Hapësira para “Autostrada Hangar” është bërë të enjten pikëtakim i aktivistëve mjedisorë, studentëve dhe fëmijëve të cilët tok me ekipin e “Autostrada Biennale” kanë mbjellë farat e “Fushave të lulediellit”, siç titullohet vepra e artistes Agnes Denes. Në fakt, kjo vepër po e vazhdon misionin e saj në sensibilizim mbi ambientin dhe jo vetëm, pas kapitujve që i kishte vjet edhe në Prishtinë, Pejë e Prizren, ku po rikthehet tashmë
Qysh kur u mbollën farat e para të “Fushave të lulediellit” në prillin e vjetëm, fillimisht në Prishtinë, kjo vepër e artistes së njohur, Agnes Denes, u paralajmërua si një lloj aktivizmi në vazhdimësi. E kjo është rikonformuar të enjten, në hapësirën “Autostrada Hangar” në Prizren.
Aktivistë mjedisorë, studentë dhe fëmijë iu bashkuan ekipit të “Autostrada Biennale”, i cili nëpërmjet një njoftimi ka shkruar se me këtë ata janë bërë “agjentë të rëndësishëm në këtë prodhim artistik dhe duke e përqafuar njërin prej objektivave tona: rolin jetik të artit brenda shoqërisë dhe ftesën drejtuar publikut që të bashkëkrijojnë dhe të zotërojnë punë artistike”.
“Fushat e lulediellit” nga artistja me prejardhje hungareze, e cila jeton e vepron në ShBA, do të pushtonte fillimisht platonë e “Pallatit të Rinisë” në Prishtinë, për të vazhduar edhe në Lumëbardhin e Prizrenit e në Pejë.
“Ne mund të rritemi, të ushqehemi, t’u dhurojmë të tjerëve pasurinë tonë, të kthehemi kah dielli dhe pastaj të pasqyrojmë ngrohtësinë e tij tek të gjitha krijesat e gjalla”, do të thoshte Denes në një adresim për të pranishmit në “përmbyllje” të “Fushave…” në kryeqytet, në shtatorin e vitit të kaluar, kur lulediellit u korrën pak ditë para përmbylljes zyrtare të edicionit të tretë të “Autostrada…”, që për moto kishte “Çka nëse një rrugëtim?” Denes (91) ishte një nga pionieret në artin ambientalist dhe ekologjik, ndër të parat që me artin e saj shtroi pyetje mbi ambientin, një temë që tash e disa vjet s’e humb aktualitetin.
Edhe projekti “Fushat e lulediellit 2022”, sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet u kurua nga Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza, të cilat do ta vazhdojnë rolin e tyre si bashkëkuratore edhe në edicionin e 4-t të “Autostrada Biennale”, më 2023.
Por tash me “Fushat…”, “Autostrada Biennale” mbjell kapitujt e rinj të programit vjetor të “Autostrada Hangar”, dikur ish-bazë e KFOR-it gjerman.
Leutrim Fishekqiu, bashkëthemelues i “Autostrada Biennale”, ka thënë për KOHËN se në kuadër të hapësirës së re të edukimit, prodhimit dhe ekspozimit, “Autostrada Hangar”, do të organizohen edhe aktivitete të tjera.

“Në programin vjetor të ‘Autostrada Hangar’ do të ketë aktivitete të shumta të ekspozitave, programeve të edukimit për ngritje të shkathtësive dhe ngjarje të ndryshme, të cilat do t’i publikojmë së shpejti”, ka thënë Fishekqiu.
Po këtë muaj, mbjellja e lulediellit do të bëhet edhe në “Ishullin e gjelbër”.
“Aktivitetit të mbjelljes së lulediellit do t’i paraprijnë edhe shumë aktivitete të tjera edukative, që do ta kenë në fokus mbrojtjen e mjedisit, ku pjesëmarrës do të jenë fëmijët e grupmoshave të ndryshme, studentët dhe ekspertët e fushës”, ka thënë Fishekqiu.
Me këtë “repertor” ngjarjesh të programit vjetor të institucionit të artit bashkëkohor, “Autostrada Hangar”, vijnë edhe përgatitjet për edicionin e katërt të Bienales, e cila do të mbahet në verën e vitit të ardhshëm.
“Autostrada Biennale” ka si misioni kryesor të luajë rol në të kuptuarit e shoqërisë së sotme nëpërmjet artit bashkëkohor, forcimit të komunitetit lokal dhe stimulimit të ideve kreative për një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme. Ajo është themeluar më 2014. Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, siç përshkruhet, “Autostrada Biennale” funksionon “me dy shpejtësi: njëra është ekspozita fizike që zhvillohet çdo dy vjet nga viti 2017, tjetra është ‘Autostrada Hangar’, hapësira e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozimit në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman, tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren)”.