Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale III” do të mbahet nga 17 korriku e deri më 11 shtator të vitit 2021, në Prizren, Prishtinë e Pejë.
Prizreni do të mbetet qendra e Bienales, ndërsa instalime dhe ndërhyrje shtesë do të ketë në Prishtinë e Pejë, thuhet në një komunikatë njoftimi nga organizatorët.
Organizatorët, bashkë me kuratorët Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza janë shprehur se pandemia i ka bërë që të rimendojnë modelin e bienales. Ata janë shprehur më entuziastë “për t’i zgjeruar aktivitetet në tre qytete, duke punuar kështu edhe më tej me identitetin tonë: shumë lokal dhe shumë të ndërlidhur”.
“Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale do të bazohet në një model infrastrukture, formë të ‘takimit të verbër’ midis interesave, dëshirave dhe shpresave paralele”, thonë kuratorët, sipas njoftimit. “Ne shpresojmë ta përforcojmë rolin e bienales përmes ndërtimit të një infrastrukture të butë në Kosovë, duke mbështetur kështu komunitetin si dhe solidaritetin translokal në kohë të izolimit të dyfishtë”.
Edicioni i tretë do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.