Kulturë

“Autostrada Biennale” në dhjetëshen e ekspozitave më të mira në Evropë

Nuk i janë dashur më shumë se katër edicione që të konkurrojë me alamet ngjarjesh botërore. “Autostrada Biennale” që sivjet u mbajt prej korrikut deri në shtator, për prestigjiozen “Frieze” është njëra prej top-dhjetë ekspozitave më të mira në Evropë. “Ky lajm veçse e përforcon lidhjen tonë qoftë me partnerë e donatorë tanë ndërkombëtarë e vendorë, po ashtu edhe me krejt komunitetin. Kjo tregon se nëse i beson punës ekipore, atëherë nuk ka limite, mund të rangohesh edhe në top 10-she në Evropë dhe të krahasohesh me institucione serioze”, ka thënë Leutrim Fishekçiu, bashkëthemelues i “Autostradës...”

Kur ishte hapur ekspozita e “Autostrada Biennale” e vendosur në Qendrën Historike të Prizrenit dhe jo vetëm, nuk kishte dilema për potencialin e veprave. Ishin kuptimplote e tejet poetike. Që nga tema e edicionit të katërt – “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”. Këtë e ka konfirmuar edhe platforma kryesore në botë për artin bashkëkohor “Frieze”. Ekspozita e hapur në korrikun e këtij viti ka hyrë në top 10-shen e ekspozitave më të mira në Evropë.

Në artikullin e publikuar në revistën online “Frieze” shkruhet se “në një vit pa ndonjë ngjarje të madhe të artit në Evropë, rikthimi i ‘Autostrada Biennale’ ishte shumë i mirëpritur. Përmbante 17 komisione të reja të shpërndara në tri qytete fqinje të Kosovës: Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë”.

Për ekspozitën e kuruar nga turkja Övül O. Durmuşoğlu dhe polakja Joanna Warsza shkruhet se “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, ka qenë titull i përshtatshëm për një ekspozitë të vendosur në vendin ku imazhet mund të zhduken lehtësisht.

"’Mes një përpjekjeje të furishme për modernizim’ siç vuri në dukje Barbara Casavecchia në vlerësimin e saj për ‘Frieze’ , ‘vendet dhe shprehjet me rëndësi kolektive mund të zhduken lehtësisht’”, shkruhet tutje në vlerësimin e prestigjiozes “Frieze” për ekspozitën e edicionit të katërt të “Autostrada Biennale” të Prizrenit.

Leutrim Fishekçiu, bashkëthemelues i “Autostrada Hangar” që e organizon bienalen “Autostrada Biennale”, ka thënë se ky vlerësim ka ardhur si rrjedhojë e punës intensive për ngjarjen dhe e punëve të shumta në numër të porositura për edicionin e katërt të Bienales.

“Kanë qenë dy muaj shumë intensivë me aktivitete, po ashtu ndoshta edhe përkushtimi ynë i madh për të prodhuar vepra të artit, për ta thyer të paktën rekordin tonë të paktën me 17 vepra të prodhuara. Krejt këto ndoshta kanë bërë që të reflektojë Bordi i magazinës ‘Frieze’ për ta ranguar ekspozitën e ‘Autostrada Biennale’ në top-dhjetëshen e ekspozitave në Evropë”, ka thënë Fishekçiu, derisa ka theksuar përzgjedhjen e ekspozitës përkundër numrit të madh të institucioneve serioze të artit modern në Evropë.

Sipas tij, puna e “Autostrada Biennale” ka arritur të depërtojë deri në adresën e “Frieze” për shkak të formatit të Bienales ku përfshihen artistë ndërkombëtarë.

“Ne prej fillimit e kemi pasur një qasje ndërkombëtare në kuptimin e asaj se nuk kemi krijuar një Bienale që është lokale. Kemi angazhuar shumë ekspertë, artistë ndërkombëtarë, por edhe vendorë dhe kemi shërbyer si një lloj ure lidhëse e krijimit të komunikimit mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve. Krejt këto bashkëpunime kanë ndikuar që të vijnë edhe rezultatet pozitive”, ka thënë Fishekçiu, derisa në rendin e faktorëve që për suksesin e “Autostrada Biennale” ka përmendur edhe partneritetin me institucione kulturore vendore e ndërkombëtare dhe me donatorët.

“Ky lajm veçse e përforcon lidhjen tonë qoftë me partnerë e donatorë tanë ndërkombëtarë e vendorë, po ashtu edhe me krejt komunitetin. Kjo tregon se nëse i beson punës ekipore, atëherë nuk ka limite, mund të rangohesh edhe në top 10-she në Evropë dhe të krahasohesh me institucione serioze. Në listë janë edhe institucione si ‘Louis Vuitton’ që janë institucione milionëshe e miliardëshe. Ne e kemi dhënë shpirtin tonë në kuptimin pozitiv për të dhënë më të mirën të mundshme, dhe me fonde jo shumë të mëdha”, ka shtuar Leutrim Fishekçiu, njëri prej tre organizatorëve të “Autostrada Biennale”, bashkë me Vatra Abrashin dhe Baris Karamuçon.

Në listën e dhjetë ekspozitave më të mira në Evropë për këtë vit është përfshirë ajo e artistit amerikan Mark Rothko në kuadër të fondacionit “Louis Vuitton” në Paris, ajo e artistit të ndjerë James Lee Byars nga SHBA-ja në kuadër të fondacionit “Pirelli HangarBicocca” në Milano, gjithashtu ekspozita e artistes gjermane Rosemarie Trockel në muzeun e artit modern “MNK” në Frankfurt.

Në top 10-she është edhe ekspozita e artistes gjermane Isa Genzken në galerinë “Neue Nationalgalerie” në Berlin, ajo e indianes Dayanita Singh në muzeun e artit bashkëkohor “Mudan” në Luksemburg, ekspozita e amerikanit Paul Mpagi Sepuya në “Galerie Peter Kilchmann” në Zürich e ajo e artistit libanez Ali Cherri në “Galleria d’Arte Moderna e Contemporanea” në Bergamo.

Performanca artistike “Acts of Opening Again: A Choreography of Conviviality” e dhënë në “Haus der Kulturen der Welt” në Berlin gjithashtu zë vend në këtë listë bashkë me veprën e kolumbianes Doris Salcedo në “Foundation Beyeler” në Bazel.

Platforma u dedikohet artistëve, galerive, koleksionistëve dhe artdashësve.

“Nga një bienale në tri qytete fqinje të Kosovës deri te rinisja e një institucioni në Berlin që përmban dy ditë bekime, shfaqje, lexime dhe rituale”, kështu e nis artikullin “Frieze” në shpalosjen e dhjetë ekspozitave më të mira në Evropë ku bën pjesë edhe ajo e “Autostrada Biennale”.

Ekspozita ishte hapur më 7 korrik dhe do të kishte qëndruar e hapur deri më 9 shtator derisa kishte mbajtur lidhjen me publikun edhe nëpërmjet diskutimeve e punëtorive. Pos Prizrenit, “Autostrada...” sivjet ishte shtrirë edhe në Prishtinë e Mitrovicë. Programi përfshinte veprat e 35 artistëve dhe grupeve nga skena vendore e ndërkombëtare.

“Autostrada Biennale” është krijuar nga dy artistë dhe një pedagog në vitin 2014. Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, siç përshkruhet, “funksionon me dy shpejtësi, njëra është ekspozita fizike që ndodh çdo dy vjet në hapësirën publike dhe, e dyta, plani afatgjatë për të krijuar qendrën edukative në ish-bazën ushtarake të KFOR-it në Prizren, ku procesi i përgatitjes së ekspozitës është i hapur për publikun, duke e bërë krijimin e veprave artistike një formë të të mësuarit dhe të menduarit kritik”.