Me dy shpejtësitë që e karakterizojnë, “Autostrada Biennale” ka vënë në lëvizje skenën e artit bashkëkohor në Kosovë, dhe shpejt ka marrë vëmendjen e botës. Me shpejtësi ka lëvizur edhe në zgjerim. Përderisa bëhet gati ta shënojë dekadën e parë si organizatë, “Autostrada...” të premten ka njoftuar se është zgjeruar edhe me një “Hangar”. E aty do të gjejnë vend studioja e re e produksionit, studioja e mediave dhe komunikimit, hapësira multifunksionale, hapësira rezidenciale për artistë, si dhe krijimi i një depoje për vendosjen e veprave të artit, e cila sipas themeluesve “do të jetë depoja e parë profesionale në Kosovë”
Kur u themelua para një dekade, në paralajmërim do të shkruhej se “Autostrada Biennale” funksionon me “dy shpejtësi”: “Njëra është ekspozita fizike që ndodh çdo dy vjet në hapësirën publike dhe e dyta plani afatgjatë për të krijuar qendrën edukative në ish-bazën ushtarake të KFOR-it në Prizren, ku procesi i përgatitjes së ekspozitës është i hapur për publikun, duke e bërë krijimin e veprave artistike një formë të të mësuarit dhe të menduarit kritik”. Qysh me edicionin e parë më 2017, shpejtësia e “Autostradës...” do të konfirmohej fuqishëm, do të rikonfirmohej edicion pas edicioni, e tash furishëm dëshmohet edhe shpejtësia e zgjerimit.
Të premten, “Autostrada Bienale” ka njoftuar se është zgjeruar me Hangar të ri, të dytin. “Autostrada Hangar I” në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren deri tash ka qenë selia e kësaj ngjarjeje, e cila tashmë ka nivel botëror.
“Në vitin kur po e kremtojmë 10-vjetorin e themelimit të organizatës ‘Autostrada Biennale’, jemi të lumtur dhe krenarë që t’ju njoftojmë se po i zgjerojmë hapësirat tona edhe me një Hangar të ri në ITP Prizren. Së fundi ne kemi nënshkruar kontratën e re 10-vjeçare për zgjerimin e hapësirave tona, të cilat do t’i plotësojnë nevojat e komunitetit për prodhim artistik dhe edukim”, shkruhet në komunikatën e “Autostradës...”. Po aty shkruhet se rritja e “Autostrada Biennale” dhe “Autostrada Hangar” në vitet e fundit tregon përkushtimin e organizatës për të përforcuar të ardhmen kulturore dhe sociale në Kosovë, përkrah vizionit për ta vendosur këtë angazhim në një kontekst artistik ndërkombëtar.

“Ashtu siç është krijuar ‘Autostrada Hangar’ me 50 për qind të materialeve të ricikluara nga edicionet e mëparshme të ‘Autostrada Biennale’, e njëjta praktikë e riciklimit dhe qëndrueshmërisë po vazhdon me Hangarin e dytë”, shkruhet në komunikatë.
Ka rikujtuar se “Autostrada Biennale” gjatë edicionit të katërt – i mbajtur prej 7 korrikut deri më 9 shtator – prodhoi një sërë veprash artistike në “Autostrada Hangar” dhe pati një impakt të madh në zhvillim socio-ekonomik të vendit, e cila u vlerësua si një ndër 10 ekspozitat më të mira në Evropë në 2023 nga “Frieze Magazine” me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në një vit pa ndonjë ngjarje të madhe të artit në Evropë, rikthimi i ‘Autostrada Biennale’ ishte shumë i mirëpritur. Përmbante 17 komisione të reja të shpërndara në tri qytete fqinje të Kosovës: Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë”, do të shkruante “Frieze Magazine” në dhjetorin e vitit të kaluar.
Për ekspozitën e kuruar nga turkja Övül O. Durmuşoğlu dhe polakja Joanna Warsza shkruhej se “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, ka qenë titull i përshtatshëm për një ekspozitë të vendosur në vendin ku imazhet mund të zhduken lehtësisht.
"’Mes një përpjekjeje të furishme për modernizim’, siç vuri në dukje Barbara Casavecchia në vlerësimin e saj për ‘Frieze’, ‘vendet dhe shprehjet me rëndësi kolektive mund të zhduken lehtësisht’”, kishte shkruar “Frieze”.

Për zgjerimin me Hangarin e radhës, treshja bashkëthemeluese e “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço kanë numëruar ndikimin dhe funksionin që do të ketë. “Jemi të lumtur që ‘Hangar II’ do t’i plotësojë nevojat e komunitetit përmes krijimit të studios së re të produksionit, studios së mediave dhe komunikimit, hapësirës multifunksionale, hapësirës rezidenciale për artistë, si dhe krijimit të një depoje për vendosjen e veprave të artit, e cila do të jetë depoja e parë profesionale në Kosovë. Falë këtij zgjerimi, ne do të kemi një hapësirë më të madhe kreative fizike dhe mendore për vizionin tonë të ardhshëm dhe programet gjithëpërfshirëse, duke e bërë ‘Autostrada Biennale’ një qendër që vazhdon të frymëzojë, të krijojë dhe të promovojë artin dhe kulturën me një qasje të re inovative”, citohet treshja në komunikatë.
Përveç Prizrenit, “Autostrada...” vjet ishte zgjeruar me vepra edhe në Prishtinë e Mitrovicë. Qysh në ceremoninë e përmbylljes, në shtatorin e vjetëm organizatorët kishin paralajmëruar disa aktivitete për sivjet kur shënohet dekada e organizatës. “Do të kemi një program mjaft interesant për 10-vjetorin e themelimit, i cili do t’i paraprijë edicionit të pestë. E edicioni i pestë mund të themi se do ta ketë një format krejt tjetër”, kishte thënë për KOHËN, Leutrim Fishekqiu.