Kulturë

“Autostrada Biennale” me art godet zhdukjen e imazheve

“Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, është tema e edicionit të katërt të “Autostradës Bienale” dhe qysh në hapje të premten në Prizren, i kundërpërgjigjet zhdukjes dhe jo vetëm. Në fakt fuqizon edhe “shpresën dhe këmbënguljen, pavarësisht të gjithave” dhe arti është rruga. Janë 35 vepra artistësh e grupesh kolektive. E, rrugëtimi nëpër “Autostradën...” e artit sapo ka nisur dhe nuk ndalet vetëm në Prizren, aty ku ka pikënisjen

Prej kur u bë publik koncepti kuratorial i edicionit të katërt të “Autostradës Biennale” ishte paralajmëruar si alamet ngjarje. Ka kohë që e ka gjetur rrugën e vet dhe e tillë është rikonfirmuar edhe të premten, në ditën e hapjes zyrtare.

Në ceremoni solemne arti u vlerësua si mënyrë e mbijetesës. Ngjarja – Bienale e rezistencës dhe rikuperimit prej pandemisë. Në të tilla rrethana qe zhvilluar edicionin e kaluar, dy vjet më parë.

Veprat e prezantuara kanë qenë pjesa e parë e mozaikut të krejt asaj që përmblidhet brenda temës “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”. Pos Prizrenit, “Autostrada...” sivjet shtrohet edhe në Prishtinë e Mitrovicë.

Aty ku e ka zanafillën veçse ka filluar transformimi. Tre hangarë, që dikur kanë shërbyer si depo të NATO-s, janë hapësirat eksploruese të artit bashkëkohor. Nikoqirë të ngjarjes, që bëhet pikëtakim i artistëve ndërkombëtarë, do të jenë edhe vendet historike të qytetit.

Image
Vepra e “Open Group” e artistëve ukrainas Yuriy Biley, Pavlo Kovov dhe Anton Varga me tri pjesë brenda saj, të titulluara “1972-2022”, “1981-2022” dhe “1995-2022”. Janë vitet e “lindjes dhe vdekjes” së muzeve ukrainas si pasojë e luftës

Arti në mision

Njëra prej themeluesve, Vatra Abrashi, është shprehur se krejt ngjarja e ka zanafillën në programet e edukimit me të rinj.

“Kur kemi filluar të krijojmë programe të edukimit edhe pa pasur hapësirën dhe pa i pasur fondet. Pra gjithçka ka filluar prej nevojës, të cilën ne e kemi identifikuar gjatë punës sonë me të rinj dhe kemi filluar t’i praktikojmë programet për shkëmbim të shkathtësive”, ka thënë Abrashi në konferencën e mesditës.

Bashkëthemeluesi Leutrim Fishekçiu ka shpalosur prapaskenat e organizimit që prej përgatitjes së hapësirës që ushtron veprimtarinë e deri te zbulimi i veprave që janë shfaqur e që do të prezantohen ditëve në vijim.

“Kjo qasje jonë e ekspozitës është që ta sjellim artin te njerëzit, jo njerëzit tek arti. Prandaj e kemi këtë galeri, kemi hapësirë e cila prodhon dhe i shqyrton të gjitha veprat e qytetit të Prizrenit dhe tani në Mitrovicë dhe Prishtinë po ashtu”, ka thënë Fishekçiu.

Bashkëthemeluesi Barish Karamuço ka thënë se nëpërmjet ngjarjes arti vjen një hap më pranë publikut dhe me mesazh të qartë për shoqërinë. “Procesi, lidhjet me artistët, me komunitetin, ajo po na dërgon në një pikë se ne e duam më shumë vendin dhe njerëzit synojmë t’i lidhim me qytetin me këtë kontribut. Në përgjithësi Kosova ka një problem imigrimi dhe me programet tona, pak a shumë duam të mbajmë komunitetin këtu dhe të bashkëpunojmë me ta”, është shprehur ai.

Komunikimi i ideve të së tashmes

Programi përfshin veprat e 35 artistëve dhe grupeve kolektive nga skena vendore e ndërkombëtare. Atë e kanë kuruar Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, që lidhjen me Bienalen s’e kanë premierë. Qenë kuratore edhe edicionin e kaluar. Temën e kanë vlerësuar si vazhdimësi të edicionit të kaluar. “Çka nëse një rrugëtim…” kishte qenë ajo që u zbërthye më 2021.

“Edicioni i kaluar ka qenë lidhur me një lloj koncepti të papërfunduar dhe i frymëzuar shumë rreth shtëpisë, që kur kalohet këndej, përreth Kosovës shohim shumë shtëpi të papërfunduara, që nisen prej njerëzve që jetojnë në diasporë dhe u duhen vite të tëra për t’i ndërtuar. Tash kemi menduar ta zhvillojmë këtë më tutje, kjo është ajo pjesa se prej nga vjen ky titull”, ka thënë Warsza.

Sipas saj, Bienalja shërben edhe për të krijuar lidhje e kontakte mes artistëve.

“Grupe të njerëzve janë rritur në një kontekst të caktuar kulturor apo tjetër me gjuhë metaforike, me art që na mundëson që të komunikojmë thellësisht me disa prej ideve më komplekse të kohës sonë. Me këtë bienale jemi ata që i dërgojmë sinjale njëri-tjetrit. Mos ta bëjmë këtë, por të shohim çfarë po ndodh në thellësi, cilat janë diskutimet e kohëve tona”, ka thënë ajo më tej.

Bashkëkuratorja Övül Ö. Durmuşoğlu ka thënë se ekspozita kërkon përgjigje të padukshme. Se pamjet mund të zhduken një ditë, por jo edhe kujtimet.

“Është vërtet mundësi e rëndësishme për çfarëdo diskutimi kuratorial të bazohet në kontekstin e të ndërtuarit në dialogun afatgjatë, pasi shumica e punës sonë si kuratorë është afatshkurtër dhe synim ka finalizimin në mënyrë shumë efikase. Projekti i sivjetme bëhet më i thellë, sikurse edhe diskutimet”, ka thënë kuratorja turke.

“Dhe së fundi, ajo ka të bëjë me shpresën dhe këmbënguljen, pavarësisht nga të gjitha”, shkruhet diku në konceptin e sivjetmë, dhe qysh në takimin e parë me veprat, një frymë e tillë hetohet shpejt.

“Autostrada Biennale” është krijuar nga dy artistë dhe një pedagog në vitin 2014. Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, siç përshkruhet, “funksionon me dy shpejtësi, njëra është ekspozita fizike që ndodh çdo dy vjet në hapësirën publike dhe, e dyta, plani afatgjatë për të krijuar qendrën edukative në ish-bazën ushtarake te KFOR-it në Prizren, ku procesi i përgatitjes së ekspozitës është i hapur për publikun, duke e bërë krijimin e veprave artistike një formë të të mësuarit dhe të menduarit kritik”.

Image
“The first wedding” e artistes boshnjake Selma Selman ka në thelb paragjykimet. Ka paraqitur katër figura grash në pjesët e përparme të veturave. Para të pranishmëve ka treguar se “gratë e paraqitura janë nga Peja”

“Ringjallja” e muzeve të Ukrainës në luftë

Qendra e artit bashkëkohor “Autostrada Hangar” ka dëshmuar prej kohësh misionin e saj. Tre hangarët e NATO-s në Prizren të kthyer në hapësira të artit bashkëkohor i kanë shkuar fiks edhe veprës së kolektivit “Open Group” të artistëve ukrainas, Yuriy Biley, Pavlo Kovov dhe Anton Varga. Janë tri pjesë brenda saj, të titulluara “1972-2022”, “1981-2022” dhe “1995-2022”. Janë vitet e “lindjes dhe vdekjes” së muzeve ukrainas si pasojë e luftës. Në hapësirën prej betoni para “Autostrada Hangar” shpalosen planimetritë e tre muzeve. U ngjajnë pikërisht planeve arkitekturore, por vepra është ftesë për të vizituar ato që nuk janë më: Muzeun Kombëtar të Letërsisë (1972–2022) në Kharkiv, Muzeun Historik Ivankiv (1981–2022) në Kiev dhe Muzeun Historik Lokal të Komunës Okhtyrka (1995–2022). Me bojë të kuqe, të portokalltë e të kuqërremtë, “ringrihen muret”, projektohen korridoret, hapësirat ekspozuese e vizitori papengueshëm shëtit në objekte që gjëllijnë vetëm në imazhe a në kujtesë. Vepra është një thirrje e zëshme që kujton pasojat e luftës.

Artisti Anton Varga ka thënë se vepra e tyre është dedikim për 15 muzetë e shkatërruar krejtësisht dhe të tjerëve të prekur nga pasojat e luftës.

“Që nga pushtimi janë rreth 15 muze të shkatërruar keq, dy janë të okupuar, ndërsa një është boshatisur, eksponatet janë vjedhur. Sigurisht se punimi në vepër ka qenë sfidues, por edhe shumë interesante. Ka plot histori në ato hapësira në të cilat punon me kujtimet pas luftës, sheh rezultatin e pasojave. Në një formë është mirë të shohësh procesin e shërimit, si njerëzit hynë në atë situatë” , ka thënë ai.

“The first wedding” lufton paragjykimet

Një tjetër vepër është edhe “The first wedding” e artistes boshnjake Selma Selman. Paragjykimi është kryefjalë në veprat e saj. Ka paraqitur katër figura grash në pjesët e përparme të veturave. Para të pranishmëve ka treguar se “gratë e paraqitura janë nga Peja”. Është dashur hulumtim gati trevjeçar, ndërsa për të pikturuar kanë marrë gati gjashtë muaj kohë. Ajo ka thënë se pasi nëna e saj është nga Kosova, e ka pasur të lehtë hulumtimin për vepër. Vitin e kaluar, në hapje të bienales nomade “Manifesta 14” në Prishtinë, vepra e saj “You have no idea” ishte njëra prej atyre që e hapën ngjarjen e artit evropian.

Ekspozitat do të qëndrojnë të hapura deri më 9 shtator derisa “Autostrada Biennale” e mban lidhjen me publikun edhe nëpërmjet diskutimeve e punëtorive. Rrugëtimi nëpër “Autostradën...” e artit sapo ka nisur.