtë me njëri-tjetrin. Bisedat e tyre janë të ndërtuara mes kundërshtive të situatave në të cilat ndodhen. Bien dakord që mes të këqijave me të mëdha, gjithmonë kanë zgjedhur më të voglën. Dhe që nuk u është servuar asnjëherë një zgjedhje e mirë për ta bërë diferencën. Dramaturgu dhe regjisori Fadil Hysaj e ka vlerësuar projektin teatror si një shfaqje unike në kuptimin dramaturgjik, regjisorial dhe aktoresk. Me një unitet të tillë, sipas Hysajt, shfaqja në mënyrë të ndërgjegjshme i kthehet një plage të pashërueshme me një delikatesë tragjike. “Babai dhe babai” e ndërtuar mbi dramën e Jeton Nezirajt e nxjerr një qasje të re të autorit të përkthyer në disa gjuhe të botës.
“Jetoni në këtë dramë e ndërron për 180 shkallë qasjen e tij stilistike dhe kur trajton një temë të tillë siç janë të pagjeturit. Heq dorë tërësisht nga stili i tij i trajtimit dramaturgjik të problemeve të mëdha të këtij vendi dhe i përkulet kësaj tragjedie dhe e trajton me një lloj shkrimi që është vërtet i rrallë dhe si i tillë i bën nder jo vetëm atij si autor, por edhe dramaturgjisë kosovare”, ka thënë Hysaj për KOHËN.
Lola bëhet gati për ditën e martesës. Pa fustanin e bardhë. Në vend të tij e përcjellë pëlhura e zezë. Publikun e bën pjesë të “dasmës së saj” duke ua dhuruar nga një mindil të bardhë për t’iu bashkuar valles së saj të dhimbjes. Në to shkruhet me të zeza “Mbi 1600. Ende mungojnë.” Për regjisorin Kushtrim Koliqi ka qenë e rëndësishme të punojë me aktorë që kanë ndjeshmëri ndaj temës mbi të cilën është ndërtuar historia e dramës të cilën e luajnë. Sipas Hysajt, Koliqi me përzgjedhjen e ekipi të tij ka bërë që kjo histori të bartet natyrshëm te publiku.
“Nuk pashë asnjë moment aktrimi. Është një copë jete, një ndjesi e jashtëzakonshme. Një epitet madhështor që është një homazh me shumë vlerë që i bëhet kësaj plage të madhe të këtij populli”, ka thënë tutje Hysaj.
Ilire Vinca në rolin e Sarës bart barrën e gruas që mbyll sytë para realitetit. Më s’di as nga ta pozicionoj veten brenda shtëpisë, përderisa mbi supe ka gjithë barrën. Jeton me kujtimet e më të dashurit që përkundër të gjithave ia donte dhe të metat. Drama vjen si dedikim për personat që duam t’i mbajmë afër, por edhe për vetminë e thellë. Sipas aktores Ilire Vinca, për të hyrë brenda dhimbjes së një gruaje që krijon një konstruksion gati paranojak për ta shmangur dhimbjen dërgon mesazhe që përmes harresës nuk kthehen njerëzit më të dashur dhe përmes kujtesës ata mbahen gjallë.
“Ndjeshmëria ime artistike dhe personale me ka bërë që ta shoh këtë spektër ngjyrash të dhimbjes dhe ta analizoj, sepse krejt kjo ka të bëjë me dhimbjen, humbjen e personave më të dashur dhe aq më tepër kur ajo humbje vjen nga një padrejtësi e madhe siç është lufta”, ka thënë Vinca.