“Autostrada Biennale” në tri edicionet e kaluara ka provokuar e ngritur pyetje nëpërmjet veprave të artit bashkëkohor. Edhe sivjet synon ta bëjë të njëjtën gjë. Në tri qytete nën temën “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, prej 7 korrikut deri më 9 shtator, artistë vendas e ndërkombëtarë do të paraqiten me veprat e tyre. Ekspozita bashkë me krejt veprat ka të bëjë me “shpresën dhe këmbënguljen”.
Sipas njoftimit të organizatorëve, kuratorë të këtij edicioni do të jenë Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu. E nga 30 projektet që shfaqen,17 janë të reja duke iu përgjigjur “kontekstit lokal dhe shtjellojnë temat e autobiografive kolektive, arkivave kulturore, kujtesës shumëdrejtimshe, si dhe shpresës dhe këmbënguljes”.
Sipas konceptit kuratorial, veprat që do të zënë vend në Prizren, Prishtinë e Mitrovicë përbëjnë një ekspozitë për “atë që na bën e që na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur, për liritë përtej zgjedhjeve, për të imagjinuarat që rrjedhin pavarësisht nga kufijtë dhe përmatanë tyre”.
“Ka të bëjë me lidhjen me të panjohurën. Ajo që është e paarkivueshme na kujton që një ditë, të gjitha imazhet do të zhduken, duke u rrëzuar në gollen e kohës. Prapëseprapë arti mbijeton si gjuhë qëndrese dhe paepurie, si mënyrë për të përligjur të qenët tonë në këtë botë, si një horizont që feks përtej regjimeve sundimtare e pamore”, shkruhet në koncept. Sipas asaj që kanë shkruar kuratorët, veprat do të shtrojnë shumë pyetje.
“Si ia dalin kujtimet e caktuara nga e kaluara dhe nga e ardhmja, qofshin nga një teatër kukullash, nga një shtypshkronjë, nga një libër i shenjtë, nga një lule endemike, nga një mëllenjë, nga një galeri klandestine, nga një skutë fëmijësh...”, shkruhet në koncept. Sipas tyre, ekspozita është ftesë për të rrugëtuar përmes një vargu veprash artistike të shumanshme shoqërore, poetike dhe kalimtare në tri qytete të ndryshme. Kanë sqaruar se ajo është një yjësi imazhesh që do të zhduken për t’i lëshuar udhë ndërtimit të sërishëm të jetës. “Dhe së fundi, ajo ka të bëjë me shpresën dhe këmbënguljen, pavarësisht nga të gjithat”, kanë shkruar ata.
Vizitorët në Prizren midis të tjerash do të shohin veprat e artistëve Agnes Denes, Anna Boghiguian, Bajram Mehmeti, Bella Rune, Blerta Haziraj, Bouchra Khalili, Dardan Zhegrova, Darinka Pop-Mitić, Hong-Kai Wang, Gözde İlkin, Ivo Nikiq, Kameelah Janan Rasheed e Kostas Bassanos e Xhevdet Xhafa. Në Prishtinë do të ekspozojnë Agnes Denes dhe Hera Büyüktaşcıyanm, përderisa në Mitrovicë, Alban Muja, Rena Rädle dhe Vladan Jeremiq.
Organizatorët kanë sqaruar se “Autostrada Biennale” funksionon në dy shpejtësi, njëra është bienalja ndërkombëtare, e cila zhvillohet që nga viti 2017, dhe tjetra është hapësira me programin e saj të vazhdueshëm për edukim dhe prodhim – “Autostrada Hangar”.
“Ne e konsiderojmë prodhimin e artit si një formë të qëndrueshme të të mësuarit dhe shkëmbimit që adreson nevojat e komuniteteve. Për edicionin e ardhshëm të ‘Autostrada Biennales’, ne jemi krenarë që prodhojmë një numër të konsiderueshëm të veprave të reja të porositura rishtazi në hapësirën tonë ‘Autostrada Hangar’”, shkruhet në njoftim.
Sivjet, aty do të jenë “Fushat e lulediellit” nga artistja me prejardhje hungareze, e cila jeton e vepron në SHBA. Sikurse vitin e kaluar, ajo është kthyer me veprën e saj.
“Ne mund të rritemi, të ushqehemi, t’u dhurojmë të tjerëve pasurinë tonë, të kthehemi kah dielli dhe pastaj të pasqyrojmë ngrohtësinë e tij tek të gjitha krijesat e gjalla”, do të thoshte Denes në një adresim për të pranishmit në “përmbyllje” të “Fushave…” në kryeqytet, në shtatorin e vitit 2021, kur luledielli u korrën pak ditë para përmbylljes zyrtare të edicionit të tretë të “Autostrada…”, që për moto kishte “Çka nëse një rrugëtim?” Denes (91) ishte një nga pionieret në artin ambientalist dhe ekologjik, ndër të parat që me artin e saj shtroi pyetje mbi ambientin, një temë që tash e disa vjet s’e humb aktualitetin.