Kosova bën hapa për të siguruar mbijetesën afatgjate të historisë së saj kulturore
Është mesditë dhe dielli është i fortë në Prishtinë. Kanë kaluar dy vjet nga udhëtimi im i fundit në Kosovë – jam kthyer për hapjen e “Autostrada Biennales”. Nga vrimat e ish-Fabrikës së Tullave burojnë pesë përrenj rrjetash blu, si për të vaditur sferën e saj të shkretë. Ky instalacion monumental, “Kush flet nga pluhuri, kush sheh nga deltina” (2023), nga Hera Büyüktaşçıyanm shkëlqen pranë “Fushave të lulediellit” (2021– vazhdim) nga Agnes Denes, petalet e verdha të së cilës po mbijnë rreth ndërtesës me shpejtësinë e tyre të qetë. Të dyja veprat, të cilat flasin për imagjinata restauruese, rritje organike dhe ciklike, janë vazhdimësi e projekteve të krijuara nga artistët e Bienales, e cila këtë vit zhvillohet në Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë me 17 komisione të reja.
Kur “Manifesta 14” zbriti në Kosovë vitin e kaluar, arti bashkëkohor në vend përjetoi një zgjerim të madh. Sipas një sondazhi mjaft bombastik të kryer nga bienalja nomade, edicioni i vitit 2022 priti mbi 800 mijë vizitorë, kryesisht vendas, ndërsa Ministria e Kulturës ka njoftuar blerjen e 14 veprave, të cilat ishin krijuar enkas për këtë ngjarje, të destinuara për Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila aktualisht është nikoqire e një ekspozite retrospektive të hulumtuar me pasion nga Violeta Xhaferi, e të kuruar nga Hana Halilaj.

Krijimi i një muzeu të ri të artit bashkëkohor me një koleksion veprash të krijuara pas viteve 1990 është aktualisht në pritje të miratimit parlamentar. Bordi, i cili kryesohet nga aktivisti politik Yll Rugova, e pjesë e së cilit janë edhe artistët Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa dhe Zake Preluvkaj, ka propozuar që “Pallati i Rilindjes”, objekti brutalist i shtëpisë së dikurshme botuese në Prishtinë, të shërbejë si shtëpi e re e muzeut.
Çështja e mbijetesës afatgjate të ish-vendeve mikpritëse të “Manifestas” mbetet në dyshime, pasi mes një përpjekjeje të furishme për modernizim, vendet dhe shprehjet me rëndësi kolektive mund të zhduken lehtësisht. Vetëm pak më larg Mitrovicës, në Runik, fasada e Shtëpisë së Kulturës – një zonë e mbrojtur e trashëgimisë së vitit 1950, që dikur strehonte një bibliotekë dhe teatër dhe mblidhte anëtarë të grupeve të ndryshme sociale dhe etnike – u shkatërrua në fillim të këtij muaji pa autorizim nga autoritetet lokale. Në Prizren, një mur i vjetër guri që mbante muralet publike të Gödze Ílkin, “Bimët shoqëruese, gurë besnik” (2023), u shemb disa orë para prezantimit të tij. Shkatërrimi i papritur i ndërtesave dhe i së kaluarës që ato mbajnë brenda tyre, është një kujtesë bezdisëse e titullit të zgjedhur për bienalen e këtij viti nga kuratoret Övül O. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza: “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”.

Teksa hyn në edicionin e saj të katërt, “Autostrada Biennale” është ende në lulëzim. Me qasjen e saj bazike dhe theksin mbi qëndrueshmërinë, ajo ndoshta pasqyron energjinë e kombit me pamje nga e ardhmja: prej vitit 2024, popullsia më e re në Evropë do të gëzojë më në fund udhëtimin pa viza në zonën Schengen. Prej shumë njerëzve, një zhvillim i tillë u pa si hap i rëndësishëm drejt sovranitetit të plotë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Në Mitrovicë, ku në fillim të këtij viti përleshjet mes serbëve dhe ushtarëve paqeruajtës të NATO-s, ia kujtuan botës paqëndrueshmërinë e rajonit, qëndron “Monumenti në lëvizje” (2021–2023) nga Alban Muja. Artisti ngriti një kopje të një monumenti të periudhës së viteve 1970, i njohur në vend si “Barazi, punë dije”, i cili u hoq nga qyteti pa paralajmërim në vitin 2010. I vendosur në vendin ku kishte qëndruar më parë, në sheshin kryesor, ai paraqet tri figura të cilat mbajnë një laps, një kazmë dhe një libër. Gjithashtu në qendrën kulturore “7 Arte” gjendet “Dhimbja e simboleve” (2023) nga Rena Rädle dhe Vladan Jeremiq. Kjo seri posterësh, e frymëzuar nga arkitekti pacifist vizionar, Bogdan Bogdanoviq, dënon ndarjet politike në qytet.

“Ne e konsiderojmë prodhimin e artit si një formë të të mësuarit dhe shkëmbimit, i cili mund të adresojë nevojat e komuniteteve të ndryshme”, ka thënë Vatra Abrashi, bashkëthemeluese e Bienales së bashku me Leutrim Fishekqiun dhe Bariş Karamuçon, teksa ishte ulur jashtë njërit prej katër hangarëve ish-ushtarakë që janë bërë pjesë e ambienteve të përhershme të festivalit në Prizren, ku aktivitetet edukative zhvillohen gjatë gjithë vitit. “Ne nuk jemi të interesuar të ecim më shpejt apo të zgjerohemi shumë”. Krijimi dhe ekspozimi i artit në një bazë të mëparshme të NATO-s bën thirrje për një kontroll të realitetit. Jashtë, kolektivi i “Open Group” pikturoi planimetrin 1:1 të tre muzeve të shkatërruar në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 2022 – një luftë që media perëndimore e portretizon vazhdimisht si të parën në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas stand-upit “Vetëm mes nesh” (2023) të artistes dhe komedianes boshnjake Mila Paniq.

Pra, çfarë mbetet nga kujtimet individuale dhe kolektive? Në “Dasma e parë” (2023), Selma Salman zbukuron kapakët e “Mercedesit” me katër portrete të mëdha të grave rome nga familja e saj, historitë e të cilave, si nëna dhe bashkëshorte, mbesin të patreguara. Skulptura e përpunuar me xham me njolla e Neda Saeedit “Në thellësinë e natës qielli sheh diellin?”, (2023) është instaluar në mbetjet e një monumenti të shkatërruar të antifashizmit në “Sheshin e Lidhjes” në Prizren. Për çdo natë, gjatë javës së hapjes, muzika dhe vallëzimi i bashkojnë të gjithë, përsëri e përsëri. Ndërtimi i kësaj hapësire të sigurt të paprekshme, të paarkivueshme, ku zhvillohen biseda të shumta dhe hapen kujtimet, ndihet thellësisht i rëndësishëm, në retrospektivë. Gëzimi si kundërhelm, si strehë, si zonë e pavarur dhe e përkohshme. Siç shkruajnë Durmuşoğlu dhe Warsza në tekstin e tyre kuratorial, “pavarësisht të gjithave, ka të bëjë me shpresën dhe këmbënguljen”.

Marrë nga revista ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Frieze”. Përktheu: Mirjetë Sadiku.