Eventi prizrenas “Autostrada Biennale”, që u themelua si nevojë për më shumë shkëmbim kulturor, nga e mërkura ka hapur hapësirën e re ku do të zhvillohen programet e saj për edukim. Organizatorët shpresojnë që modelet e reja të prodhimit kulturor do të sjellin vlera të jetesës së qëndrueshme, veçmas në një kohë depresioni socio-ekonomik
Një hapësirë e re që do të përdoret për edukim, te ish-baza ushtarake gjermane në Prizren, do të jetë vendi ku arti do të shërbejë si formë e të mësuarit. Si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në qytetin buzë Lumbardhit, “Autostrada Biennale” ka njoftuar të mërkurën për hapësirën e re që do të shërbejë si punëtori për edukim dhe prodhim.
Nëpërmjet një kumtese për media është thënë se “Autostrada Biennale” funksionon me dy shpejtësi, njërën përmes ekspozitës fizike që mbahet çdo dy vjet, dhe tjetrën përmes planit afatgjatë për krijimin e një hapësire punëtorie në mjediset e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP).
“Hapësira jonë e re e edukimit dhe prodhimit, me sipërfaqe rreth 550 metrash katrorë, do të përdoret për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të krijimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Prizrenit dhe Kosovës”, thuhet në kumtesë teksa bëhet e ditur se projekti mbështetet nga Ambasada amerikane, si dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit.
Organizatorët e “Autostradës Biennale” kanë thënë se përmes procesit të edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, kanë për qëllim të zhvillojnë modele të reja të prodhimit kulturor, “që do të inkurajojnë brezin e ri të bëhet pjesë e procesit të ndërtimit dhe instalimit të veprave artistike, si dhe të menduarit kritik përmes artit”.
“Shpresojmë që një model i tillë të sjellë vlera të jetesës së qëndrueshme, veçanërisht në një kohë depresioni socio-ekonomik. Kjo hapësirë e projektit synon të gjenerojë bashkëjetesë midis komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si një ekip”.
Gjithnjë sipas kumtesës, “Autostrada Biennale” ka bërë me dije se hapësira me dy studiot e saj, Atele dhe Laborator i Teknologjisë, do të punësojë përmes programit të saj të edukimit ekspertë në fushat e tyre, ndërkohë që pritet të ketë ndikim afatgjatë te të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin.
“Më konkretisht do të ketë punëtori të vazhdueshme për krijimin e shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit dhe metalit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim”, thuhet më tej në komunikatë.
Në fund, organizatorët e “Autostradës Biennale” kanë theksuar se shpresojnë që, përmes një hapësire të tillë edukimi, të përforcojnë rolin e këtij institucioni dhe të artit bashkëkohor “si infrastrukturë e butë në Kosovë, duke mbështetur komunitetin, si dhe solidaritetin translokal në kohë të izolimit të dyfishtë”.
Ndryshe, “Autostrada Biennale” ka filluar në Prizren në vitin 2014, teksa edicionin e parë e ka mbajtur më 2017. Për organizatorët, themelimi i saj i detyrohet një ndjenje “të mungesës, nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe hapjes ndaj botës”.
Si pikë lidhëse dhe rrugë në hartën e Ballkanit Perëndimor, në edicionin e fundit, të mbajtur më 2019, e kishte pasur si kurator Giacinto Di Pietrantonion me artistë nga vendet e rajonit, por edhe Italia, Rumania, Belgjika, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.
Vjet, Autostrada Biennale kishte njoftuar se edicionin e saj të tretë do ta mbajë sivjet nga korriku deri në shtator. Shi për këtë, një bord këshillues i Biennales kishte përzgjedhur dy artiste nga Berlini si bashkëkuratore të edicionit të radhës: Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza.
{gallery}
“Hapësira jonë e re e edukimit dhe prodhimit, me sipërfaqe rreth 550 metrash katrorë, do të përdoret për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të krijimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Prizrenit dhe Kosovës”, ka njoftuar “Autostrada Biennale”
Në qershor të vitit të kaluar, në një prononcim për KOHËN, ato ishin shprehur të lumtura që u ftuan nga një organizatë që drejtohet nga artistët dhe nuk ka ndonjë qëllim marketingu.
“Ne e dimë se arti është i pari në këtë mjedis. Sot Evropa hapet sërish pas ndalesave të udhëtimit për COVID-19. Ne e marrim këtë si shenjë të mirë si dita prej kur ne e fillojmë këtë udhëtim”, kishin thënë Durmusoglu dhe Warsza në një deklaratë të përbashkët.
E Kosova nuk është bash “terra incognita” për to. Falë miqve artistë, ato ishin familjarizuar prej kohësh me skenën artistike në Kosovë, sidomos Durmusoglu e cila kishte krijuar një ekspozitë grupore në “Stacion Prishtina”. Për të, as Prizreni nuk është i panjohur pasi aty kishte qenë edhe më 2015.
Derisa në gusht do të vizitojnë qytetin buzë Lumbardhit për t’i përnjohur hapësirat, konceptimi i Biennales ende është duke u ngjizur si ide.
“Na duhet arti si pjesë e rimëkëmbjes, si nevojë, si mjedis i përkthimit për të kuptuar momentet e ndërlikuara që përjetuam, si mënyrë për t’u pozicionuar në këto çast”, patën thënë ato. E fundit ngjarje ku ato qenë të përfshira, “Die Balkone”, sipas tyre, ishte bërë nga nevoja për ta pasur artin më shumë të pranishëm në jetën tonë gjatë kohëve kritike.
“Për një vit ne mund të lodhemi duke folur vetëm për pas-pandeminë, por do të ketë edhe shumëçka për të folur mbi çastin tonë në këtë planet. Çfarë mund të themi me siguri është se Bienalja nuk do të shtyhet”, kishin thënë Durmusoglu dhe Warsza.
Të dyja ato nuk besojnë se arti bashkëkohor është i huaj për audiencën e përgjithshme sikundër është një paragjykim i kahershëm. Sipas tyre, përvoja me “Die Balkone”, si ekspozitë në dritare e ballkone, e provoi të kundërtën: ajo u bë virale dhe tani ka edicionet e saj gjithandej botës.
“Ne merremi me artin që mund të komunikohet, kuptohet dhe vlerësohet si nga ekspertët, ashtu edhe nga joekspertët. Dhe ne besojmë për fuqinë e artit publik, si një mënyrë për të dërguar sinjale tymi te njëri- tjetri që jemi të pranishëm dhe gjallë”, vlerësonin ato.