“Jemi shumë të lumtur që jemi në Podgoricë. Ishte planifikuar që ta jepnim shfaqjen në Beograd në festivalin ‘Mirëdita, dobar dan’, por u ndalua nga Qeveria serbe. Megjithatë më shumë ndiej keqardhje për ta sesa për shfaqjen tonë; më vjen keq për ta sepse vazhdojnë ta ruajnë këtë narrativë dogmatike dhe të ushqejnë urrejtjen dhe ndarjen midis njerëzve”, ka thënë regjisori Kushtrim Koliqi në një bisedë për gazetën “Vijesti”. Shfaqja “Babai dhe babai” nën regji të tij, me tekst të Jeton Nezirajt, të mërkurën është dhënë në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi në Podgoricë. Koliqi ka folur për shfaqjen, për të zhdukurit me dhunë në luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë e për përballjen me të kaluarën
(Vijesti) – Të merresh me trashëgiminë e luftës s’është e lehtë dhe s’është e lehtë për askënd. Ndonjëherë edhe bashkësia ndërkombëtare, në tentim për të ruajtur status quo-në dhe për të shmangur hapje plagësh, në fakt shkakton më shumë dëm, sepse nëse nuk përballemi siç duhet me të kaluarën – jo mbështetur në dogmë, por bazuar në fakte – atëherë është e vështirë edhe të pretendojmë se do të arrijmë paqe të qëndrueshme, të ashtuquajtur “paqe patetike”, ka thënë regjisori i shfaqjes “Babai dhe babai”, Kushtrim Koliqi për gazetën “Vijesti”.
Shfaqja u dha të mërkurën në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi (CNP) në Podgoricë.
Bazohet në tekst të dramaturgut bashkëkohor Jeton Neziraj. Luajnë: Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi. Është shfaqur në shqip, me titra në gjuhën malazeze. Asistent regjie është Kaltërim Balaj, kostumografe Njomëza Luci, skenograf Mentor Berisha, ndërsa muzika është realizuar nga Adhurim Grezda.
Në bisedën për “Vijestin”, Koliqi ka folur për shfaqjen, të pagjeturit prej luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë e për përballjen me të kaluarën. Siç ka thënë Koliqi, shfaqja është në skenë tash e tre vjet.
“Pikënisja e frymëzimit është rasti i personave të pagjetur në Kosovë dhe të pagjeturve në luftërat në ish-Jugosllavi, kështu që biseduam me dramaturgun Jeton Neziraj dhe e ndërtuam idenë”, ka thënë ai. Beson se, për fat të keq, në Kosovë dhe në krejt rajonin, pas të gjitha luftërave, tema dhe temat që kanë të bëjnë me trashëgiminë e së kaluarës janë trajtuar shumë rrallë, por edhe kur është bërë një gjë e tillë, trajtimi ka qenë sipërfaqësor e klishe.
“Në të vërtetë donim të ndërtonim një rrëfim, qëllimi kryesor i të cilit do të ishte trajtimi i çështjes së personave të pagjetur. Pra, është më shumë një histori njerëzore: historia e një familjeje që humbi një të dashur në luftë, në këtë rast në luftën në Kosovë, megjithëse nuk e kemi specifikuar konkretisht Kosovën, por bëhet fjalë për një person të zhdukur në luftë. Familja nuk është e gatshme të pajtohet me fatin e vet, me faktin që të jetojë pa njeriun e vrarë në luftë”, ka thënë ai.
Ka thënë se shfaqja është shumë intime, minimaliste, e fokusuar te mesazhi, rrëfimi, emocionet e personazheve dhe marrëdhëniet e tyre. Ka shtuar se aty ka edhe prekje të ndjeshme e të detajuara regjisoriale.
“Arsyeja që kjo shfaqje luhet tash e tre vjet dhe ka marrë shumë çmime në Kosovë dhe jashtë saj është se komunikon shumë mirë me publikun. Kur publiku e shikon shfaqjen, në bazë të reagimeve e informatave kthyese që kemi marrë, besojmë se përjetimi është shumë emocional, përshtypja është e fortë dhe pas shfaqjes publiku e bart me vete atë histori për një kohë të gjatë. Por mendoj se kjo është arritja më e madhe e shfaqjes. Nuk ka spektakël por shumë emocione dhe kjo na bën të lumtur”, ka thënë ai.
Koliqi ka theksuar se problemi kryesor në rastin si ai i personave të pagjetur, sikurse edhe i “shumicës së temave që i takojnë së kaluarës” është se ato shpeshherë janë politizuar e janë përdorur e keqpërdorur në lojërat politike, janë përdorur për ta mbajtur narrativën etnonacionaliste në krejt shoqërinë, përderisa qeveritë dhe establishmentet politike nuk kanë bërë krejt çfarë kanë mundur, ani pse numri i personave të zhdukur me dhunë është ende fort i lartë.
“Problemi im më i madh është se familjet e të pagjeturve shfrytëzohen dhe keqpërdoren, u jepen shumë premtime që për fat të keq nuk janë realizuar kurrë. Kjo është një temë shumë e ndjeshme që po e jetojmë ende. E kam një thënie, ndoshta nuk e kam shpikur unë, por shpesh them se nëse lufta ka mbaruar për ne, lufta nuk ka përfunduar ende për ta. Për këtë kategori viktimash, për viktimat civile të luftës, por edhe për kategoritë e tjera, viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se beson që produksionet në rajon, “qoftë në film, teatër apo tjetër gjë“, të cilat janë goxha dogmatike dhe propagandistike, bëjnë më shumë dëm sesa hair.
“Jemi shumë të lumtur që jemi në Podgoricë. Ishte planifikuar që ta jepnim shfaqjen në Beograd në festivalin ‘Mirëdita, dobar dan’, por u ndalua nga Qeveria serbe. Megjithatë më shumë ndiej keqardhje për ta sesa për shfaqjen tonë; më vjen keq për ta sepse vazhdojnë ta ruajnë këtë narrativë dogmatike dhe të ushqejnë urrejtjen dhe ndarjen midis njerëzve”, ka thënë regjisori.
Por, ai thotë se është mirë dhe se është i lumtur që në Podgoricë, Sarajevë, Beograd dhe Kosovë ende mund të gjenden grupe njerëzish, komunitete të vogla që punojnë për të mirën e shoqërive të tyre, të cilat, siç thotë ai, janë të hapura dhe të përkushtuara, “mund të gjenden shembuj frymëzues kudo në rajon dhe kjo është pozitive”.
Në fund ka thënë se e vetmja gjë që do të shtonte është se është shumë e rëndësishme të ndërtohet dhe të investohet në komunikimin midis vendeve fqinje.
“Shumë shpesh, këto komunikime janë sporadike dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne t’ia shohim veprat njëri-tjetrit. Sepse përveçse fqinjë – që është gjeografi – besoj se duhet t’i njohim historitë e fqinjëve tanë. Ndonjëherë kam ndjesinë sikur, ani pse jemi shumë afër njëri-tjetrit, nuk e njohim fare njëri-tjetrin, madje ndonjëherë ndihemi më afër me vendet evropiane sesa me fqinjët tanë. E, ky është paradoks”, ka thënë Koliqi.