Festa e dhjetëvjetorit të “Autostrada Biennales” është vulosur me një hap tutje e cila e fuqizon atë në arenën ndërkombëtare. Është anëtarësuar në Shoqatën Ndërkombëtare të Bienaleve – IBA, “një rrejt global që promovon zhvillimin e artit bashkëkohor”.
Anëtarësimi vjen pas pjesëmarrjes së drejtorëve bashkëthemelues të “Autostradës...” Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço, në Asamblenë e 11-të të Përgjithshme të IBA-s, të mbajtur në Lyon të Francës. Në komunikatën për media të mërkurën, “Autostrada...” ka shkruar se si bienale ndërkombëtare e artit bashkëkohor që zhvillohet çdo dy vjet, “është krenare t’i bashkohet këtij rrjeti global dhe të vazhdojë të ndihmojë në ndërtimin e trashëgimisë duke promovuar kreativitetin dhe gjithëpërfshirjen”.
“Të bëhesh pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Bienaleve është një moment historik për ‘Autostrada Biennale’, veçanërisht në 10-vjetorin tonë. Kjo thekson angazhimin tonë për të nxitur zhvillimin e artit bashkëkohor që i kapërcen kufijtë, duke bashkuar artistët, kuratorët dhe komunitetet e ndryshme. Ne mezi presim të kontribuojmë dhe të mësojmë nga ky rrjet aktiv dhe global, duke forcuar zërin e artit në adresimin e ndryshimeve sociale dhe kulturore”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të Fishekqiut, Abrashit dhe Karamuços.
Në komunikatë shkruhet se përveç ekspozitave çdo dy vjet, “Autostrada...” ka krijuar “Autostrada Hangar”, “Qendrën për Art Bashkëkohor”, një hapësirë unike e hapur për publikun që ofron ekspozita, hapësirë për prodhimin e veprave të artit dhe rezidenca për artistët.
“’Autostrada Hangar’ do të bashkëpunojë me bienale anëtare të IBA-s në të gjithë botën, duke ofruar programe të përbashkëta që do të forcojnë lidhjet tona ndërkombëtare dhe do të nxisin shkëmbimet artistike në nivel global”, shkruhet në njoftim.
Teksa ka falënderuar ekipin e IBA-s dhe ekipin e Lyon Biennale për mikpritjen dhe mbështetjen gjatë Asamblesë së Përgjithshme, treshja ka vlerësuar se ky anëtarësim shënon një kapitull të ri për “Autostrada Biennale”.
“Vazhdojmë të krijojmë një platformë për artin bashkëkohor që rezonon si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar”, shkruhet në deklaratë.